Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, inspektoi punën në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, ku u njoh nga afër mbi funksionimin e qendrës së thirrjeve 127, koordinimin me ekipet në terren, si dhe përdorimin e teknologjive të monitorimit në kohë reale, të cilat garantojnë reagim të unifikuar dhe të shpejtë në të gjithë vendin.

Duke vlerësuar angazhimin e stafit që punon pa ndërprerje, ministrja Sala theksoi rëndësinë e përgatitjes së sistemit për periudhën e ngarkuar të fundvitit.

“Kjo është një periudhë e ndjeshme me rritje të qarkullimit, ndaj reagimi i shpejtë bën diferencën. Kapacitetet tona të urgjencës janë në gatishmëri të plotë operacionale në koordinim me të gjitha strukturat e sigurisë për t’u përgjigjur menjëherë në çdo urgjencë”, deklaroi ministrja.

“Prioriteti ynë është që çdo thirrje të marrë përgjigje të menjëhershme dhe çdo qytetar të marrë ndihmën e duhur, kudo që ndodhet - një angazhim që garanton shërbim shëndetësor pa ndërprerje dhe mbarëvajtjen e sezonit festiv” , shtoi ajo.

Stafet e urgjencës prezantuan protokollet e reja të menaxhimit të flukseve dhe mobilizimin e rrjetit rë autoambulancave dhe motoambulancave në zona me risk të shtuar, për të siguruar mbulim të plotë gjatë periudhës festive.

Qendra Kombëtare e Urgjencës vijon të ofrojë shërbim 24/7, duke u bërë apel qytetarëve të mos hezitojnë të telefonojnë 127 për çdo urgjencë mjekësore.