Saimir Pirgu: Premiera
ime në Arenën e Veronës

Saimir Pirgu: Premiera <br />ime në Arenën e Veronës
Çudisë sime për një intervistë të përcaktuar ditën e diel, tenori shqiptar Saimir Pirgu, i përgjigjet shpejt dhe me shumë argumenta. Së pari “Është ditë pushimi për njerëz normalë dhe jo për mua” thotë nga ana tjetër e skype- Saimiri. Ndodhet në Verona, të Italisë dhe kjo kuptohet që në fjalinë e dytë. “Jam para provës gjenerale sot. Është prova gjenerale e “Don Giovannit” në Arenën e Veronës”. Pikërisht sot në mbrëmje tenori shqiptar, i vlerësuar nga kritika si një rast i rrallë i ndërthurjes së cilësisë së zërit, ngjyrimit, interligjencës dhe pse jo bukurisë, do të këndojë në krah të një kasti shumë prestigjioz në skenat klasike botërore. Është premiera e operas “Don Giovanni”, në Arena, por është edhe performance e parë e Saimir Pirgut në këtë festival 90 vjeçar që do të ndiqet sonte në orën 21.30, nga 15 mijë spektatorë dhe do të transmetohet live në sky tv. Saimiri tregon: “Është një produksion nga Franco Zeffirelli dhe vihet për herë të parë në Arenën e Veronës ku bëhen gjithmonë opera si Aida apo Trovatore. Këtë herë kanë vendosur ta bëjnë “Don Giovannin” me një kast botëror goxha të madh ku protagonisti është Ildebrando D’Arcangelo. Eshtë një nga ato produksionet gjigande që po na merr tepër kohë dhe jemi në stres e sipër. Provat gjenerale fillojnë në orën 9.30 të darkës dhe mbarojnë nga ora 02.00. Është hapja e sezonit operistik, kështu që është shfaqje goxha e madhe.”

Vetëm për faktin që është një produksion botëror ndiheni I emocionuar apo ka dhe arsye të tjera?
 Nuk dua të lëvdoj veten se kudo ku shkoj janë të njëjtët njerëz, por rëndësia e kësaj shfaqjeje është se janë 15 mijë shikues dhe do të ketë një transmetim live në Sky Tv, kështu që përgjegjësia është më e madhe.Eshtë një numër më i madh spektatorësh. Kjo nuk do të thotë që kur je në La Scala apo në Metropolitan, nuk është e sikletshme. Kjo është shfaqje me siklet, por këto janë bërë pjesë e jetës sime dhe duhet t’i pranoj. Idea është që nuk mendoj për sikletet, por mendoj sesi të dal më mirë dhe t’i tejkalosh ato vështirësitë që kam. Për shembull gjumin, që e kam problem. Sot nuk kam fjetur sepse kisha miq në shtëpi, mbaruam vonë… Por njerëzit kur vijnë, duan nivelin e duhur pa e ditur se çfarë sikletesh ke pasur ti gjatë gjithë ditës. Këto janë bërë strese të përditshme.

Ju lodhin ndonjëherë këto sakrifica?
Ku ka më bukur sesa të bësh art në jetë. Në një mënyrë ose tjetër duhet të bëj diçka që të jetoj, ndërsa të bësh art sigurisht që është e lodhshme, por e dua, sepse është jeta ime, është mënyra për të siguruar të ardhmen, është krejt çfarë unë jam. Kështu që sado e madhe që të jetë lodhja dhe është e tillë, po ashtu edhe stresi është i madh, por e gjen forcën. E gjen në momentet e suksesit, ose në momentet e përgëzimit të kolegëve, të prindërve, të njerëzve që të thonë: “Faleminderit Saimir që bën këtë art!” dhe kjo të ndihmon më tepër për të ecur përpara. Është vërtet bukur sepse sot lodhesh, por nesër zgjohesh dhe ke vërtet dëshirën për të kënduar sërish. Dje mbarova provën dhe dëgjoja veten se çfarë kisha bërë në aparatin tim, duke kontrolluar deri në 04.00 të mëngjesit. Është mënyra e tillë e punës, që nuk të lëshon. Tani jam skllav i lumtur i zërit tim.

Do të jetë një version modern i operas?
Është e pamundur për një publik kaq të gjerë të bësh diçka moderne në arenën e Veronës. Je i detyruar që të kënaqësh publikun që paguan dhe që këkon të shohë dicka që ka lidhje direkte me operan klasike. Vijnë nga Gjermania, Franca apo Anglia vetëm për të parë një Don Giovani historik ashtu siç është… Dua të them që regjia pompoze e Zeffirellit i përmban të gjitha këto. Është një nga regjitë më të mëdha që është parë në arenën e Veronës, pothuajse një “Aida”.
Ju ngjiteni në Verona pas një interpretimi të vlerësuar makimalisht në Vjenë ku interpretuat Alfredon. A mund të konsiderohet ai një nga personazhet tuaja më të preferuara?
Është një nga rolet që unë këndoj më shpesh. Është një nga rolet që bëjnë pjesë në karrierën time dhe unë hap apo mbyll sezonet operistike, me të. Është një rolet që në këtë moshë të re që jam unë është i domosdoshëm në karrierën e një tenori kështu që jam mëse i kënaqur të këndoj Alfredon edhe një 10 vjet të tjera.

Udhëtimet e vazhdueshme, kanë edhe pjesën e lodhjes. Si e përjeton këtë mënyrë të të lëvizurit. A ke një vendbanim të përhershëm?
Jam qytetar i botës. U bënë minimumi 5-6 vjet që lëviz në këtë mënyrë. E kam harruar atë idenë fikse që të them se jetoj në Itali, apo jetoj në Vjenë apo në Amerikë. Jam gjithmonë në lëvizje. Kjo gjë edhe më pëlqen, edhe nuk më pëlqen. Më pëlqen nga një anë se jam kudo prezent në një vend dhe nga ana tjetër në pjesën e Saimirit normal apo Saimirit njeri është pak e vështirë; nuk ke miq, por familje e cila të them të drejtën, është me mua. Prindërit janë në pension tashmë, ndaj janë më të ngeshëm dhe vijnë më takojnë aty ku jam. Edhe ata preferojnë këtë gjë më tepër sesa unë të vij në Shqipëri. Kështu që jam mësuar tashmë e nuk më bën më përshtypje. Por është e vërtetë nëse do të mendoja për një jetë më të përqendruar diku do ta kisha vërtet të vështirë se cfarë do të zgjidhja, dhe ku do të qëndroja.

Përvec kësaj edhe krijimi i një familje do të ishte e vështirë?
Per  jetën e një artisti është e veshtire  Plus që njeriut që do t’i duhet të rrijë në krahun tënd, duhet të ketë durimin maksimal që të qendroj pas terë jetën , je në krye të vëmendjes gjithmon  dhe për një vit ose dy është mirë, por pastaj fillojnë problematikat…. Po nuk ishte nje lidhje e fort e bazuar mbi nje ndjenje te vertete, fiket si sjarri i rrembyer. Kështu që mendoj që tani është momenti që unë të vazhdoj në këto hapa që kam nisur.

Domethënë vajzat të shpresojnë ende…?
Vajzat janë pjesë e produksionit që unë bëj (qesh). Produksionet ndryshojnë dhe unë jam shpesh në qytete të ndryshme nëpër botë e në ambjente i rrethuar nga shumë mundësi (qesh)

Të gjitha gjërat me plan do t’i bëni?
Këto nuk kanë plan, sepse plani mbaron në momentin që mbaron produksioni. Është e ditur që unë do të shkoj në vend tjetër kështu që… …Ajo që do të meritojë planin do të marrë përsipër edhe paketën që ka plani (qesh)…dhe kjo është pak e vështirë të jesh në jetën e një artisti që lëviz si puna ime. Duhet shumë durim. Gjithsesi jam tepër i ri për të menduar për një gjë të tillë. Për mua  per momentin është  e rëndësishme të qëndroj dhe të bëj dicka qe une bej me  kenaqesi mesemiri sepse fati që kam është tepër i madh. Fatin që mund të kenë të tjerët për tu martuar është një gjë që çdonjëri mund ta ketë, por fatin që kam unë që të këndoj në të gjitha skenat e botës, është i pari. Për momentin është parësore aktiviteti që unë kam dhe nuk heq asnjëlloj mundësie që fati apo jeta mund të më sjellë.Po ndodhi do të jem shumë i lumtur….

Fundjavatkur nuk jeni në punë, si i kaloni zakonisht?
Pushimi është shumë i rëndësishëm. Heq kostumin e artistit dhe më gjen në vende ku nuk do ta mendoje se do të shkoja. Jam tepër i thjeshtë, nuk kam komplekse sepse jam rritur në një familje të thjeshtë. Kur iki nga bota ime e artit mbetem tek ata miqtë e mi, që unë dëshiroj kështu që edhe deti edhe plazhi bëhet nuk lë agjë mangut.

Do të bëni pushime këtë vit?
Këtë vit është tepër e vështirë. Kam një javë këtu një javë atje. Kështu që do t’i kaloj në shtëpi, pastaj do të shkoj Amerikë dhe mund të bëj pushime në San Francisco apo në Los Angelos. Do të jem duke kënduar në San Francisco në shtator e tetor dhe atje do të kem goxha kohë sepse është produksion i ri dhe do të jenë dy muaj prova. Do të kem mjaft kohë për të pushuar.

Cili është sipas jush publiku më i ngrohtë dhe i më ftohtë?
Publiku është thuajse i njëjtë, por ka përjashtime. Mua më ka ndodhur për shembull një gjë që nuk më kishte ndodhur tërë jetën. Ishim në një shfaqje në Athinë me Filarmoninë e Vjenës me “Cosi fan tutte”. Në aktin e dytë njerëzit u çuan dhe ikën, sepse kujtuan se opera kishte mbaruar. U çudita sepse ishte Filarmonia e Vjenës. . Nuk do të kishte ndodhur kurrë në Shqipëri sepse shqiptari është i etur nga kjo anë dhe ka aftësinë që të kuptojë çfarë është e mirë për publikun. Ndërsa spektatorët italianë janë pak më kritikë, sepse kanë artin e tyre dhe në çdo moment duhet të jesh shumë i përqendruar si nga ana vokale edhe nga ana diksioni, nga gjuha, janë shumë faktorë.

Si i merrni kritikat që ju bëhen të cilat duhet thënë se kanë qenë të gjitha mjaft pozitive. I përjetoni keq nëse kanë ndonjë qëndrim cinik apo dicka negative?
Gazetaria tashmë sidomos ajo artistike është në krizë. Të mos them që në shqipëri nuk ekziston absolutisht.  Por edhe këto këtej janë në një dekadencë tepër të madhe kështu që nuk i është dhënë ndonjë rëndësi kritikës. Por ka pasur shumë raste që kritika jepte një përqendrim të asaj çka mund të përmirësohesh. E vërteta është se në arte nuk ekzistojnë monumente kritikesh por vetëm artistësh dhe kjo kudo pa përjashtim. U jam përgjigjur shumë herë ashpër atyre që kritikojnë faktin që artistët me famë nuk vijnë më shpesh në Shqipëri. Kjo është një nga kritikat më në zë në Shqipëri që më drejtohen zakonisht. Por për të ardhur më shpesh duhen shumë gjëra që për momentin mungojnë. Të jemi realistë Shqipëria ka halle të tjera  për tu marrë me Operan gjerësisht, por sidoqoftë te respektohen ata që në njëfarë mënyre japin kontributin e tyre në këtë art, në një imazh të mirë do të ishte e udhes.  Ja një kritikë nga ana ime: Shqipëria ka etje për kulturë, për art, kinematografi, sport ,jetë qytetare që shpesh i zihet fryma nga politika lokale … kemi nevojë për më tepër  vlera dhe për më tepër vend në jetën e përditshme të intelektualëve të vërtetë që nuk u ndihet zëri këto vite…. dhe kuptohet mirë përse. 

 Ndoshta në një të ardhme ju mund të ngrini kompani teatrore qe sjellin frymën e re?
Nuk ka premisa që Shqipëria të bëjë një gjë të tillë. Shqipëria ka premisa vetëm të mbajë ato që ka dhe ta bëjë në mënyrë dinjitoze, duke ftuar njerëz nga e gjithë bota, siç e bëjnë vendet e vogla që nuk kanë artistë të tyre. Por ne kete rast ne ikemi si insituzionet e gjithashtu dhe artistet. Por na mungon nje meritrokraci qe te vendosë vlerat e vërteta  sepse e kemi të vështirë ta pranojmë se janë më shumë se sa Saimir, Ermonela apo Inva që kontribuojnë në art..

Vetëm në art?
Jo vetëm në art. Pikërisht kudo në artiktekturë, në shkencë, janë me qindra njerëz që japin doktorata në gjithë botën dhe nuk i ftojnë një herë në Shqipëri. Ka dy gjëra:janë disa që kanë ardhur, kanë studiuar kanë qenë askushi dhe janë bërë dikushi tani në Shqipëri, dhe janë disa që kanë punuar dhe jetuar më tepër  në Shqipëri dhe meritojnë më tepër nga se jane e  kanë. Nuk ka institucion që të vlerësojë vlerat e njerëzve. Vlerësohet një që nuk ka asnje lloj vlere dhe i jepet edhe çmimi i madh “mjeshtër” i nderit apo i punës o ku ta di une  dhe i njëjti cmim  i jepet Gaqo Çakos apo Nina Mules , që kane kane themeluar ne 40 vjet  teatrin e operas. D.m.th. është bërë një çoroditje vlerash në Shqipëri. Duket si një lojë apo agresivitet i tepruar në çdo lloj fushe. 

Shumë artistë të rinj shqiptarë po debutojnë në skena të huaja. Tregon kjo një bazë të mirë të shkollës shqiptare të muzikës?
Shqiptarët janë tepër të talentuar dhe shkolla nuk eshte e keqe, por ne jemi një popull dinamik dhe unik keshtu nuk e kemi te veshtire te na dëgjohet zëri . Problemi është tek respekti që krijon një vlerë më të qëndrueshme. Në Shqipëri duhet menduar për të ardhmen e një brezi që nuk duhet të mbetet pa identitet. Ata që mbeten në Shqipëri duhet të mendojnë jo që të mbijetojnë sic bëjnë tani, por të mendojnë për të ardhmen. Tashme  duhen bazat për çdo gjë. Kemi nevojë për një infrastrukturë të re,  në politikë, në art, në shkencë, në gazetari, në çdo fushë.

Duket se Shqipëria ju shqetëson shumë në këtë pikëpamje…..
Në pikëpamjen e intelektualitetit po. Eshtë koha për të ndryshuar …..

Intervista u bota sot në suplementin FUNDJAVA te Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Digjen 2 makina, 4 minuta më pas hidhet lëndë plasëse pranë një banese! Identifikohet njëri prej autorëve (EMRAT)

Shkodër/ Digjen 2 makina, 4 minuta më pas hidhet lëndë plasëse pranë një banese! Identifikohet njëri prej autorëve (EMRAT)