Sabri Hamiti: Mjeda, krijues i 
gjuhës poetike, Fishta folklorik

Sabri Hamiti: Mjeda, krijues i <br />gjuhës poetike, Fishta folklorik
150 vjetori i lindjes së Ndre Mjedës u kujtua në Bibliotekën Kombëtare, me pjesëmarrjen e Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro-Furxhi. I ftuar nderi ishte akademiku Sabri Hamiti.
 
“A është përrallë, a është pikturë, a është tablo muzikore, a është poezi, a është dramë… ajo që mbetet janë vargjet të cilat dikur-dikur m’i recitonte ime më dhe kujtoj se në përfytyrimin tim nuk shihja dy çika, por veç dy qershitë”. Këto fjalë zgjodhi ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro për të përshkruar magjinë që nxit fjala në poezitë e Ndre Mjedës.

“Molla t'kputna nji deget, dy qershia lidhë n'nji rrfanë, ku fillojnë kufijt' e Gegët, rrijnë dy çika me nji nanë.” 

Gjatë aktivitetit përkujtimor u promovua edhe libri më i fundit i akademikut Sabri Hamiti, me titullin “Ndre Mjedja”, botuar në Prishtinë më 2016. 

Sabri Hamiti e ka përshkruar si një udhëtim në leximet personale të poetit, ku, nga leximi më i hershëm e intim i “Vajit të bylbylit” më 1982 e deri te shqyrtimet më të fundit të Mjedjes si “liriku klasik” dhe “poeti ëndërrues” që përmbyllin librin më 2016-n, shpërfaqet mrekullia e leximit, por edhe sfida e përhershme e rileximit dhe riinterpretimit.

Hamiti e cilësoi Mjedën si një poet lirik klasik, sepse tha ai, Mjeda nuk i përket as periudhës romantike para tij, e asaj pas. Vepra e tij është burimore, prandaj Mjeda mbetet kaq i veçantë. 

“Mjeda është një poet i shumëkohëve. Ndaj kjo përkon me lirikun klasik e në këtë 150 vjetor, Mjeda do të jetë tani më i gjallë e i fortë për tu lexuar”, u shpreh akademiku i njohur Sabri Hamiti. Gjatë fjalës së tij Sabri Hamiti bëri një paralele interesante mes poezisë së Fishtës e Mjedës. Mjedën Hamiti e vlerëson edhe si krijues autentik të ligjërimit poetik, sepse theksoi qe “Mjeda është poeti që e krijoi gjuhën poetike dhe ia dha popullit, ndërsa Fishta bëri të kundërtën, mori gjuhën e popullit dhe bëri poezinë e tij”.

Në këtë këtë mënyrë përmes komenteve të lira Sabri Hamiti e vlerësoi gjuhën poetike të Mjedes si një gjuhë të shumëkohshme. Ndërsa për të sjellë shijen estetike të poezisë së Mjedjes, për të cilat Sabri Hamiti ka vërejtur se poetit i duhet ruajtur rima, ritmi dhe intonacioni gjuhësor, aktorja shkodrane Ema Ndoja ka recituar disa nga poezitë e Mjedës. Hamiti ka replikuar edhe me ministrinë e kulturës Mirela Kumbaro për leximin e Mjedës, ku ka argumentuar se duke i ndërruar gjuhën Mjedës i cënohet vargu. Hamiti e kishte fjalën tek rasti kur shtimi i zanorve të gjuhës letrare e kthen një varg 9-rrokësh në 10-rrokësh. 

Aktiviteti vijoi me Tryezën e Rrumbullakët: “Rilexime të Mjedjes” drejtuar nga Dhurata Shehri dhe me pjesëmarrjen e Persida Asllanit, Sabri Hamitit, Kolec Topallit, Shaban Sinanit e më gjerë. Shaban Sinani bëri vërejtje se “studimi i Mjedës deri më sot është bërë i gjymtuar”. 

Mjeda në këtë 150-vjetor të lindjes u vleërsua si poeti i përsosmërisë, por edhe si gjuhëtari modern, si përkthyesi i hollë, si themeluesi i hagjiografisë shqipe, si atdhetari vetëflijues, si kleriku i përkushtuar dhe si mësuesi i pasionuar.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Wall Street Journal: Pse Shqipëria duhet të jetë destinacioni i radhës për udhëtarët e zgjuar

Wall Street Journal: Pse Shqipëria duhet të jetë destinacioni i radhës për udhëtarët e zgjuar