TIRANE - Sulmuesi i kombëtares shqiptare Hamdi Salihi ka shënuar dy herë në ndeshjen e radhës të kampionatit kinez. Shkodrani ka qenë protagonisti i fitores së Jiangsu me rezultatin 3-0 ndaj Qingado Jonoon. Shqiptari ka qenë ai që ka hapur dhe vulosur serinë e golave, ka shënuar në minutën e 35 golin e parë dhe në të 73’ golin e dytë.

Salihi pas dy golave të radhës ngjitet në kuotën e 8 golave në kampionatin kinez, ndërsa skuadra e tij mban pozitën  e 6-të në tabelë me 20  pikë. Pas Alban Mehës që është rikthyer në fushë duke u stërvitur lehtë, tani vjen një tjetër lajm i mirë për të gjithë shqiptarët, pasi mesfushori shqiptar Burim Kukeli i cili kishte thyer këmbën në muajin mars, tashmë  ka lënë pas lëndimin duke ju rikthyer stërvitjeve.

Futbollisti i ekipit të Zurichut kishte pësuar një lëndim të rëndë në miqësoren që ekipi i tij zhvillonte në transfertë kundër Bellinzones. Dje skuadra e tij ka nisur stërvitjet dhe atyre u është bashkuar edhe Kukeli shkruan në Uebfaqen e klubit të Zurichut. Pavarësisht kësaj, shqiptari momentalisht ka nisur ushtrimet e diferencuara nga grupi dhe nën kujdesin e fizioterapistëve dhe stafit mjekësor.

Ky është një lajm shumë i mirë për trajnerin e Zurichut, Urs Majer dhe trajnerin e Kombëtares Shqiptare, Xhani De Biazi i cili nuk mundi të llogaritë në shërbimet e tij në dy ndeshjet kundër Norvegjisë, por për në ndeshjet e shtatorit është gati për të zbritur në fushë. Meha dhe Kukeli janë dy futbollistë që i kanë munguar shumë Shqipërisë në ndeshjen me Norvegjinë në 7 qershor.

Në një prononcim për mediet vendasve, mesfushori shqiptar është shprehur se po bën gjithçka që të jetë gati në fillim të edicionit të ri për ekipin e tij. Ndërsa sipas stafit mjekësor gjithçka po shkon sipas parashikimeve për rikuperimin e mesfushorit kosovar.

Mesfushori Valdet Rama do të vazhdoj kontratën edhe për një vit me skuadrën e Real Valladolidit në La Liga-n spanjolle. Lajmi është konfirmuar nga mediat vendase pranë klubit vjollcë. Pavarësisht që trajneri serb Mirolsav Xhukiç nuk e aktivizoi shumë shqiptarin, klubi është i interesuar ta mbaj në radhët e tij edhe për një tjetër edicion në La Liga.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)