Deputeti i Partisë Demokratike, Sali Berisha, me natyrën e tij karizmatike, arrin të bëjë pjesë të diskutimeve edhe persona që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me politikën. Gjatë seancës plenare të ditës së djeshme, ish-kryeministri, pati një ‘dyluftim’ me tone të ashpra me kryeministrin aktual, dhe e cilësoi këtë të fundit si ‘homofob’, duke e përkufizuar më pas këtë term si ‘frikë nga njerëzit’.

Menjëherë pas kësaj deklarate, ka reaguar dhe një nga drejtuesit e Aleancës Kundër Diskriminimit të LGBT, Kristi Pinderi, në portalin e tij online.

Më poshtë fjala e Pinderit:

"Një ndër temat e diskutuara dje në seancën parlamentare ishte eksodi i shqiptarëve drejt vendeve të BE në kërkim të azilit ekonomik. Si çdo të enjte nuk munguan replikat me tone të ashpra mes Kryeministrit Rama dhe ish-Kryeministrit Berisha. Por, ndër shumë nofkat dhe etiketimet që i vunë njëri tjetrit si zakonisht, një gafë e Berishës kaloi pa u vënë re. Berisha i tha Ramës: “ty të kënaq ikja e shqiptarëve, sepse ti ke frikë nga njerëzit, ke homofobi”.
Nuk dihet çfarë ka dashur të thotë Berisha me këtë, por ajo që dihet shumë mirë është se homofobia nuk është frika ndaj njerëzve. Homofobia është frika ose urrejtja irracionale ndaj homoseksualitetit dhe personave homoseksualë. Mbase Berisha, duke qenë frankofon, ka menduar se fjala homo dhe ‘homme’ (njeri në frengjisht) kanë të njëjtin kuptim."