Në pritjen e JO-së së mundshme të Bullgarisë, Shqipëria po mendon të refuzojë pjesëmarrjen në Samitin e Bashkimit Europian që mbahet më 23 dhe 24 qershor në Bruksel.  Kryeministri Edi Rama ka lënë të paqartë nëse është një refuzim i pastër, por në një status në rrjetet sociale, zbulon një bisedë online që ka pasur me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçvski dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

‘Ne diskutuam gjatë sot me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për Samitin e ardhshëm të BE-së. Duket se një tjetër "Jo, më fal!" do të jetë ajo që do të dëgjojmë në fund! I gjithë Unioni i rrëmbyer nga Bullgaria nuk është një spektakël i mirë për t'u parë! Çfarë duhet bërë atje?!’- tha Rama.

Ky status i mbyllur me pyetje, lë gjithashtu pikëpyetje të mëdha, nëse deri në fund Shqipëria do ta anulojë pjesëmarrjen në samitin e së enjtes, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Serbia pritet të marrin vendimin përfundimtar gjatë së mërkurës.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, thotë se nesër pasdite do të marrin një vendim përfundimtar për pjesëmarrjen në samitin e BE-së, ndërsa shton se kanë diskutuar në lidhje me nismën Ballkani i Hapur, si nismë për të mundësuar zhvillimin ekonomik.

 “U dakorduam se pas konsultimeve shtesë të brendshme, nesër pasdite ta marrim vendimin tonë përfundimtar për pjesëmarrjen tonë në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor në Bruksel. Kemi biseduar edhe për tema që janë të rëndësishëm për rajonin dhe kemi ngritur iniciativë për Agjencinë për tërheqjen e investimeve për Ballkanin e Hapur, që do të mundësojë zhvillim ekonomik shtesë. Temë ishte edhe panairi i ardhshëm për ushqim, verë dhe turizëm, që duhet të mbahet në Beograd, si dhe tema tjera që kanë dalën nga samiti i fundit i Ballkanit të Hapur që u mbajt në Ohër”, ka shkruar Kovaçevski, Facebook. 

Po ashtu edhe presidenti i Serbisë, Alkesandër Vuçiç, thotë se nesër do të kenë një vendim përfundimtar, dhe nënvizon se së bashku po luftojnë për një perspektivë të qartë të Ballkanit Perëndimor.

‘Sot në mëngjes kam biseduar me Edi Ramën dhe Dimitar Kovaçevskin për samitin e ardhshëm ‘BE-Ballkani Perëndimor’ në Bruksel. Kemi rënë dakord që pas konsultimeve me qeveritë dhe këshilltarët tanë, nesër në mesditë të shpallim vendimin nëse do të marrim pjesë në këtë samit. Gjithashtu shkëmbyem mendime për hapat e ardhshëm të nismës sonë Ballkani i Hapur, i cili do të mbledhë verë bërësit më të mirë nga rajoni, si dhe takimin e radhës ku do të diskutojmë shumë çështje me interes për qytetarët tanë. Së bashku, ne po luftojmë për një perspektivë të qartë të Ballkanit Perëndimor, bashkëpunim edhe më të fortë dhe lidhje më të mira', ka njoftuar sot presidenti Aleksandar Vuçiç.

Vetoja Bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut qershorin e kaluar, ka bllokuar procesin e negociatave edhe për vendin tonë. BE ka hezituar që t’i trajtojë të ndara në procesin e integrimit, të dy vendet e Ballkanin Perëndimore, më argumentin se do të ishte më mirë për stabilitetin rajonal nëse dy fqinjët mund të përparonin së bashku.

Ndryshe nga konferencat e mëparshme, Shqipëria brenda dy viteve të fundit, arriti të mposhtte skepticizmin e disa vendeve anëtare të cilët konsideronin se Shqipëria nuk përmbushte kushtet për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Në samitin e 23 dhe 24 qershorit, liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së do të marrin këtë javë në konsideratë edhe aplikimet për statusin e vendit kandidat të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:05
Samiti i BE-së, reagon Berisha: Kërcënim i dy gangsterëve autokrat të Ballkanit Perëndimor! Qëndrim sinkron në Beograd dhe Tiranë

Ish kryeministri Sali Berisha ka reaguar për komentin e Ramës për pjesëmarrjen në Samitin e Bashkimit Evropian që mbahet më 23 dhe 24 qershor në Bruksel.

Sipas Berishës, ky është një qëndrim sinkron në Beograd e Tiranë të cilët po kërcënojnë Ballkanin Perëndimor si dy gangsterë autokrat.

'Aleanca pro Putin ne Ballkan reagon!

Vuçiç dhe Rama kercenojne BE me mospjesmarrje ne Samitin e Brukselit!

Te dashur miq, ne nje qendrim sinkron ne Beograd dhe Tirane, Presidenti i Serbomadhise Aleksander Vuçiç dhe vasali i tij Edi Rama kercenojne me mospjesmarrje ne Samitin e liderve te vendeve te BE qe do te mbahet ne Bruksel me dt 23 qershor dhe ne te cilin jane te ftuar edhe udheheqesit e vendeve te Ballkanit Perendimor. Ky kercenim i dy gangstereve autokrat te Ballkanit Perendimor, presidentit te serbomadhise Vuçiç dhe vasalit te tij Rama duket si i urdheruar nga Putin vetem e vetem per te shenuar kthesen e rajonit drejt projektit serbo-rus te Ballkanit te Hapur me te cilin vendosen ne rajon hegjemonizmi serb dhe influenca ruse.

Denoj me forcen me te madhe kete qendrim antikombetar dhe anti BE pro serbo- rus te Edi Rames dhe ftoj shqiptaret te ngrihen ne kembe per te mbrojtur orientimin dhe integrimin euroatllantik te tyre!'- shkruan Berisha.

Ora 14:46
Samiti i BE-së, reagon Tabaku: Kryeministri më autokrat në rajon, vendi më i korruptuar në Europë nuk dëshiron integrimin në BE

1655375193_Screenshot14.jpg

Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka reaguar për komentin e Ramës në lidhje me pjesëmarrjen në Samitin e Bashkimit Europian që mbahet më 23 dhe 24 qershor në Bruksel.

“Serbia nuk do të ulet si pasojë e kundërshtisë për sanksionet kundër Rusisë, RMV është duke u penguar nga problemet bilaterale me Bullgarinë, po Shqipëria përse refuzon BE? Kryeministri më autokrat në rajon, vendi më i korruptuar në Europë nuk dëshiron integrimin në BE ku kontrolli do jetë më i fortë. Po sikur ta ndërtojmë BE tonë këtu pavaresisht një date e një procesi që sot edhe prej Ramës është larguar kaq shumë?” – shkroi Tabaku.