LONDER - Një nga të fortët e Shqipërisë të dënuar në mungesë për tre vrasje dhe një tentativë vrasjeje në vitin 1997 është ende në Britaninë e Madhe pothuajse një vit pasi u arrestua, dhe ka mundësi të kërkojë azil.

Bëhet fjalë për Ndriçim Sadushin njërin prej anëtarëve të bandës në 97’ së Tan Kateshit në Elbasan, arrestuar në prill të 2012-ës në Londër. Ekstradimi i tij është kthyer në një betejë të vazhdueshme për drejtësisë britanike, ku edhe pse çështja e tij është paraqitur 19 herë para gjykatësve britanik, ende nuk ka një vendim për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Pas pretendimeve të 42-vjeçarit të arrestuar se nuk është Ndriçim Sadushi, gjatë seancës gjyqësore të së mërkurës në Londër, mbrojtja është paraqitur me një pretendim të ri: Sadushi është i sëmurë mendorë.

Sipas palës mbrojtëse, “çështja Sadushi” nuk mund të vazhdojë pasi 42-vjeçari është në trajtim të shëndetit mendor dhe se duhet të pritet deri në dalje ne një vlerësimi të shëndetit të tij mendor i cili pritet të përfundojë në 11 mars.

Në seancën e mëngjesit të së mërkurës Sadushi u urdhërua të kthehet sërish në burgun e Belmarsh, pasi kaloi më pak se një muaj në Broadmooor, spitalin e burgut.

Edhe pse analizat mbi shëndetin e tij mendor janë drejt përfundimit, mjekët e kanë konsideruar Ndriçim Sadushin të aftë për t’u kthyer në burgun e sigurisë maksimale.

42-vjeçari është i kërkuar edhe në Itali për prostitucion dhe trafik të drogës. Seanca për ekstradimin e tij në Itali është vendosur më 1 gusht, ndërsa më parë do shqyrtohet kërkesa për ekstradim në Shqipëri.

Duket se ekstradimi i Sadushit do të jetë një tjetër betejë e gjatë e Tiranës me Londrën, pasi deri tani ka dështuar edhe ekstradimi i Ilir Kumbaros. Ish-agjenti i Shërbimit Informativ i akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës ndodhet ende në arrati. Atij i është dhënë leje qëndrimi për në Britani që nga gushti i vitit 1996, pas pretendimeve të tij se ai ishte refugjat kosovar, duke u paraqitur me emrin e rremë, Shaqa Shatri.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)