Kisha nuk është më. Kanë mbetur vetëm gërmadhat e saj, por banorët nuk e harrojnë, ende luten këtu për mbarësi. Pranë gjendet qiparisi shekullor dhe në sfond përballë, mali i Shpiragut.
Gjendemi në Sadovicë të Beratit, ku festa i ka rikthyer edhe një herë banorët pranë vendlindjes.
“Unë e gjeta të arsyeshme që të gjithë ata që kishin ikur të afroheshin pranë fshatit të tyre, të kthejnë sytë nga fshati dhe do të isha gati tokën time t’ua lë dhe ta rindërtojnë”, thotë organizatori Agron Abazaj.
Dikur në Sadovicë jetonin rreth 500 familje. Sot kanë mbetur 100.
“Kanë qenë rreth 500 familje, kanë qenë ortodoksë, rreth 50 myslimanë. Sot janë 100 familje myslimane dhe një ortodokse”, shton Abazaj.
Shquhet për bashkëjetesën fetare, një prej vlerave që banorët thonë se e kanë trashëguar ndër breza.
“Është shumë e bukur që në një vend ku është kisha, bëhet një festë e tillë me besimtarë myslimanë”, shprehet Ymer Hoxha.
Kisha e Shën Kollit u shkatërrua nga regjimi komunist në vitin 1967. Sot kanë mbetur vetëm gërmadhat, ndersa banoret kerkojne rindertimin e saj dhe rikonstruksionin e rruges se fshatit.
“Sadovica është një fshat relativisht i vjetër dhe këtu ndodhemi në një kishë që është ndërtuar mbi një kishë të mëparshme, e vitut 1780. Selvia është diku rreth 250-vjeçare dhe jemi munduar ta fusim si monument natyre”, shton Hoxha.
Për ata që jetojnë larg, rikthimi në Sadovicë nuk është thjesht një ditë feste. Është një mënyrë për të ruajtur lidhjen me vendin ku kanë lindur dhe për t'ua përcjellë këtë lidhje edhe brezave të rinj.










Komente
Komento