Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, organizoi këtë të mërkurë një takim me intelektualë, pedagogë dhe zëra publikë të shoqërisë civile.

Ndërsa përflitet se do të sfidojë Sali Berishën në zgjedhjet për kryetar të Partisë Demokratike që do të zhvillohen më 23 maj, ish-deputeti konfirmoi tërthorazi një ambicie të tillë, duke folur për demokracinë e brendshme të partive politike në Shqipëri, përfshirë dhe integritetin e proceseve zgjedhore brenda partiake.

Salianji theksoi se është nevojë urgjente një rregullim ligjot për mënyrën si funksionojnë partitë politike në vendin tonë.

“Duhet një rregullim ligjor për të rregulluar mënyrën si funksionojnë partitë politike, duke krijuar një komision për mënyrën se si funksionojnë zgjedhjet brenda partiake. Dy kryetarët e partive kryesore politike në Shqipëri, kur vjen puna te kontrolli i partive politike, bëhen bashkë, ndryshon vetëm retorika pak”,- tha Salianji.

Salianji shtoi se “ka mungesë rregullash loje në partitë politike, qoftë PS, qoftë PD. Sistemi zgjedhor u përkeqësua me ndryshimet e fundit në vitin 2024, ku qytetarët nuk zgjedhin asgjë dhe kryetarët e partive zgjedhin çdo përfaqësues”.

Ish-deputeti vlerësoi punën e Prokurorisë së Posaçme për goditjen e korrupsionit në nivelet e larta të pushtetit politik dhe shtetëror në Shqipëri.

|SPAK-u ka hapur rrugën për një pjesëmarrje të re politike duke goditur rëndë korrupsionin. Duhet t’i jepet ajo që i takon si një pikënisje e rëndësishme për pavarësinë e institucioneve”,- tha Salianji.