PRISHTINË - LDK duket se nuk e ka ndërmend të heq dorë në rishikimin e marrëveshjes së Bllokut dhe të marr postin e kryeministrit, pavarësisht se me marrëveshjen e 10 qershorit, Ramush Haradinaj është i nominuari i Bllokut për postin e kreut të ekzekutivit.
Sipas KosovaPress, zyrtarë të lartë të kësaj partie thonë se udhëheqjen e Qeverisë duhet ta marr LDK-ja konform madhësisë që ka dhe duke qenë se Kryetarin e Kuvendit nuk do ta kenë, meqë ai post i takon PDK-së, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Nënkryetarja e LDK-së, Teuta Sahatqija në një intervistë për KosovaPress, thotë se meqenëse Gjykata Kushtetuese ua pamundësoi zbatimin e plotë të marrëveshjes, u detyruan të kërkojnë rishikimin e saj. Sipas saj, në këto zhvillime të reja, LDK-ja është ajo që duhet të marrë qeverisjen e vendit.
"Pasi Gjykata Kushtetuese e pamundësoi zbatimin e plotë të Marrëveshjes, ne u detyruam të kërkojmë rishikimin e saj dhe të krijojmë hapësirë për funksionalizimin e institucioneve. LDK konform madhësisë së vet, në këto rrethana të reja, duhet të marr edhe përgjegjësinë në qeverisjen e vendit", tha Sahatqija.
Sahatqija thekson se e rëndësishme është të vendosen themelet e një qeverisjeje të mbarë dhe se emrat e përveçëm në këtë çështje, nuk janë të rëndësisë primare.
E pyetur nëse në strukturat e partisë e kanë shqyrtuar emrin e Lutfi Hazirit, për kryeministër, meqë është përfolur në media, Sahatqija thotë se aktualisht nuk ka emër tjetër nga LDK-ja përveç Isa Mustafës për postin e kryeministrit.
"Sa i përket emrave të përveçëm nga LDK duhet ta dimë se ne deri me tani kemi nominimin e Z. Mustafa për Kryeministër dhe çfarëdo ndryshimi eventual duhet të kalojë nëpër filtrat e strukturave", thotë ajo.
Edhe Sahatqija thekson se kërkojnë që të enjten të përfundojë seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Sipas saj, tashmë nuk ekziston as edhe një pengesë për mbajtjen e seancës. Thotë se presin që Flora Brovina dhe PDK të jenë konstruktiv dhe të mundësojnë funksionalizimin e institucioneve.
Kosova ka hyrë në muajin e gjashtë pa institucione. Fillimisht Isa Mustafa ishte kandidati i Bllokut për kryeparlamentar. Më pas, Blloku mori vendim që, pas pesë muajsh që nga mbajtja e zgjedhjeve, të heqë dorë nga ky post duke vendosur që të votojnë kandidatin e PDK-së për kryekuvendar. Megjithatë, Blloku vazhdon të insistojë që shumica parlamentare që ata kanë, duhet të formojë Qeverinë e re. /ATSH/











