"Saga e fminisë”, energjia
gjuhësore e At Zef Pllumit

gjuhësore e At Zef Pllumit">
“Ka një kohë për me mbjellë, ka një kohë për me korrë, e ka edhe një kohë për me ushqye”.
Kjo maksimë e Beslidhjes së Vjetër, e cila në kontekstin e vet u referohet punëve të shpirtit, duket se vlen edhe për të përkufizuar lavrimin e gjuhës shqipe të folur e të shkruar, qysh në zanafillë e deri sot. E ka njimend këtë tagër të dyfishtë, pasi gjuha dhe shpirti i kombit janë vërtet të njinjishme; e kur e themi këtë, natyrisht që me “entitet gjuhësor” nënkuptojmë plotninë e përbërë nga tradita e folur dhe e shkruar, tok me çdo bimsë të zhvilluar në humusin e kësaj simbioze të moçme. Një e tillë bimsë është edhe idiolekti i Àt Zef Pllumit tek “Saga e Fëmijnisë”.

Përgjithësisht, kur përshkruhet idiolekti i një shkrimtari, pra forma letrare dhe gjuhësore e tij, ai rëndom shqyrtohet si një “unitet në diversitet”, çka don të thotë se idiolekti në fjalë merret si një madhësi monolite, me synimin për të përcaktuar dallimet mes tij dhe idiolekteve të tjetërkujt. Ndërsa hulumtimi ynë nuk mëton të formulojë tiparet dalluese të idiolektit të At Zef Pllumit krahasuar me të tjera unitete letrare, por ato të vetë këtij korpusi gjuhësor, ndaj do ta shqyrtojë atë në vetvete dhe për vetveten.

Shtysë për hetuar këtë itinerar gjuhësor vetjak u bë pikasja e një arkaicizimi të lehtë porse të vijuar të formës letrare të autorit tonë, nga vepra në vepër, arkaicizim i cili theksohet ndjeshëm tek Saga, që përfaqëson njëherit edhe stadin përmbyllës. Për ta shqyrtuar së brendmi evolucionin e formës, lypet pra, ta çelim (dekonstruktojmë) këtë unitet, duke hetuar përsa mundemi stadet dhe kalesat e tij. Dhe si në çdo sipërmarrje të tillë, veç elementeve të brendshme gjuhësore, do të shfrytëzojmë edhe elementet e jashtme, si fjala vjen rrethanat jetësore apo të dhëna të tjera nga personaliteti i shkronjësit.

Ka një kohë për me mbjellë...
Lexuesi e kupton se metafora e mbjelljes në rastin tonë përkon me formësimin e fazës së parë e më të hershme të këtij idiolekti, atë të arketipit gjuhësor. Përkon me fjalë të tjera me themelimin e një repertori ligjërimor që gjuhësia e përcakton si “mothertongue”, apo siç e përkufizonte vetë padër Zefi “gjuhë e nanës”. Nuk kemi të dhëna të drejtpërdrejta nga kjo fazë, por m’anë tjetër është e lehtë të rindërtohet profili i saj. Vocrraku ynë u lind e jetoi në Shqipërinë Veriake. Modelet e tij gjuhësore qenë së pari vetë anëtarët e gjinisë së vet, e mandej edhe familjet që e rrethonin, të cilët i takonin po të njëjtës landorësi gjuhësore. Shtegtimet e tij, sikundër vërehet edhe nga Saga, ishin vizitat në gjininë e njerëzve të s’amës, apo shpërnguljet për në banet e kullosave verore. Këto troje gjuhësore i takojnë Bjeshkëve të Shalës, të cilat kufinojnë me krahinën e Shkrelit, por edhe gjithë zonës bregdetare në veri të Bregmatës, ndaj për pasojë modelet mbetën thuajse homogjene. Edhe kontaktet e para të tij me kulturën shkrimore dhe autorët e saj qenë sërish pjesë e këtij burimi të njëtrajtshëm. Nga dëshmitë e Sagës vërehen pikëpjekjet e tij qysh së vogli me fretnit françeskanë si Fishta e Harapi, të cilët kishin dëftuar përmes “Lahutës së Malcis” apo “Andrrës së Prêtashit”, se gjerbonin në të njëjtin burim idiomatik me te. E poashtu shokët e rinj të fëmijnisë së tij jashtë gjinie, del se janë sërish djemtë malsorë të kolegjave verore që këta fretën organizonin ndër bjeshkë.
Kjo periudhë, në pikëpamje gjuhësore, mund të vlerësohet si koha e “mbjelljes”, gjatë së cilës u ravijëzua edhe shtrati i dyfishtë, folklorik e i kultivuar, i idiolektit të autorit. Analizën e stadit nistor të tij mund ta përmbyllim me një kushtesë të Fishtës mbi ksomblën e “Lahutës” dhuruar 13-vjeçarit Zef Pllumi: “Kolegjalit të xenshem qi e din Lahuten permendsh”. Kjo kushtesë është tejet domethënëse sa i takon vlerësimit të tipareve të qenësishme që paraqet arketipi gjuhësor i autorit të Sagës.
 
Ka një kohë për me korrë...
Në një kuptim metaforik “korrja” shenjon stadin e ndërgjegjësimit, atë stad kur, sipas Foucault, Piaget, Vygotskij etj, një individ bën bilancin e modeleve gjuhësore të trashëguara e të zgjedhura, për të plazmuar me to profilin e vet ligjërimor. Siç ka dëftuar psikolinguistika, ky moment verifikohet pak a shumë rreth moshës njëzetë vjeç. Duke iu referuar autorit tonë, ai mbërrin këtë prag moshor të rëndësishëm në një moment ende më të rëndësishëm për Shqipërinë dhe Shqiptarët: në vitin 1944, kohë kur u instalua regjimi që përmbysi superstrukturën ekzistuese e tok me të, edhe krejt hierarkinë e vlerave të deriatëhershme. Përmbysja natyrisht që preku vlerat gjuhësore dhe ato shpirtnore. Kështu malet e rioshit tonë befas u shndërruan në “çerdhe të reaksionit”, doket e traditat e të parëve u servirën si “zakone prapanike”, Etnit si Fishta, Harapi e Kurti u anatemuan si “antikombëtarë” dhe “shërbëtorë të të huajit”, ndërsa gegnishtja e pa veten krejtësisht jashtë zhvillimeve shoqërore e kulturore. Me fjalë të tjera, shì në ato vite kur Pllumi veriak, në vazhdë të traditës albanologjike françeskane, do duhej të kish nisur të kontribuonte me profilin e vet gjuhësor, ai u shtrëngua të reshtte e të përjetonte se si shqipfolësve po u “sekuestrohej” pa të drejtë kthimi jo vetëm gjuha amtare, por krejt baza historike e shqipes zyrtare. Ideja e dhunshme e Stalinit, sipas së cilës “fitorja botërore e socializmit do të sjellë edhe shfaqjen e një gjuhe të vetme ndërkombëtare”, u bë motoja e totalitarizmit gjuhësor në Shqipëri, e mohimit të të drejtave gjuhësore, kinse në emër të unifikimit në një gjuhë të vetme për të gjithë. Mirëpo siç thotë Barthes “pikënisja e çdo vrasjeje të përligjur është t’i vjedhësh dikujt ligjërimin në emër të vetë ligjërimit”. Ky sekuestrim gjuhësor, i drejtuar nga vetë makina e shtetit, zgjati plot katër dekada, dhe efektet e tij u bënë gjithkund të dukshme: fillimisht në agrafinë e vetë gegëfolësve e mandej në agrafinë, afazinë dhe aleksinë e të gjithë shqiptarëve ndaj koinesë gege.

Në fillim të viteve Nëntëdhjetë, kur u duk se ranë muret ideologjike, bashkësia shqipfolëse vijoi të mbetej peng i këtij apartejdi gjuhësor, e për rrjedhojë edhe i një segregimi kulturor e shpirtnor. Në 1993, duke dëshmuar vlerat e njimendta në “Visaret e Kombit”, Zef Pllumi shkruante: “Mjerisht inadi sektar per gegnishten, si edhe lufta e vazhdueshme që u bahej virtyteve të lashta të Besës e Burrnis, të cilave aty u kndohet, e kanë lanë këte kryeveper krejtsisht të panjoftun në inteligjencjen shqiptare. Rrallë ndonji shkrimtar i Realizmit Socialist e ka qitë prej vorrit eposin sa me dhunue eshtnat e t’parëvet e ato virtyte që dikur karakterizojshin këte popull”.
Njëlloj si Camaj ai konstatonte se “lahuta ka mbetë varë në tra / mixha ka vdekë, e nipat s’po dijnë me i ra”. Mes së djeshmes dhe të nesërmes ndehej kërcënueshëm e tashmja; por edhe mes Malsisë dhe qytetit nuk kishte më komunikim, gjuha artificiale e letrës, e prodhuar për një tjetër kohë e për të tjera qëllime, tash i ndante shqiptarët mes vedit në hapësirë dhe në kohë. Siç vëren me të drejtë A. Vehbiu “moskuptimi që ngre ndonjëherë krye midis shqiptarit të urbanizuar e të alfabetizuar dhe malësorit ‘të pagdhendur’ nuk është thjesht dialektor, as ka të bëjë vetëm alfabetizimin; por lidhet sidomos me rolin e ndryshëm të kulturës gojore në sistemet perceptive të njërit e të tjetrit. Në këtë aspekt, mbijetesa e përmasës gojore është gabim të perceptohet si shenjë e një primitivizmi shqiptar që do korrigjuar pa vonesë. Epika gojore e Veriut e ka luajtur rolin e vet kulturor organizues të bashkësive më mirë ç’do ta kishin ruajtur shkollat, manastiret dhe administrata; vetë fjalët e urta, gjëzat, shprehjet idiomatike, rrëfenjat e kanë riprodhuar shqiptarësinë më mirë se ç’do të kishin bërë librat e të tjera dokumente të shkruara, sikur të ekzistonin”.
Në mbarim të kohës së keqe u pa se lidhjet e shqiptarëve me kulturën e tyre trashendentale ishin bërë tejet të brishta, ndaj vështirë se mund të garantonin një vazhdë moderníe autoktone. Duhej ndërmarrë pra, ringritja kulturore dhe shpirtnore e kombit shqiptar. Afërmendsh përmbajtja e kësaj ringritje do të rridhte nëpër fundalin historik e letrar, por morfologjia e këtij fundali – forma gjuhësore e kësaj përmbajtje – kishte po aq peshë sa vetë kumtet e saj. Në fund të fundit vetë kjo formë ishte një kumt. Një përmbajtje e lirë, sikundër lypej, nuk mund të ngallmohej brenda një forme të paçliruar.

Kush ndërmerr misione të tilla me impakt kombëtar, natyrisht ka dilemat e veta. Besojmë se dilema e padër Zefit lidhej me përshkallëzimin e lirisë. Në ag të viteve Nëntëdhjetë vetëdija jonë kombëtare, e veçuar kaq kohë nga bota, e troshitur prej gjithfarë profecish të rreme, ishte kthyer thuajse në stad fëminor. Si dhe sa do t’i kuptonte ajo kumtet e lira? At Zef Pllumi kish mbetur i mbrami ndër shokë, ndër t’paktët që kishte tagër dhe mundësi ta synonte këtë hap. I pajisur me përvojën e ndeshtrashava kulturore të viteve Tridhjetë, dëshmitar i disa epokave njëherësh, falë vetë fëmijërisë, rritjes dhe motnimit të tij, i qartë falë thelbit françeskan, që njohu më mirë se kushdo shtigjet për me mbërritë te shpirti i shqiptarëve, padër Zefi përcaktoi n’ato vite profilin gjuhësor e kulturor të komunikimit të tij me ne. Kështu gjithë Shqipëria lexoi, e madje me një frymë, librin e paçmuar “Rrno për me tregue”.

 faksmile

Ka edhe një kohë për me ushqye...
Siç u cek qysh në fillim, idiolekti i Zef Pllumit paraqet në diakroni të vet shenjat e një arkaicizimi të lehtë porse të vijuar të formës letrare nga vepra në vepër, deri tek Saga, e cila, si shkrim i mbramë, përfaqëson njëherit edhe stadin përmbyllës. Duke njohur tiparet e të folmes së Malsisë Madhe dhe gjuhën e Fishtës, Bardhit, Gjeçovit etj, themi se këto elemente arkaike, s’janë tjetër veçse sythe nga vetë arketipi i autorit. Por evolucioni i tyre tejet gradual e i pandalshëm len të kuptohet se kjo ecuri nuk është aspak e rastësishme. Në afro 16 vjetët e kontributit të vijuar letrar të Pllumit (1991-2007), jehu i arketipit haset në çdo stad të idiolektit, por ia vlen të ndalemi e t’i shqyrtojmë diakronitë e këtyre pranive në të katërta rrafshet gjuhësore (fonetik, sintaksor, semantik e leksikologjik).

Sa i takon rrafshit të parë, fonetikut, ai fillimisht paraqitet shumë pak i shenjuar nga arketipi. Natyrisht i përket koinesë gege, por paraqitet shumë i normalizuar në format e veta. Domethënë variacionet e hundorësive apo të diftongjeve, grupet “mb”, “nd” e “ng”, mjete këto për të cilat tradita e shkruar gege nuk rreket të përcaktojë forma të ngulëta, tek ky idiolekt shfaqen fillimisht në një formë të vetme. E mandej dorajdorën variacionet vijnë e shtohen; e përmes tyre vijnë e shtohen edhe veçanësitë morfologjike, derisa mbërrihet te Saga, ku bëjnë ballë dy a më shumë forma, fjala vjen “shkojsha, shkojshe, shkojshem”, të tria për vetën e parë të së pakryerës. Kjo zgjedhje duket vërtet e mençur. Lexuesi që i avitet shkrimeve të padër Zefit është edukuar vetëm me monolitizmin e formave standard gjuhësore, ndaj një larushì e beftë mund ta tëhuajëzonte atë menjëherë nga kjo formë gjuhësore; e për pasojë edhe nga përmbajtja e saj. Veç kësaj, si pasojë e apartejdit disadekadësh ndaj kulturës gegë, lidhja e shqipfolësve me gegnishten ishte si lidhja e një organizmi anoreksik me ushqimin. Zef Pllumi e ndjente se, në këto kushte, rimëkëmbja e lidhjeve duhej kryer ngadalë, por vijueshëm.

Rrafshi i dytë, sintaksori, paraqitet qysh në fillim disi më arkaik se fonetiku, por edhe aty, hasim së pari një mixt-code midis gjuhës së shkruar e asaj të folur, e vetëm më pas epërsia e rendit të folur fiton truall, vepër pas vepre. Deri sa mbërrihet në një konstrukt makrosintaksor ku ndërkëmbehen e bashkëjetojnë krejt në harmoni edhe ndërtimet sintaksore të letërsisë klasike gege, edhe ato të gojëdhanave, proverbeve a legjendave. Duke vërejtur prirjet e sotme sintaksore të ligjërimeve shqipe, vërejmë se ato rezultojnë të tipit nistor të këtij idiolekti, pra një mixt-code mes shkrimit dhe të folurit. Sintaksa burokratike e standardit të paraviteve Nëntëdhjetë thuajse nuk haset më gjëkundi. Ky përkim na shtyn të mendojmë se autori ynë e ndërtoi modelin e vet sintaksor mbi atë çka masivisht ende nuk ishte dhe u shty drejt një ekuilibri me gjurmën e tejshkuar të sintaksit shqip, gjithë në dashjen për t’i grishur edhe lexuesit të ndorojnë modele të tilla simbiotike.

Sa i takon semantikës, kjo paraqitet gjithkund thuajse konservatore. Një paraqitje e tillë është mëse e kuptueshme pasi gjuha nuk formëson mendimin, ajo është vetë mendimi, vetë psika kolektive e trashëguar përmes e kuptimësive të saj. Po japim një shembull tipik të këtij konservacioni semantik. Tek kapitulli “Rrêna e parë”, autori difton për zemërimin që kish ngjallë tek e ama me këtë gjest, e mandej përshkruan si u mundua i jati ta paqtojë duke i dhuruar një “kingj lara-lara bardh e zi”. N’atë çast mbrrin fill shpotia e s’amës: “Po i bane bashkë dy laramanat, na qesin shpijet!”. Lexuesi i sotëm e ka thuajse të pamundur ta rrokë menjëherë kumtin e kësaj fjalie, pasi do t’i duhej më parë të përcaktonte dy domethënëniet kontekstuale të verbit “laraman”, ku siç vihet re, sot kemi një kuptim të drejpërdrejtë (që cilëson qingjin) dhe një metaforik (që cilëson fëmijën). Sa i takon të dytit, N. Gazulli, në fjalorin e vet me fjalë e shprehje të rralla të Shqipërisë së Epërme, regjistron: “me laramanue: me falsifikue, m’u shtirë me fjalë”, pra me rrejtë. Fjala “laraman” sikundër dihet, u përdor edhe në kohën e konvertimit fetar të popullatës arbnore për të shenjuar kriptokatolikët, pra ata që u shtrënguan të deklamonin ndryshe nga ç’besonin. Te ky fjalor nuk del verbi “laraman” për të shenjuar bagëtinë e larme, për të cilën regjistrohet verbi “laran: i larëm, larosh (për qên e bagëti)”. Shembuj të tillë të konservacionit semantik janë vërtet të shumtë dhe hasen në gjithë diakroninë e idiolektit.

Sa i takon repertorit 16-vjeçar të leksikut, ai mbetet gati gjithnjë larg konservacionit, me përjashtim të Sagës, ku ka një shtim të beftë të leksemave arkaike. Kjo është mëse e kuptueshme po të kemi parasysh parimin “les mots et le choses”. Përditshmënia e jetës së maleve kërkon ligjërimin e vet, dhe padër Zefi len t’i burojë vetiu ky arketip gjuhësor. Vetë konteksti i kësaj vepre, i ndryshëm nga të tjerat, sjell me vete edhe një tjetër atmosferë leksikore nga ç’jemi mësuar të përftojmë deri më tash prej autorit. Kështu, në repertorin e leksemave të këtij idiolekti shfaqen befas shenjues tipikë të Malsisë si tojë, sakicë, prozhem, kakì, shtrungë, gerdhatë, molike, toprak, ndore, rrunak, shimrijak, mjeder, ferlik, teste, rangë, bludë, saranxhë etj. etj. Përndryshe, leksiku i Zef Pllumit është në përgjithësi një leksik modern, larg arkaikes, në dashjen për të qenë sa më i kuptueshëm nga lexuesit.

Ç’e shtyu At Zef Pllumin të planifikojë për shqipfolësit një “ushqim” të tillë gjuhësor, i cili, i shqyrtuar sot në përmbyllje të vet, rezulton ndër më sistematikët, për të mos thënë ndër të vetmit? E po ashtu e bëri masivisht të lexuar këtë autor gegë, diçka fort e rrallë kjo në ditët e sotme. Besojmë se kanë qenë dy arsye, e që të dyja lidhen me vetëdijësimin e tij në dy periudha të ndryshme të kohës së “korrjes”. SË PARI do theksuar se kolegjali e mandej frati Zef Pllumi pati për habitat kulturor Kuvendin Françeskan, thënë ndryshe akademinë supreme të mendimit gjuhësor, truall i cili ushqeu me vlagën e vet edhe mendjet më të mbara të gjuhësisë sonë progresiste. Sa i takon shqipes, ai u gjend mes dy shkollash të ndryshme mendimi, mes atyre që vinin nga shkollimi i traditës austro-hungare të Bosnjes si Gjeçovi, Bardhi, Fishta etj., e që tërhiqnin për nga një gjuhë më burimore, dhe mes atyre si Rrota e Dema (nëse nuk zemë ngoje Gazullin i cili studjonte në Bibliotekën Françeskane në Shkodër), që vinin drejtpërdrejt nga shkollat austriake e që i jepnin më shumë peshë normalizimit dhe gramatikëzimit. Pas viteve ’90, i mbetur i mbrami ndër ta, Pllumi i ndërthuri sa mundi këto dy shkolla, duke përcaktuar kësisoj qysh në fillim brenda vetes edhe tiparet e stadit final që do të kish pasë idiolekti i tij.

Martin Camaj, në esenë e shkurtë analitike “Mbi funkcionin e gjuhës së Nolit dhe Konicës”, heton nga një këndvështrim formalist, pra gjuhësor, arsyet e lidhjes së fortë që patën këta dy shkrimtarë me lexuesit. Në përfundim Camaj shkruan se “si Noli ashtu dhe Konica kaluen pjesën ma të mirë të jetës jashtë Shqipnisë. Shkrimet e tyne ishin të drejtueme bashkatdhetarëve në diasporë, kryesisht shqiptarëvet të Amerikës. Ata tue shkrue patën para sysh gjithnji që të ishin të kuptuem nga gjithë shqiptarët. Këtij qëllimi ja arritën me nji përqindje të naltë. Rruga që ata ndoqën qe kjo: ata zgjodhën forma të rrafshta stilistike, u larguen me qëllim nga variantet e shumta të leksikut nëndialektor të formave morfologjike të rralla. Pa ditë ndoshta, i u përmbajtën disa principeve, ndjekja e të cilave çon drejt nji unjisimi gjuhësor”. Sikuse shihet, filozofia gjuhësore e zgjedhur nga Noli e Konica, përkon në masë të madhe me ato parime idiomatike që vihen re tek At Zef Pllumi.

Natyrisht te ky i fundit gjendet, siç u pa, edhe diçka më tepër, gjendet grishja drejt modeleve tona bazike gjuhësore, drejt gjuhës së maleve. Prania e këtij elementi shtesë është mëse e kuptueshme në kohë si kjo e sotmja kur duhet rivendosur komunikimi ndërkulturor kombëtar. SË DYTI, sa i takon trajektores së këtij idiolekti, kush e ka njoftë padër Zefin, mundet të dëshmojë se ai shikonte tek edukimi rrugën e vetme dhe fuqiplote për të mbërritë progresin. Jo verdiktet, jo ligjet, jo masat shtrënguese, por edukimi! Ndaj me gjasë zgjodhi ta dëshmojë këtë besojmë vetjake përmes shtegtimit të ngadaltë retrospektiv të formës së tij gjuhësore. Dhe vërtet, çdo shteg tjetër jashtë edukimit demokratik, vështirë të japë rezultat të mbarë në punë të gjuhës dhe të mos sakrifikojë pjesë nga trashëgimia apo modernia e saj. Në çdo rast, ose planfikimi gjuhësor do të rrezikojë të sillet si ato regjime politike të cilat mëtojnë të çstalinizojnë një sistem po nëpërmjet metodash staliniste, ose do të rezultojë një ndërhyrje me synim demokratik, e cila rrezikon të kryhet në mënyrë burokratike, pra larg realiteteve të përdorimit. Vetëdija e At Zef Pllumit, atij që “rroi shumë shekuj”, u ngrit mbi të tilla gjeratore.

Pas gjithë sa u shqyrtua më sipër, mund të pohohet pa droje se ekzistenca e vërtetë e një gjuhe, e cilësdo gjuhë, nuk garantohet thjesht nga fakti se ajo qenkësh trashëgim i të parëve. Ky cilësim është një qasje metafizike, ndaj nuk i shkon aspak për shtat institucionit-gjuhë. Mjeti i përbashkët komunikues i një bashkësie rron për sa kohë ripërkufizohet pareshtur në continuum-in e tij. Siç vëren L.J. Calvet te “La guerre des langues”: “frengjishtja apo spanjishtja janë në fakt latinisht, ndonëse një latinishte e shtrembëruar nga pesëmbëdhjetë shekuj përdorimi popullor, e shqiptuar nga njerëz të pagdhendur të mësuar me të tjerë tinguj dhe e përshtatur me të tjera zakone sintaksore. Një latinishte pra bastarde, e dialektizuar, e mbushur me huazime nga gjuhë të tjera dhe e bërë kështu e panjohëshme, por që gjithsesi latinisht mbetet. Gjuhët e cilësuara si të vdekura nga fjalori jetojnë ende sot, dhe ne i flasim ato përditë: arabishtet e folura në rrugët e Fesit apo të Tunizit janë vazhdimësi e arabishtes klasike, madje dhe greqishtja më demotike s`është veçse një zgjatim i greqishtes së mesme”.

Gjallim i një gjuhe pra, don të thotë evolucion i trashëgimisë gjuhore, çka nënkupton se ligjërimi i një bashkësie ngërthen doemos në vetvete identitetin e dyfishtë të së shkuarës dhe të së nesërmes. Nëse jetën e natyrshme të shqipes sonë e sodisim nën këtë dritë, mund të themi se gjuha që sekushi nga ne përdor, lypet të brendambajë kurdoherë nga njera anë shqipen që nuk është dhe nga ana tjetër shqipen që do të jetë. Çdo ligjërim efemer i së tashmes, kurdoqoftë kjo e tashme, duhet të përfaqësojë njëherit edhe atë shqipe që nuk flasim më, po edhe shqipen që ende nuk e flasim. Rëndom përdoruesit janë të pavetëdijshëm ndaj të tillë ngarkese të dyfishtë, ndaj edhe bien prè e politikave të zhdrejta gjuhësore, qofshin këto thyese apo të shtangëta. Ndërsa vizionarët, ata që e kanë kuptuar sa rëndësi ka përmasa trashendentale për një gjuhë e cila qendron në modernì të vijueshme, ata kurdoherë synojnë ta ngjizin të tashmen fluturake me tharmin e dyfishtë të një gjuhe të premtuar. E në këtë mision, sa gjuhësor aq edhe shpirtnor, At Zef Pllumi rezulton të ketë qenë njimend vizionar i pashoq.

Do thënë se ky vend i ka pasë gjithnji vizionarët e vet, ata që duke u ngritë mbi përmasën e kohës, kishin fituar vetëdijen se, në një botë pragmatiko-globale, sjella kulturore e shqiptarëve duhej të vendoste lidhjen mes lashtësisë e modernisë së saj. E megjithatë shumë syresh kanë humbur nëpër labirintet e zgjidhjeve kur ka ardhë puna për t’i dhënë fjalës korp, pra për t’i shndërruar idetë në “ushqim” dhe ushqimin në energji. Padër Zefi nuk shkroi traktate të etikës kulturore e as hartoi strategji edukimi. I bindur, edhe për veten, mbi atë çka thosh gjithnji për të tjerët se “nji nieri asht vepra e vet”, ai veproi, duke sendërtuar kësisoj praktikën më të vyer të një edukimi gjuhësor demokratik, sa europian në qasje aq edhe shqiptar në rezultat. Qysh tash, çdo tryezë teorikësh që synon një edukim të përtërirë gjuhësor të shqipfolësve, e ka modelin e vet këshillues – sagën e pakohë të idiolektit të At Zef Pllumit, këtij të lashti mendimtar futurist.

* * *
Në përmbyllje të këtij shkrimi gjejmë me vend të sqarojmë se qëllimi i tij u kufizua vetëm tek shestimi i kontributit gjuhësor të At Zef Pllumit. Ky kufizim, i diktuar nga arsye profesionale, nuk duhet bartë mbi krejt kontributin shumëkrahësh të padër Zefit në dobi të qenies sonë në fillim të mijëvjeçarit të ri. Gjithkush e di tashmë se figura të tilla kombëtare kanë përmasat e vetë kombit, të cilit ata i shërbyen. Ndaj është njimend punë e zorshme të zgjedhësh cilës faqe të figurës së tyre prizmatike t’ja drejtosh shkulmën e dritës. Kur merr zemër të flasësh për At Zef Pllumin, përjeton njimend atë që pat shprehë ky autor në hyrje të shkrimit të vet për Gjeçovin: “Gjatë jetës së njeriut nji nder punët ma të vështira asht me folë per njerzit e mëdhaj ose, siç thojshin klasikët në antikitet, njerzit e vdekshem me folë per te pavdekshmit”.

Shkrimi u publikua sot (29.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

SHBA/ Dita e Falenderimeve, Trump uron amerikanët duke sulmuar demokratët: Gëzuar edhe ju që u përpoqët të shkatërronit vendin tonë

SHBA/ Dita e Falenderimeve, Trump uron amerikanët duke sulmuar demokratët: Gëzuar edhe ju që u përpoqët të shkatërronit vendin tonë