Saimir Kumbaro: Topalli
refuzoi filmin për të pushkatuarit

Saimir Kumbaro: Topalli <br />refuzoi filmin për të pushkatuarit
Martirët", dokumentari i regjisorit Saimir Kumbaro me skenar të Uran Butkës, pas shfaqjes së të vetmes premierë në datën 11 prill në Akademinë "Marubi", po has në një indiferencë shtetërore dhe në barriera organizative për promovimin e tij. I pyetur nga Shqiptarja.com pse është shprehur që ky film duhej shfaqur edhe në Kuvend, Kumbaro rrëfen se nuk ka qenë kjo dëshira e tij, por ka dashur që dokumentari të shfaqet në një plan më të gjerë kombëtar. Dëshira e regjisorit Kumbaro ka qenë që premiera e dokumentarit të shfaqej në një nga kinematë më të mira kryeqytetit. Ai shprehet se vetë kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, nuk i ka dhënë mundësinë "për të inventarizuar një aktivitet politik antikomunist në favor të palës që i përket". Indiferenca e zonjës Topalli regjisorit Kumbaro nuk i ka lënë "përshtypje të mirë". Sipas regjisorit "kjo pjesë e historisë dhe filmat në lidhje me të kanë qenë tabu, ndaj është një pjesë që tashmë duhet thënë". "Martirët" shfaqi pjesë të panjohura nga gjyqet e diktaturës 1945-1947, të marra nga arkiva e Ministrisë së Brendshme. Dokumentet e përdorura për filmin treguan me fotografi konkrete sesi janë përdorur torturat fizike dhe psikofizike, si futja e hekurit të skuqur në kockë, mbajtja varur, mbajtja në qeli me ujë në mes të acarit, si dhe edhe skena nga gjyqet spektakolare të dënimeve me vdekje të intelektualëve demokratë. Regjisori thotë se Martirët" është një homazh për ata që guxuan të ngrenë krye kundër diktaturës dhe "lënda filmike kishte të bënte me ish-deputetet e Kuvendit të Shqipërisë që sistemi komunist i pushkatoi dhe ekzekutoi.

Te cilat materiale arkivore keni synuar më tepër për të bërë dokumentarin "Martirët". Pse?
-Nisur nga skenari i Uran Butkës i hyra një pune përgatitore dhe studimore. Ishte një lëndë që nuk e njihja. Në arkivin e MPB-së gjeta dosjet dhe protokollet e atyre qyqarëve që guxuan të ngrenë zërin për një sistem demokratik në Shqipëri. Kjo gjë cenonte pushtetin e E. Hoxhës.

A keni pasur ju kujtime ose lidhje të drejtpërdrejta familjare me gjyqet e diktaturës të viteve '45, '46, '47?
-Në përgjithësi jo.

Cilat janë ato detaje filmi më të spikatura që tregojnë zanafillën e instalimit të diktaturës në vendin tonë?
-Jam bazuar në materialin dokumentar dhe sidomos atë vizual, siç janë fotografitë, për shkak se filmime të gjalla nuk m'u desh që të bëja. Në bashkëpunim me montazhierin arrita të përdor mjetet kinematografike për të mbuluar këtë boshllëk. Nëse e keni vënë re, dokumentari fillon me një makine shkrimi. Hetuesit e përdornin atë për të mbajtur raportet e tyre. Me atë makine shkruheshin dëshmitë, ekzekutimet, fjalët e të akuzuarve, gjithçka. Pastaj nëpërmjet shtypit të kohës publikoheshin në popull. E gjitha kjo kishte një qellim: populli të rrinte urtë. Një tjetër element zanor është përdorimi i zhurmave dhe krismave të pushkëve. Te gjitha këto pasurojnë kolonën zanore dhe përcjellin tek spektatori emocion.

Ju keni pohuar se viktimat e para ishin 60 personalitete, të cilët ishin me shkolla të larta, por mes tyre kishte dhe bashkëpunëtorë me pushtuesin. Për kë e keni fjalën konkretisht?
-Duke lexuar akt-akuzat që u bënë nga prokurori Gjeneral Bedri Spahiu, shumica prej të dënuarve në Gjyqin Special u quajtën tradhtarë dhe bashkëpunëtorë me okupatorin. Është detyrë e historianëve të gërmojnë nëpër arkiva dhe dëshmi që të vërtetojnë se çfarë krimesh bëri Fejzi Alizoti, aso kohe Ministër i Financave apo Bahri Omari, ish-ministër i punëve të jashtme në kohën e pushtimit nazist. Në qoftë se bashkëpunimi mes tyre dhe gjermanëve i ka sjellë dëm popullit atëherë vendimi i gjykatës speciale me në krye gjeneralin Koci Xoxen me tre klasë fillore quhet i drejtë. Përfitoj nga rasti të citoj fjalët e avokatit mbrojtës Myzafer Pipa, i cili iu drejtua trupit të Koçi Xoxes: Ti nuk e ke përgatitjen e duhur për të gjykuar këta njerëz...
Koci Xoxe u hakmor në mënyrën më të tmerrshme. Komunistët e arrestuan M.Pipën, i cili dha shpirt nga torturat fizike që xhelatët ushtruan mbi të. Nga dokumentet del se janë përdorur 18 lloje torturash nga më çnjerëzoret. Zor që një i akuzuar të mos pohonte "krimet" që kish bërë kundër pushtetit popullor.

Në dokumentar tregohen disa nga torturat e përdorura. Cila është ajo lloj torture që ju s'e kishit imagjinuar kurrë?
-Nga dokumentet arkivore lexon që xhelatët përdornin si mjete torture hekurin e skuqur që ia depërtonin deri në kockë, rrahje me dajakë, futjen e maces në çitjane (kjo lloj torture është bërë me vajzën e diplomuar në Rome për letërsi Musine Kokalari. I linin lakuriq në qeli me ujë në muajt e ftohtë për ditë të tëra. I linin varur me duar të lidhura prapa kurrizit deri sa të dilnin shpatullat vendit. I linin të uritur me ditë të tëra, pa bukë e ujë, shkulje thonjsh, detyrim të pinin urinën e tyre dhe shumë të tjera të importuara nga Bashkimi Sovjetik i Stalinit dhe Jugosllavia e Titos.

Para premierës jeni shprehur se do ta shfaqni dokumentarin edhe në Kuvend. Pse, dhe a do t'ua plotësojnë këtë dëshirë?
-Nuk kam pasur kurrë synim të shfaq filmin në Kuvend. Nuk është sallë e përshtatshme nga ana teknike. Ajo është sallë për mbledhje ose më mirë po them se i ngjan një ringu boksi, ku secila palë i tregon publikut se cili nga përfaqësuesit e popullit është më i fortë. Kur shoh arkivin tim të viteve më parë shoh se deputetet tanë boksierë janë po ata. Asgjë nuk ka ndryshuar. Sharje zënka, fyerje sa të vjen keq kur mendon se cilët janë ata që bëjnë ligje. Personalisht ndjej keqardhje kur i shoh këta komedianë që fyejnë njëri-tjetrin duke harruar se janë përballë dhjetëra mediave që përcjellin në popull hyneret e tyre. Përfitoj nga rasti të citoj fjalët e mençura të një mirditori: "Sipas vendit bëj kuvendin. Në kuvend mbaj vendin. Në kuvend ruaj dhe rendin dhe kuvendo kur të përmendin." Në sallën e Kuvendit shikojmë kuvendarë që fyejnë, çirren bërtasin duke harruar se sa dëm i sjellin publikut...
Në lidhje me pyetjen tuaj për organizimin e premierës them se e kërkova organizimin e saj nga kryetarja Topalli për t'i dhënë një mundësi të inventarizonte një aktivitet politik antikomunist në favor të palës që i përket. Indiferenca nga ana e saj nuk me la përshtypje të mirë. Ne që merremi me artin e shtatë jemi sensibël dhe të ndjeshëm kur shohim se aktorët e politikes shqiptare janë të pavëmendshëm ndaj artit. E theksoj se nuk kam kërkuar të ma shfaqin filmin në Sallën e Kuvendit.
Cila ka qenë në të vërtetë dëshira juaj për vendin e shfaqjes së kësaj premiere?
-Salla e Kuvendit nuk është e përshtatshme për projeksione filmi. Dëshira ime ka qenë që të shfaqej në një nga kinematë kryesore të kryeqytetit dhe do të qe mirë që organizimin e saj ta bënte kuvendi për shkak se lënda filmike kish të bënte me ish-deputetet e Kuvendit të Shqipërisë qe sistemi komunist i pushkatoi dhe ekzekutoi. Nisur nga fakti që zonja Topalli i organizon shpesh këto evente mendova që edhe në këtë rast do qe në agjendën e saj organizimi i premierës së dokumentarit "Martirët". Kaq!
Detyra ime që të realizoj një dokumentar ku publiku të informohej për bëmat gjakatare të diktaturës. Në fund të fundit do të shkruhej nëpër ftesa apo postera fjalia e zakonshme " Nën kujdesin e kryetares se Kuvendit të Shqipërisë zonjës Jozefina Topalli. Në fakt zonja Topalli nuk ka treguar asnjë interes për këtë realizim. Që herët i kam kërkuar bashkëpunim zyrës se kuvendit duke menduar se në arkivin e saj mund të gjendej diçka por me përjashtim të një CD-je që nuk kish lidhje me temën që do trajtoja asgjë tjetër. Edhe njëherë theksoj se nuk është në tagrin e kuvendit të organizoje premiera filmash, spektaklesh apo ku unë se çfarë. Është bërë mode që nëpër ekrane të shkruhet: Nën kujdesin e këtij apo atij.. Nuk ka pse të kemi kujdestarë. Edhe në kohën e "Lugatit" nuk shkruhej kurrë fala servile "Nën kujdesin ...." Nuk e kuptoj çfarë shërbimi i bën titullarit!
Gjithsesi, në rast se zonja Topalli dëshiron ta shohë filmin, mund t'i dhuroj një kopje për të pasuruar arkivin e Kuvendit të Shqipërisë. Besoj se do t'i vlejë të informohet për bëmat e xhelatëve të kuq ndaj një grupi deputetësh të legjislaturës së vitit 1945.

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza