Të hënën e 4 Korrikut pritet të zhvillohet në Gjykatën e Apelit të Tiranës seanca ndaj deputetit të PD-së, Ervin Salianji, i cili u dënua me një vit burg nga gjykata e shkallës së parë. Salianji u shpall fajtor për veprën penale kallëzim i rremë në lidhje me çështjen "Babale". Në apel e ka çuar çështjen dhe gazetari Jetmir Olldashi, i cili u dënua me 6 muaj burg të konvertuar  në 100 orë shërbim komuniteti.

Nëse Apeli do të konfirmojë vendimin e shkallës së parë atëherë deputeti Salianji, rrezikon burgun. Për t’i shprehur mbështetjen Salianjit në këtë moment, kreu i  Grupit Parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj u ka nisur një mesazh deputetëve duke u kërkuar të jenë të pranishëm në sallë dhe e ka cilësuar procesin orkestrim hakmarrës politik.

“Përshëndetje kolegë! Ndoshta jeni ne dijeni që te hëne, date 4 korrik ora 2 ne Gjykatën e Apelit zhvillohet gjyqi nga kolegut Salianji. Siç dihet dhe siç është bere publike, e gjithë ngjarja dhe procesi gjyqësor vijues janë një orkestrim hakmarrës politik i pastër nga qeveria dhe eksponentë  politike te mazhorancës. Është detyrim se pari njerëzor e pastaj edhe politik qe se paku deputetet tanë anëtare të Komisionit të Sigurisë të jemi te pranishëm ne sallë ditën dhe orën e gjyqit”, thuhet në mesazhin që Alibeaj i ka dërguar deputetëvve, të cilin Report Tv e ka siguruar.

Ish-deputeti Ervin Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi shpallen fajtorë nën akuzën e 'kallëzimit të rremë' lidhur me inskenimin e audio-përgjimit me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në trafikun e drogës. Gjykata Penale vendosi 1 vit burgim për ish-deputetin Salianji me akuzën e kallëzimit të rremë kryer në bashkëpunim.