Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u lirua sot nga masa e 'arrestit shtëpiak' dhe pritet të shkojë në zyrën e tij në seli. 

Ndërkohë kanë ardhur reagimet e para nga Opozita.

Nga burgu Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e përshëndeti vendimin

"Përshëndetjet më të përzemërta për liderin e Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha dhe urime për të gjithë qytetarët që duan dhe meritojnë një shtet të së drejtës! 

Në veçanti, dua të përshëndes Prof. Dr. Berishën me deklaratën time, si President i Republikës, të bërë më 22 maj 2021, kur ai u shpall “non grata”, sepse gjithmonë kam qenë i bindur se ajo fletërrufe u hartua kundër tij nga Edi Rama, Sorosi, Charles McGonigal, Rossini dhe Mcgonigalët e tjerë për të shkatërruar pluralizimin politik për qëllime korruptive dhe helmuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA.

Mirënjohje të jashtëzakonshme edhe për Gjykatën e Strazburgut, që si asnjëherë tjetër, e ka klasifikuar rastin "Berisha" si "leading case", pra të rëndësishëm dhe e kanë komunikuar shumë shpejt këtë njoftim, pa pritur shterim të gjykatave të brendshme.

Desorosifikimi  drejtësisë dhe shoqërisë tonë është një emergjencë kombëtare për të rivendosur shtetin e së drejtës dhe mbrojtur interesat kombëtare.

Ndërsa nënkryetari dhe kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi u shpreh në rrjetet sociale se ky vendim ishte i drejtë dhe një fitore politike e Berishës, që luftoi e luftoi dhe në fund fitoi. 

'Afërsisht 1 vit pengesë antikushtetuese e aktivitetit politik të Liderit të opozitës është mjaftueshmërisht e rëndë për të toleruar të bëheshin më shumë! Kjo është një fitore politike e Sali Berishës që luftoi, luftoi, luftoi dhe e fitojë!'', thotë Bardhi.

Sakaq, reagoi edhe deputeti Flamur Noka, që sipas tij presioni opozitar detyroi atë që ai e quan 'narkodrejtësinë' të lirojë Berishën.

'E vërteta vonon, por kurrë nuk harron. Presioni i opozitës dhe qytetarëve e detyroi narkodrejtësinë t’i japë fund një sage vuajtjesh për opozitën dhe izolimi për liderin e saj. Drejtësia e Xhorxh Sorosit apo narkodrejtësia nuk ka ndryshuar asgjë. Qëndresa, lufta, rezistenca, presioni i pareshtur i demokratëve e detyroi dhe e gjunjëzoi këtë narkodrejtësi. Pra, kjo është ajo që mund t’u them.'

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:50
GJKKO liroi Berishën, Jozefina Topalli: Forca e së drejtës është më e madhe se pushteti i padrejtësisë

Foto: Jozefina Topalli

Drejtuesja politike e PD për diasporën, Jozefina Topalli, ka reaguar pas heqjes së masës “arrest shtëpie” ndaj kryetarit të PD-së, Sali Berisha, me vendim të Gjykatës së Posaçme.

“Sot, pas 350 ditësh padrejtësie, gjykata liroi kryetarin e opozitës, Sali Berisha.

Për 350 ditë, nga dritarja e qelisë, ai nuk reshti së foluri dhe së frymëzuari njerëzit për të rezistuar ndaj një qeverie të zhytur në korrupsion dhe skandale.

Arrestimi i tij ishte politik, një akt në shkelje të Kushtetutës dhe të çdo standardi të drejtësisë. Pa asnjë provë, ai u mbajt peng nga një pushtet që ka frikë nga zëri i qytetarëve dhe opozita e vërtetë.

Lirimi i tij sot është një dëshmi e forcës së të vërtetës dhe qëndresës. Por beteja nuk ka përfunduar! Rezistenca ndaj këtij regjimi të korruptuar vazhdon, dhe populli nuk do të ndalet deri në rikthimin e lirisë dhe drejtësisë në Shqipëri.

Forca e së drejtës është më e madhe se pushteti i padrejtësisë”, shkruan Jozefina në rrjetet sociale.

Ora 11:41
GJKKO liroi Berishën, Bardhi: Fitore politike e tij! Iu pengua për 1 vit aktiviteti liderit të opozitës

Nënkryetari i PD-së Gazment Bardhi ka reaguar lidhur me lirimin nga arresti shtëpiak të liderit të demokratëve Sali Berisha. Sipas Bardhit, ky ishte një vendim i drejtë në frymën e ligjit. Më tej shton se kjo është një fitore politike e Sali Berishës.

'Revokimi nga GJKKO i masave kufizuese joproporcionale ndaj Sali Berishës është vendimi i duhur ligjor dhe nën frymën, standardin dhe logjikën e vendimit të disa ditëve më parë të Gjykatës Kushtetuese. Çdo ditë vonese do të ishte një sulm politik i drejtësisë ndaj kundërshtarëve të regjimit të Edi Ramës, me qëllim pengimin e aktivitetit politik të tyre në funksionalitet të plotë të betejës së opozitës.

Afërsisht 1 vit pengesë antikushtetuese e aktivitetit politik të Liderit të opozitës është mjaftueshmërisht e rëndë për të toleruar të bëheshin më shumë! Kjo është një fitore politike e Sali Berishës që luftoi, luftoi, luftoi dhe e fitojë!'

 

 

Ora 10:43
Lirimi i Sali Berishës, Agron Gjekmarkaj: Fitorja e Trump vjen edhe në Shqipëri

Foto: Sali Berisha

Deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj, ka reaguar pas heqjes së masës “arrest shtëpie” ndaj kryetarit të PD-së, Sali Berisha, me vendim të Gjykatës së Posaçme.

“Fitorja e Trump arrin dhe në Shqipëri! Lirohet lideri i opozitës Prof. Dr. Sali Berisha”, shkruan Gjekmarkaj në rrjetet sociale.

Më tej ai thotë se era e ndryshimit po vjen në vendin tonë!