Kryeministri grek Antonis Samaras ka theksuar vendosmërinë e qeverisë për të avancuar deri në fund në çrrënjosjen dhe diskreditimin e “Agimit të Artë”, duke folur para këshillit amerikan të hebrenjve, American Jewish Comittee.
 
“Çështja e “Agimit të Artë” ka marrë rrugën e drejtësisë. Do të bëjmë gjithçka. Krerët e “Agimit të Artë” janë arrestuar për veprimtari kriminale dhe do të gjykohen në mënyrë demokratike. Kemi besim te drejtësia greke që e filloi mbarë dhe do ta mbyllë në mënyrën më të mirë çështjen”, tha kryeministri.
 
Samaras gjithsesi sqaroi, para auditorit që duartrokiti kur iu referua “arrestimit të kreut të organizatës që do të gjykohet”, se “është drejtësia dhe sistemi gjyqësor që po merret, jo qeveria”.
 
Ai vuri në dukje se Greqia është një fenomen unikal në Europë sa i përket arrestimit të krerëve të “Agimit të Artë”, megjithëse edhe vende të tjera kanë probleme të ngjashme me organizata neonaziste.
 
Gjithsesi, kryeministri shpjegoi para pjesëtarëve të komunitetit hebre se nazistët janë krerët e organizatës, jo votuesit e “Agimit të Artë”. Votuesit e tyre janë njerëz që janë goditur nga kriza ekonomike dhe nga niveli i lartë i papunësisë që po mastigon vendin. Ai shprehu bindjen se populli grek ka konceptim politik dhe se do t’i izolojë neonazistët.
 
Kryeministri shpalosi para pjesëtarëve të lobit të fuqishëm hebre situatën e vështirë të vendit, por edhe perspektivën optimiste të Greqisë.
 
“Vendi po kalon një krizë të gjatë, për të gjashtin vit radhazi. GDP-ja është ulur me 25%, papunësia ka arritur në 27% dhe tek të rinjtë në 60%, qytetarët kanë parë të ardhurat e tyre të reduktohen me 40%. Situata mund të krahasohet vetëm me Amerikën e viteve 1930-të. Mirëpo grekët treguan durim dhe vendosmëri dhe vendi po del hap pas hapi nga kriza”, tha, duke shtuar se gjithsesi, një kategori grekësh, u mashtruan nga populizmi dhe ekstremizmi.
 
Kryeministri grek, Samaras vuri në dukje se 14 muajt e fundit vendi ka përshkuar distancë të gjatë: “Greqia ishte shumë popullore para 14 muajsh, shumë qenë ata që flisnin për dalje të vendit nga eurozona. Sot askush nuk flet më për dalje, po për Grecovery. Greqia ishte problem në një rajon të paqëndrueshëm, sot përkundrazi, është një faktor stabiliteti”, tha Samaras dhe shtoi se vendi po i arrin objektivat që kishte vënë, se sivjet do të arrihet suficit primar dhe se është bërë një vend miqësor për investimet e huaja.
 
Kryeministri grek, iu referua marrëdhënieve Greqi-Izrael, që janë “më të mira se kurrë, pasi tre vitet e fundit u fuqizuan shumë”, dhe shtoi se të hënën e ardhshme do të vizitojë Jerusalemin, për mbledhjen e përbashkët të këshillave të ministrave të të dy vendeve, në kuadër të “ndërtimit të marrëdhënies strategjike”.
 
Samaras iu referua gjerësisht perspektivës që hapet për bashkëpunimin Greqi-Qipro-Izrael në fushën e energjisë dhe në shfrytëzimin e burimeve të gazit natyror që janë zbuluar. Ai tha që, po të vërtetohen parashikimet, rezervat me gaz natyror të tre vendeve do të mbulojnë 50% të nevojave të Europës në 30 vitet e ardhshme.
 
Përfaqësuesit e American Jewish Committe, i rezervuan një pritje të ngrohtë kryeministrit grek dhe e duartrokitnin gjatë fjalimit të tij, kur u referohej përpjekjeve për asgjësimin e “Agimit të Artë”. Kreu i organizatës, David Harris, theksoi se “Vendimet që po merr kryeministri janë të vështira, ndërkaq zoti Samaras dhe qeveria e tij po bëjnë më të mirën e mundshme për vendin”.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)