Salianji: Burri i deputetes shtoi të ardhurat 10-fish në 5 vite! Klotilda Ferhati: Shihemi në gjyq!

Salianji: Burri i deputetes shtoi të ardhurat 10-fish në 5 vite! Klotilda Ferhati: Shihemi në gjyq!

Deputeti i PD, Ervin Salianji dhe ajo e PS, Klotilda Ferhati Bushka

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka akuzuar se kompania në bashkëpronësi të bashkëshorti të deputetes socialiste Klotilda Bushka, ka 10-fishuar të ardhurat, pas ardhjes në pushtet të Ramës, falë tenderave të dhëna nga qeveria. Salianji tha se me ligjin që propozon Partia Demokratike, deputetja Klotilda Ferhati largohet nga politika. 

Vetëm me tendera publike, kompania e Klotilda Bushkës dhe bashkëshortit të saj ka marrë 3 miliardë e 500 milionë lekë nga paratë e qytet ravë shqiptarë. Me vetingun që propozon Partia Demokratike, Klotilda Bushka largohet nga politika”, tha deputeti i PD, Ervin Salianji.

Fjala e plotë e Salianjit:

Deputetja e Partisë Socialiste Klotilda Bushka bëri sot rolin e shërbëtores së oborrit të Edi Ramës. Ajo u përdor për të sulmuar me të pavërteta opozitën në mënyrë që të mbrojë pasurinë e saj personale. Këtë pasuri, Klotilda Bushka e ka vënë duke grabitur tendera publikë.

Duke hedhur baltë mbi opozitën ajo përpiqet që të fshehë pasurinë e bashkëshortit të saj. E vërteta e ditur për të gjithë publikun është se Altin Bushka, bashkëshorti i Klotolda Bushkës, ka dhjetëfishuar të ardhurat e kompanisë me ardhjen në pushtetit nga Edi Rama. Grafiku tregon në mënyrë të qartë se kompania SELCOM, në pronësi të Altin Bushkës dhe Gentian Sulës, një tjetër klient i Edi Ramës dhe Erjon Veliajt, deri në vititn 2012 ka qenë pothuajse inekzistente. Me ardhjen në pushtet të Edi Ramës në katër vitet e fundit, kompania e ka dhjetëfishuar pasurinë e saj. Dhe kjo është vetëm pasuria e dukshme e Klotilda Bushka Fehratit.

Vetëm me tendera publike, kompania e Klotilda Bushkës dhe bashkëshortit të saj ka marrë 3 miliardë e 500 milionë lekë nga paratë e qytet ravë shqiptarë. Me vetingun që propozon Partia Demokratike, Klotilada Bushka largohet nga politika. Është pasuria e grabitur motivi i vetëm pse Edi Rama dhe shërbëtoret e tij si Klotilda Bushka kundërshtojnë platformën e opozitës që do sekuestroje pasuritë e politikanëve të korruptuar dhe gjithë oligarkët e lidhur me ta.

Me nismën e sajm PD do ta çlirojë ekonominë nga një grusht oligarkësh dhe klientësh të Edi Ramës duke i dhënë mundësi për konkurrim në treg të gjithë bizneseve të ndershme. Frikë nga vetingu në politikë dhe paketa antimafia duhet të kenë vetëm ata që bashkë me Ramën u kanë vendosur gjobë shqiptarëve vetëm me koncesione 2.2 miliardë euro.

Klotilda Ferhati: Tenderat dhe të ardhurat të verifikueshme
Pas akuzave të Salianjit, ka ardhur edhe reagimi i deputetes së Partisë Socialiste, Klotilda Bushka. Ajo i cilësoi të pavërteta dhe lehtësisht të verifikueshme pretendimet e opozitës. Duke u ndalur te tenderat e përfituara nga kompania në pronësi të bashkëshortit të saj, deputetja e PS deklaroi se ato janë lehtësisht të verifikueshme në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik, duke sfiduar PD që të vërtetojë tenderat dhe vlerat e kontratave. Deputetja Ferhati shkruan se për këto akuza do t’i drejtohet gjykatës.

Deklarata e plotë e deputetes së PS, Klotilda Bushka:

Ndërkohë që isha në Njësinë 3, duke bashkëbiseduar me banorët e zonës për shqetësimet e tyre, siç bëjmë çdo ditë e çdo javë të gjithë ne, deputetët e Partisë Socialiste, mësova se një zë i Partisë Demokratike, që zakonisht del vetëm për të shpifur e shantazhuar, paska “denoncuar” publikisht se kompania e bashkëshortit tim, na paska shumëfishuar të ardhurat gjatë viteve të mazhorancës socialiste e një sërë broçkullash të tjera, që gjithmonë i rezultojnë në flluska sapuni.

Për opinionin publik deklaroj me përgjegjësi të plotë, se gjithçka është thënë nga Salianji i PD është totalisht e pavërtetë dhe lehtësisht e verifikueshme.

Shoqëria “Selcom” sh.p.k., ku im shoq është ortak dhe administrator, është krijuar në vitin 2006 dhe ushtron aktivitet në fushën e teknologjisë së informacionit. Bilancet e kësaj kompanie janë depozituar rregullisht në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe në organet tatimore. Përveç kësaj, unë kam qenë subjekt sipas ligjit për deklarimin e pasurisë dhe konfliktit të interesit në periudhën 2008 – 2015, dhe të gjitha të dhënat për të ardhurat e mia, familjes dhe të bashkëshortit tim janë deklaruar të plota pranë Inspektoriatit të Deklarimit të Pasurive. Këto të dhëna janë të aksesueshme online për cilindo të interesuar.

Nga një analizë e thjeshtë e të dhënave të mësipërme, rezulton se kjo shoqëri ka fitim të qëndrueshëm në vite, që nga koha e qeverisjes së Partisë së Salianjit e deri më sot. Është e vërtetueshme që kjo shoqëri përfaqëson aktivitetin tregtar të njerëzve të thjeshtë dhe të zakonshëm të këtij vendi që zhvillojnë biznes të ndershëm.

Dhe sa për tenderat, që mund të verifikohen lehtësisht edhe këto, në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik, e sfidoj PD-në, të vërtetojë cilat janë këto tendera dhe vlerat e kontratave, pasi çdo gjë që thuhet prej altoparlantëve të saj, është shpifje dhe totalisht lajthitje. Edhe shërbimet e internetit që kompania e tim shoqi ka furnizuar për subjekte shtetërore, vlerat e të cilave të marra së bashku janë rreth 500,000 lekë në vit, janë ndërprerë që në ditët e para kur unë isha kandidate për deputete e Partisë Socialiste në zgjedhjet e përgjithshme 2017.

Nuk më bën më përshtypje, balta që hedhin eksponentët e PD ndaj kujtdo, qofshin këta dhe njerëz të ndershëm e të zakonshëm të këtij vendi, vetëm e vetëm për të hequr vëmendjen e opinionit publik nga problemet e tyre dhe brenda tyre, për të shpëtuar ata vetë nga pasojat që vijnë nga reformat e ndërmarra prej mazhorancës socialiste e veçanërisht nga Reforma në Drejtësi.

Ja pra, ky është problemi. Alternativa e PD nuk ka për synim vendosjen e drejtësisë. Se për Reformën në Drejtësi, ata nuk lanë gur pa lëvizur, vetëm e vetëm që ta pengonin. Platforma e PD është thjesht mënyra e Lulzim Bashës për të vendosur gjoba mbi biznesin, duke përdorur metodat e kohës së Enverit. Keqardhje për opozitën që bie çdo ditë në batak! Shihemi në gjyq!

Më herët, deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka Fehrati, në një deklaratë për mediat, ka sulmuar kreun e PD-së Lulzim Basha, lidhur me deklaratën e tij se do iu sekuestrojë pasuritë biznesmenëve të cilët i etiketoi si oligarkë. 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'