ZVICËR - Armando Sadiku do të largohet nga Lugano. Është thjeshtë cështje kohe zyrtarizimi i ekipit të ri me në të cilin, sulmuesi do të vazhdojë karrierën. Aktualisht jemi në fazën e shqyrtimit të fortave që kanë ardhur për sulmuesin për të vendosur së bashku me Sadikun më të mirën” deklaron menaxheri i sulmuesit të ekipit kombëtar të futbollit Sokol Haxhia për mediet zvicerane.

Sadiku është në radarin e disa ekipeve në kampionatin italian të futbollit, por jo vetëm, pasi edhe në Zvicër është objektiv i disa ekipeve, të cilat kërkojnë të përfitojnë nga shërbimet e sulmuesit. Por ku do të zgjedhë sulmuesi për të vazhduar karrierën? ‘Atë nuk mund ta them me siguri, pasi pavarësisht faktit që i pëlqen kampionati italian nuk mund të krahasosh një ofertë të Livornos me të Baselit në Zvicër. Prandaj po shqyrtojmë më qetësi gjithcka është vetëm fillimi i merkatos, deri më 31 gusht ka ende edhe shumë kohë. Por  e sigurt është që nga Lugano Sadiku do largohet” shprehet Haxhia.

TARE: BLLOKOHET KALIMI I HYSAJT

Igli Tare është rikthyer që të flasë për telenovelën Hysaj duke deklaruar se për momentin gjithçka është e bllokuar. “Kemi biseduar me drejtuesit e ekipit të Empolit, ne kemi bërë një ofertë 1.8 milionë euro për gjysmën e kartonit, por përgjigja ka qenë negative nga ana e tyre. Me Hysajn kam biseduar dhe dëshira e tij është që të zhvendoset te Lacio, por drejtuesit janë të vetëdijshëm për vlerat e tij dhe nuk pranojnë që ta lëshojnë” deklaron Tare.

VANGJELI FIRMOS EDHE PËR DY VJET

Kristi Vangjeli ka rinovuar edhe për dy vjet të tjera kontratën me klubin ukrainas, Çernomorets Odesa. Mbrojtësi është bindur të qëndroj pas kërkesave të klubit se një lojtar i tillë i duhet për kampionat dhe për kupat e Evropës. Vangjeli ka pasur një periudhë të gjatë dëmtimi sezonin e kaluar, dhe mbase kjo ka qenë arsyeja kryesore që nuk është larguar nga klubi ukrainas.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 03.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)