Kreu i Autoritetit të Mediave Audiovizive, Gentin Sala shprehet se pas radiove fetare, kontrolli për burimet financiare do të shtrihet edhe te televizionet.

Gjatë një lidhje telefonike për Report TV, Sala tha se AMA ka nisur aktet rregullative për të futur në shtratin ligjor mediat në vend.
 
"Autoriteti i mediave në vitin e parë që ka marrë detyrën, ka gjetur parregullsi të mëdha përsa i takon debive. Ka shumë subjekteve edhe të palicencuara. Kemi filluar me një fazë të dytë që janë aktet rregullative. Kemi nisur me radiot fetare dhe më pas do të vazhdojmë me të gjitha mediat e tjera", u shpreh Sala.
 
Ai theksoi gjithashtu se ka dyshime që në mediat shqiptare bëhet edhe pastrim parash.

"Është e vërtetë që ka një numër të madh subjektesh televizive dhe radiofonike në Shqipëri. Ka patur një përhapje jo normale. Por ka edhe dyshime nga shumë institucione që në media bëhet edhe pastrim parash", theksoi Sala.