Sali Rexhepi: Kastriot Islami
më ka përjashtuar nga PS

Sali Rexhepi: Kastriot Islami<br />më ka përjashtuar nga PS
TIRANE - Ish-deputeti i PS i zgjedhur më 26 maj 1996, Sali Rexhepi në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” thotë se theu vendimin e partisë, duke hyrë në Kuvend, por tërë procedurën e përjashtimit ia bëri Kastriot Islami, madje dhe protestuesit ia çoi në shtëpi. Ai është kundër vendimit të 3 deputetëve e shpjegon si qëndronte në grupin e deputetëve të pavarur, pasi PD përjashtoi Hajdarin.

Si e kujtoni momentin e përjashtimit nga PS në vitin 1996 teksa keni thyer vendimin e forumeve për të mos bojkotuar Kuvendin?
Sa herë që ndodh një fenomen i tillë që ndonjë deputet devijon nga partia ku ka aderuar dhe bashkon votat me partitë e tjera në çdo krah qofshin, sigurisht që mua mua më kujtohet ndodhia e vitit 1996 kur unë vetë kam bërë një veprim të tillë dhe jam përjashtuar nga partia?

Si u ndjetë atëherë kur u përjashtuat nga partia, dhe më herët çfarë ju shtyu që të hynit në Kuvend përkundër vendimit të PS?
Unë atëherë u ndjeva mirë sepse ndryshe nga këta sot nuk isha deputet liste. Por isha një deputet që konkurova në mënyrë të drejtëpërdrejtë, në një kohë kur PD fitoi mbi 90% të votave dhe PS vetëm 5 deputetë. Pra unë hyj në 5 deputetët që kanë fituar direkt, me një rezultat të thellë, pavarësisht se 2-3 mijë vota mi morën sipas mendimit tim.

Deputetët e PS që fituan ishim unë në Librazhd, Ilir Meta në Skrapar, Erjon Braçe në Berat, Luan Shahollari në Gramsh e Hamit Gjoni në Tepelenë. Nga partia kisha vetëm 35% të votave, kurse si kandidat kisha mbi 60% të votave. Isha deputet i zgjedhur nga populli e mund të veproja, kurse këta s’kanë të drejtë, dikush i ka caktuar, duhet të rrinë në rresht.

Në ato kohë keni votuar thuajse gjithnjë kundër, pavarësisht se nuk ishit deputet liste. Ishte respekt ndaj votës së popullit...?
Sigurisht që atëherë nuk votova qeverinë e Meksit, s’votova shumë ligje për buxhetin, përjashtuar disa marrëveshje ndërkombëtare që besoj se ishin të vlefshme atëherë për Shqipërinë. Respektova votën e elektoratit, pasi kisha vërtetë rezerva për qeverisjen e asaj kohe të PD. Disa shqetësime të atëhershme të mijat që i kam evidentuar, si sistemi i fajdeve u vertetuan më vonë.

Kurse sot mendoj se është ndryshe. Të veprosh kundër vendimit të grupit parlamentar s’më duket e drejtë sepse realisht sot deputetët janë të emëruar. Madje unë nuk e kuptoj se çfarë emocionesh mund të kenë kandidatët kur konkurojnë, ndërsa janë në listat e sigurta. Unë di shembuj deputetësh që shkojnë në bazë, dhe duke qënë në lista të sigurta u thonë njerëzve: Unë do bëhem deputet, ti po do ma jep votën, por s‘deshe mos ma jep.

Kthehemi sërish tek përjashtimi juaj nga PS. Kush ka qënë ai që është marrë personalisht nga strukturat e PS për përjashtimin..?
Çdo gjë duhet diskutuar dhe analizuar në kohë, atëherë koha ka qënë e ndryshme nga sot. Pjekuria politike ka qënë ndryshe nga sot. Unë në Librazhd isha mjeku që kisha hapur i pari shërbimin e specializuar pediatrik në rreth, kisha pasionin e përkushtimin për profesionin, aq sa dhe natën e fejesës sime isha në spital. Pra njihja dhe i shërbeja një komuniteti prej 80 mijë banorësh, që më gjenin në çdo kohë në spital në shërbim të tyre, pa asnjë shpenzim, më donin dhe i doja.

Më kujtohet një fjalim i Azem Hajdarit në Librazhd, ai ishte kundërshtar politik, konkuroja me të atëherë, me Tomorr Malasin, Rushan Koçibellin ish-drejtor i minierës së Prrenjasit e ish-zv.ministër i Industrisë, pra njerëz shumë të shquar të PD, që tha: Ruani doktorin se kam dëgjuar që mjekon mirë fëmijët e do t’ju ikë nga rrethi e do mbeteni pa mjekuar.

Doktori nuk e njeh Tiranën, s’është për deputet. Pra ne bërë fushatë serioze, pa akuza personale ndaj njëri tjetrit. Unë madje kundërshtova dhe disa premtime të PS në fushatë, sepse asnjëherë s’besova se të nesërmen e fitores do jepet fara e nafta falas për fermerët, premtime që dëgjohen dhe sot e kësaj dite nga të dy palët, por kam thënë se duhet punë vetë, pastaj ndihma.

Po përjashtimi juaj, kush ishte “kumbari”...?
Unë shkova në Parlament sepse e vendosa që kur fitova. Mora mandatin që ditën e parë, pa filluar rrëmujat më 28 maj në Tiranë. Erdha më 30 maj në selinë e PS, hyja për herë të dytë aty pasi nuk isha i angazhuar shumë. Ka qënë mëngjes ora 8.30 e sapo hyra në selinë e PS, bashkë me kolegët e tjerë deputetë më thotë Kastriot Islami që ishte te podiumi bashkë me Skënder Gjinushin, se: Tani siç jeni këtu do hyni në grevë urie.

Unë s’pata kohë të bëja pyetjen që të na linin dhe ne të merrnim bukë me vete, se ata që ishin aty e kishin bërë një gjë të tillë, pasi Kastriot Islami pasi më pa shtrembër ma preu, duke më thënë: Apo s’do rrish ti deputeti i Librazhdit, pasi e ke marrë mandatin.

Unë i thashë se mandatin e mora sepse më takon dhe e kam në xhep, por unë s’kam vendosur. Islami më tha se ti s’rri këtu në grevë sepse e ke emrin “Sali” e mund të jesh i Berishës. Unë u ngrita dhe dola nga greva e urisë, nuk mendova që të futem por që të kem dokumentin me vete, pasi atëherë kishte një reaksion të fortë.

Pra ju thoni se Islami është strumbullari...?
Eshtë për të qeshur, por kur vajta në Kuvend më 1 korrik, deri atëherë punoja te spitali në Librazhd, gjë që e kam bërë gjatë gjithë kohës që kam qenë deputet, s’isha shumë i vendosur për të hyrë në Kuvend. Por duke parë atë që ndodhi këto ditë te shtëpia e Islamit, mu kujtua se kjo më ndodhi dhe mua atëherë. Një grup i PS Librazhd çoi njerëz te shtëpia ime, kur erdha në Kuvend.

Këta njerëz që erdhën te shtëpia ime i di shumë mirë Islami kush kanë qënë e kush i çoi. Dy tre javë më vonë Katriot Islami erdhi në Librazhd mbi 4-5 herë, që të përgatiste terrenin në mënyrë që të më çrregjistronte nga PS, ndërsa organizata ku unë bëja pjesë nuk e donte marrjen e një vendimi të tillë.

Në korrik të 1996 kur hyra në Parlament, Kastriot Islami në dy numra rresht nga një faqe të plotë në gazetën “Koha Jonë” shkruajti për të ashtuquajturin fenomeni “Rexhepi” e ku ngriti lloj versionesh, që atëherë s’mund të imagjinoheshin si është blerë, është shitur etj. Pra të gjitha ato që argumentoi PS kur përjashtoi Islamin nga grupi parlamentar, Islami m’i kishte bërë mua.

Madje dhe në kongresin e PS kur u bë përjashtimi zyrtar Kastriot Islami u shfaq shumë i gëzuar pasi largimin tim nga PS e konsideronte si arritje të tij. Por dhe kur e lexoj më vonë gjithçka është shkruar për mua, përjashtuar epitetet, ishin të drejta, pasi unë nuk zbatova vijën e Partisë, duke hyrë në Kuvend, por pa pasur ndërmend të bëj ndonjë gjë.

Unë s’dua të përmend një emër politikani shumë të lartë sot, që më ka thënë: Sali hyj në Parlament se ne do vijmë pas një jave. I nderuari Pjetër Arbnori më ka thënë që kështu bëjnë këta, por do vijnë dhe këta ditën e dytë. Pra koha atëherë ishte ndryshe, kurse sot veprimi i zotërinjve, është si kofini pas të vjelave. Duke mos pretenduar se jam politikan, dua t’i kujtoj diçka Edi Ramës: Berisha loz me rezerva të forta.

Sikur Meta të ikte para një viti ai i kishte këto rezerva. Madje po ti duhen 75 vota, i gjen që nesër. Ndërsa Rama më duket se loz pa rezerva, luan me sinqeritet. Po të ishte politikan tamam duhej të ruante rezerva për situatën. Se llogaria mes Metës e Nanos është bërë para një viti, sot gjithçka është e planifikuar.

Për t’u habitur që në atë kohë ju si deputet i pavarur rrinit dhe me Hajdarin, dhe ai i pavarur pasi ishte përjashtuar nga PD...?
Me Azem Hajdarin unë s’kam pasur marrëdhënie fare para vitit 1996 kur hyra në Parlament. Por me fëmijën e tij, pasi sa herë ishte në Librazhd e kishte probleme shëndetësore, vinte në pediatri. Nusen e Azem Hajdarit e kam pasur komshije dhe u martua kur ishte vetëm 15 vjeçe. Me familjen e saj kisha marrëdhënie shumë të mira. Kurse në Kuvend u detyruam të qëndronim bashkë sepse dhe ai ishte përjashtuar nga PD, por sa më shumë e njoha, më rezulton më shumë burrë se sa shumë njerëz që sot kanë mbijetuar në politikë.

Në atë kohë kur hyra unë në Kuvend, Shqipëria s’kishte këto halle që ka sot. Nëse do të prekeshin interesat e vendit, unë në asnjë mënyrë s’do hyja në Kuvend. Unë atëherë isha idealist dhe besoja se duke hyrë në Kuvend do bëja rrugë për zonën, do bëja një fushë të mirë sporti, do hapja minierat në Prrenjas. Hyra me bindje për të bërë diçka mirë për Librazhdin, pasi dhe vetë s’kisha halle, isha mjek. Unë hyra e dola nga Kuvendi pa ndërruar teserë partie. Mua personlisht s’më pëlqejnë veprimet e fundit që bëhen.

Duhej dhënë vota pro qeverisë apo dhe KQZ në prag të zgjedhjeve e në konsumim të dy mandateve nga deputetët socialistë...?
Për mua Ilir Meta bëri dhe një gabim dhe një të mirë. Gabimi ishte se shkëputjen nga Berisha ta bënte jo një muaj para por ditën që formoheshin koalicionet, më 20 prill që ta zinin gafil Berishën. Por siç duket Meta kishte mirëkuptim për t’ia dhënë këtë kohë. Dhe koalicioni Rama-Meta kishte hilen për të marrë komisionerët, por mendoj se s’është e drejtë. KQZ duhet të jetë profesioniste dhe e papolitizuar, bota nuk e koncepton këtë.

Dhe dorëheqjet janë dhënë me urdhër politik. S’kanë bërë mirë asnjëra palët, por duhet gjetur zgjidhja. Ndërsa qeveria s’lëvizte, Nano e mbajti 6 muaj me zv.ministra. Meta deshi të hynte në zgjedhje me njerëzit në punë, Berisha kishte më shumë eksperiencë e ia preu këtë burim. Berisha është politikan më i rafinuar, Rama më i sinqerte, ndërsa ndërkombëtarët s’orientohen.

Raporti në KQZ duhet të jetë 4 me 3, por zgjedhjet do bëhen. Por unë mendoj se Berisha zotëron zonat rurale, Rama punon për zonat urbane. Por një rritje page në zonat rurale ndikon më shumë se në qytet. Pra ajo që mund të them është se Rama ka nxjerrë 3 deputetë me “karton të kuq”, plus sa do nxjerrë, kurse Berisha nuk ka bërë ende asnjë emër publik. Pra Rama ka vuajtje te “stoli”.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 19.04.2013

Redaksia Oline
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë