Saimir Pirgu cilësohet “Ylli
i Rigoletto-s së Zyrihut”

Saimir Pirgu cilësohet “Ylli <br />i Rigoletto-s së Zyrihut”
TIRANE - Kanali Televiziv Kombëtar Zviceran SRF i ka kushtuar një reportazh special “yllit të operës” Saimir Pirgu”, më 4 shkurt, të nesërmen e shfaqjes së “Rigoletto”-s në Operën e Zyrihut. Tenori Saimir Pirgu ka luajtur rolin e Dukës së Mantovës në Operën “Rigoletto” të Verdit, ku është rasti të kujtohet edhe 200 vjetori i lindjes së kompozitorit të madh. Opera u shfaq më 3 shkurt dhe të nesërmen Televizioni Kombëtar Zviceran SRF prezantoi suksesin e Operës “Rigoletto” në Opernhause, Zyrih, duke vlerësuar në plan të parë tenorin shqiptar Saimir Pirgu. “Opera “Rigoletto” e Verdit konsiderohet ndër më të njohurat dhe njëherësh më të vështirat në literaturën muzikore botërore”, thotë gazetarja e TV SRF, ndërsa vlerësimi për Saimir Pirgun shprehet qartë edhe në titullin me të cilin prezanton ajo reportazhin televiziv, “Saimir Pirgu ylli i Rigoletto-s së Zyrihut”.

Reportazhi hapet me temën e suksesit të jashtëzakonshëm të operës Rigoletto në Operën e Zyrihut, dhe ndërsa prezantuesja flet për këtë sukses dhe vlerat e “Rigolettos”, titrat shkruajnë: Intervista me Saimir Pirgun, “Opernstar in Rigoletto at Opernhaus Zürich” (ylli i operës në operën e Zurihut). Ndërkohë, duke e pasur Saimir Pirgun në fokus të kamerave, prezantuesja thekson meritat e tenorit shqiptar për të cilin thotë se “nuk është e lehtë të marrësh përsipër “Rigoletto”-n, por për tenorin shqiptar Saimir Pirgu kjo është gjëja që ai di t’ia dalë gjithmonë me sukses”. I intervistuar nga Televizioni Kombëtar zviceran SRF, Saimir Pirgu shprehet se “jam në një presion të madh dhe sigurisht emocionet janë të mëdha, sepse të gjithë e njohin këtë arie të famshme të Verdit dhe do të doja të tingëllonte bukur”. Prezantuesja shprehet se “mënyra si tingëllon kjo arie e kënduar nga Saimir Pirgu është shumë klasike në kundërshtim me inskenimin”, ajo sqaron se mënyra e interpretimit të Saimir Pirgut ka shumë klas, në krahasim me veshjet skenike dhe skenografinë e sjellë ndryshe nga sa është traditë në teatrin operistik. Ndërsa prezantuesja me pak fjalë rrëfen historinë e “Rigoletto”-s, për Televizionin SRF flet edhe regjisorja Tatiana Gurbaca”, e cila duke iu referuar konceptit regjisorial të saj regjisorial, bën një paralele me situatën politike në Europë, lidhur me çështjet aktuale që lidhen edhe me Berluskonin në Itali.

Gazetarja shprehet se “skena e kësaj opere është mjaft e ndjeshme dhe nuk ka munguar reagimi i menjëhershëm i publikut. Madje deputetit zviceran Moritz Leuenberger, ka mbetur i kënaqur nga suksesi i shfaqjes, duke e konsideruar një sfidë “si opera e vështirë”. “Një zotëri anglez, një korife i kritikës së operës”, sipas gazetares, Sir Peter Jones thotë se “Shfaqja nuk kishte vetëm klas, por ishte një mbrëmje gjeniale. E kishte të nevojshme publiku i Zyrihut një interpretim me nivel kaq të lartë. Kjo duhet për të treguar se një yll i botës operistike, mund ta bënte ndryshe”. “Kënga e Pirgut është një balsam i vërtetë për punën regjisores. Të kesh sukses një sukses të veçantë me “Rigoletto”-n në Zyrih është një sfidë, sepse është një nga veprat më të njohura në botën operistike”, komenton gazetarja e TV SRF.


Shfaqja “Rigoletto” në Zyrih

Në operën “Rigoletto” të realizuar në “Opernhaus” të Zyrihut krahas Pirgut kanë interpretuar edhe emra të njohur të botës operistike si Aleksandra Kurzak, që interpreton rolin e Xhildës, Rigoletton e luan Quinn Kelsey, ndërsa trupës i janë bashkuar edhe emra të njohur të muzikës serioze. Drejtuesi muzikor i këtij produksioni operistik është Fabio Luisi. Pas premierës, shfaqja do të ketë edhe gjashtë ringjitjeje të tjera në skenë, të gjitha brenda muajit shkurt. Shqiptari Saimir Pirgu luan rolin e Dukës së Mantovës.
  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ ‘Darka e fundit’ në Olimpikë, organizatorët kërkojnë falje! Thyhet rekordi i Tokios, 191 atletë pjesë e LGBTQ

Paris 2024/ ‘Darka e fundit’ në Olimpikë, organizatorët kërkojnë falje! Thyhet rekordi i Tokios, 191 atletë pjesë e LGBTQ