Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji rikthehet me tone të forta kundër Sali Berishës, duke e cilësuar kreun e PD-së si pengesën kryesore që opozita të rikthehet në pushtet. Në një intervistë për “Albanian News Cast” me gazetarin Arbër Hitaj, Salianji tha se Partia Demokratike është e uzurpuar dhe se ndryshimet e fundit në strukturat drejtuese nuk përbëjnë reformim, por përkeqësim të situatës.
"Partia Demokratike është e uzurpuar sot në këtë moment nga Sali Berisha. Sali Berisha është i dizavantazhuar dhe është pengesa kryesore që Partia Demokratike dhe opozita të vijnë në pushtet dhe të largohet Edi Rama”, tha Salianji.
Salianji foli edhe për ndryshimet e fundit në kupolën drejtuese të PD. Sipas tij, largimi nga postet drejtuese i figurave si Luçiano Boçi dhe Oerd Bylykbashi, ndërsa Flamur Noka vijon të mbetet në kupolën e partisë, tregon se nuk ka një ndryshim real. Salianji akuzoi Berishën se promovon humbësit dhe shmang figurat që kanë rezultat elektoral apo profil të pavarur politik.
"E gjithë kjo lëvizje ishte për të hequr dy persona. Aty është Noka edhe Berisha. Këta të tjerët janë kot. Nuk ka Partia Demokratike asnjë ndryshim real, është përkeqësuar. A shkoi më mirë PD që hoqi Luçiano Boçin dhe Oerd Bylykbashin dhe mbajti Nokën?”, tha Salianji.
Salianji përmendi edhe demokratë që, sipas tij, kanë marrë mbështetje me votë, por nuk janë promovuar në strukturat e partisë. Ai pretendon se lidershipi aktual i PD-së është “rehat me humbjen” dhe se shumë prej drejtuesve mendojnë se me Berishën në krye opozita nuk mund të fitojë, por nuk kanë kurajën ta thonë publikisht.
“Janë të bindur të gjithë në Partinë Demokratike që me Sali Berishën nuk ecën dot. Partia Demokratike sot po mbytet prej Sali Berishës. Është pengesa kryesore, është barra që Partia Demokratike të vijë në pushtet”, vijoi ai.
Vetë Salianji nuk e fsheh ambicien për të marrë drejtimin e demokratëve. Ai konfirmoi se do të vijojë lëvizjen e nisur muaj më parë, tashmë përmes takimeve më të fokusuara me demokratë dhe qytetarë, ndërsa kërkon një PD me ekip, qasje dhe platformë të re.
Mes propozimeve të tij është edhe ndryshimi i sistemit zgjedhor: proporcional kombëtar, lista 100 për qind të hapura, prag zgjedhor dhe koalicione parazgjedhore, me synimin që deputetët të zgjidhen nga qytetarët dhe jo nga kryetarët e partive.
“Pa diskutim që e shikoj veten kryetar të PD-së. Prandaj e nisa atë lëvizje, sepse mendoj që Partia Demokratike duhet të ketë qasje tjetër, ekip tjetër dhe duhet të dalë me zgjidhje të mëdha për Shqipërinë”, theksoi Salianji.
Salianji paralajmëroi se në muajt në vijim do të intensifikojë takimet, ndërsa tha se vendimmarrja e tij politike do të lidhet edhe me zhvillimet brenda Partisë Demokratike dhe zgjedhjet e ardhshme vendore.
-
Kur flet edhe ti babale mos ngelte njeri pa folur , mut ata mut edhe ti .
Përgjigju









Komente
Komento