Saimir Pirgu rikthehet në
Operën e Los Anxhelosit

Saimir Pirgu rikthehet në<br />Operën e Los Anxhelosit
TIRANE- Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, tenori shqiptar Saimir Pirgu, është bërë pjesë e pazëvendësueshme e jetës muzikore si në Shtetet e Bashkuara ashtu dhe në vende të tjera të botës. Gjatë kësaj periudhe, publiku ka qenë dëshmitar i ngritjes profesionale të tij nga një këngëtar tejet i talentuar, por ende i papërvojë në një interpretues të staxhionuar të nivelit botëror.

Në sezonin aktual karriera e tij vazhdon të ngrihet përgjatë trajektores, e cila zuri fill nën drejtimin e dirigjentit Claudio Abbado. Gjatë karrierës së tij, shumë dirigjentë të tjerë kanë mbështetur dhe kanë ndikuar në zhvillimin profesional të Saimirit, por ndoshta askush më shumë se sa dirigjenti amerikan, dhe drejtuesi muzikor i Opera-s së Los Angeles-it dhe i festivalit Ravinia, James Conlon.

Ishte pikërisht ai që i mundësoi Saimirit debutimin në skenën amerikane, pikërisht në Operan e Los Angeles-it, në shtator të vitit 2008, me rolin e Rinuccio-s në operan “Gianni Schicchi” të Giacomo Puccini-t, me regji të regjizorit të mirënjohur, Woody Allen. Në shtator të vitit 2011, Saimiri do të interpretonte po me këtë kompani, rolin e Ferrando-s në operan “Così fan tutte”.

Saimiri ka punuar me Maestro Conlon edhe në festivalin Ravinia, (festivali më i vjetër muzikor në Amerikë që zhvillohet kryesisht në ambjente të jashtme, në formën e një serie koncertesh dhe shfaqjesh që jepen çdo verë nga muaji qershor deri në shtator). Në verën e vitit 2010 ai interpretoi në shfaqjen “Così fan tutte” si dhe do të rikthehet sërish këtë verë (14-16 gusht, 2014) me rolin e Don Ottavio-s në një opera tjetër të Mozartit, “Don Giovanni.” Ata kanë bashkëpunuar gjithashtu dhe në qershor të vitit 2013, në shfaqjen e Macbeth-it në festivalin artistik Maggio Musicale, i cili zhvillohet çdo vit në Firence dhe ku ndër të tjera shfaqet dhe një opera e famshme.

Tashmë, nën drejtimin e dirigjentit të mirënjohur amerikan, Saimiri rikthehet në Los Angeles në rolin e Edgardo-s në operan “Lucia di Lammermoor”, premiera e të cilës do të shfaqet më 15 mars, ndërsa shfaqjet në vijim do të jepen përkatësisht më 20, 23, 26, 29 mars si dhe 6 prill. Interpretimi që ai i ka bërë më parë këtij roli qoftë në Hamburgische Staatsoper (në dy sezone) qoftë në Operan Kombëtare të Washington-it, është pritur jashtëzakonisht mirë dhe ka bërë bujë të veçantë.

Publiku në California do të ketë mundësinë të shohë e të dëgjojë Saimirin në interpretimin e rolit të Alfredos në “La Traviata” për Operan e San Francisco-s (11, 14, 25 dhe 29 qershor) një rol të cilin kohët e fundit, ai e interpretoi për Metropolitan Opera të New York-ut. Saimiri sapo përmbushi një angazhim me Operan Kombëtare të Parisit ku interpretoi rolin e Titos në operan e Mozartit “La Clemenza di Tito” (hera e parë që interpreton këtë rol).

Mes angazhimeve të tij tjera në këtë sezon numërohen: Requiem i Verdi-t në Grafenegg, Bukuresht, Mynih dhe Vienë; roli i Dukës tek “Rigoletto” me London Symphony dhe në Zurich; “Messe solenelle” të kompozitorit francez Berlioz (në Vienë, nën drejtimin e Riccardo Muti-t); një koncert bamirësie gala për të mbledhur fonde për Fondacionin Down Syndrome Albania, sikurse dhe koncerte në Barcelonë me Angela Gheorghiu-n.

DVD-ja e tij më e fundit, ajo e koncertit të Vitit të Ri, 2013, të organizuar në teatrin “La Fenice” të Venecias nën drejtimin e dirigjentit Sir John Eliot Gardiner, pritet të dalë në treg në fillim të vitit të ri nga firma më e famshme e disqeve të muzikës klasike, “Arthaus Musik”. Një ndër sukseset e tij më të fundit ishte shpallja e tij fitues i cmimit “Pavarotti D’Oro” në fillim të këtij sezoni.
 

Shkrimi u publikua sot (17.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane