"Presidenti francez Emmanuele Macron meriton mirënjohje të posaçme e falenderim se ka ndjekur 48 orë pa pushim, pas mesnate kemi shkëmbyer mesazhe, këtë proces". Ky ishte komenti i kryeministrit Edi Rama pasi propozimi francez bëri të mundur që parlamenti bullgar t'i heqë veton Maqedonisë së Veriut.

Nuk mungoi edhe thirrja për Maqedoninë e Veriut që të pranojë propozimin në mënyrë që të caktohet data për Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Për këtë të fundit, Rama tha se nuk ka rëndësi nëse do të jetë pas një muaji apo 10 vitesh për aq kohë sa Shqipëria ka plotësuar detyrat, gjë të cilën e ka konfirmuar edhe nga Komisioni Europian.

"Kam qenë në kontakt me presidentin e Francës i cili për hir të vërtetës meriton një mirënjohje të posaçme e falënderim se ka ndjekur 48 orë pa pushim, pas mesnate kemi shkëmbyer mesazhe, këtë proces. Propozimi i ri që është edhe propozimi përfundimtar, duhet ta kuptojnë vëllezërit e Maqedonisë së Veriut është plotësisht e i pranueshëm. Më vjen shumë mirë që gjithë çfarë kemi bërë, sidomos në Bruksel, së bashku me kolegët nga Ballkani Perëndimor dhe posaçërisht me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut dhe presidentin e Serbisë. Tani të shohim, mund të jetë nesër, pasnesër, pas një muaji, pas 10 vitesh, kjo për mua ka shumë pak rëndësi", tha Rama.

Kryeministri Edi Rama ka folur për gjykimin dhe kritikat se ka mbajtur qëndrim të ashpër ndaj BE dhe se mund të ndikojë në hapjen e negociatave. Sipas tij,  nuk ka bërë luftë as me BE, as me Bullgarinë, por ka thënë të vërteta që janë dëgjuar me shumë respekt.

Për këtë i referohet faktit se po mendonte të mos merrte pjesë në Samitin e BE-së që u karakterizua me tensione pasi nuk u hoq vetoja e Bullgarisë. Lajmi i mirë erdhi një ditë më pas kur parlamenti bullgar i dha mandat Këshillit të Ministrave për të miratuar propozimin e Presidencës Franceze për heqjen e vetos për negociatat për Republikën e Maqedonisë së Veriut. 

Ndër të tjera tha se në bashkëpunim me NATO-n pritet të ngrihet një bazë ushtarake në portin e ri të Durrësit që e cilëson vlerë strategjike për Shqpërinë, ndërsa theksohet se do mbahet një takim i posaçëm në Bruksel për këtë çështje. Gjithashtu ka shpresa që të marrin fonde në NATO për të ndërtuar portin ushtarak dhe për të rritur mbrojtjen kibernetike.

"Së shpejti do bëjmë një takim të posaçëm për këtë çështje me ekipin e eksperteve tanë dhe aleancës për të parashtruar projektin ën detaje dhe për të vijuar diskutimet. NATO ka hyrë në një fazë të re. Po ndërtohet bazë taktike e NATO- në Kuçovë, është financim i huaj ndërkohë sa i përket portit ne natyrisht që do financojmë vetë gjithë pjesën komerciale", tha Rama.

Në konferencën për shtyp, Rama foli edhe për paketën e dytë të rezistencës sociale duke thënë se synimi është që të mos rritet çmimi i energjisë. Ndërsa nuk mungoi ironia për opozitën, për të cilën thotë se duhet të kishte gjysmën e enegjisë dhe çerekun e vullnetit dhe 1/10 e durimit të Erion Braçes.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:25
Amnistia fiskale, Rama: Nuk mund të themi se bëjmë se shqiptarët janë të çuditshëm! Baza janë kursime nga puna në të zezë

 

Kryeministri Edi Rama ka komentuar aministinë fiskale duke thënë se mirëpresin çdo vërejtje por thekson se baza do të jenë kursimet e shqiptarëve nga puna në të zezë.

"Ne jemi të fundit që bëjmë aministi fiskale, mirëpresim cdo vërejtje por nuk e mirëpreim qënmdrimin e Shqipëria nuk e bën dot amnistinë se shqiptarët janë pak të çuditshëm, ne nuk e mirëpresim. Ne kemi bërë projekt me të gjitha masat e para dhe të marra nga ligjet e amnistrisë së vendeve të tjera pqër të parandaluar pikërisht keqshfrytëzimin e kësaj mundësie.

Amnistia nuk i jep askujt amnisti përveç se deri në ditën e depozitimit të parave. Kushdo qoftë që nuk ka punuar në shtet, nuk ka qenë politikan etj, janë një sërë kategorish që mund të kenë burime korrupsioni apo nga krimi, për të gjithë pjesën tjetër, amnistia është në fuqi. Nëse më pas dikush kapet, bën një krim apo zbulohet që ka bërë veprimtari kriminale, dënohet si çdo kush tjetër.

Janë kursime nga puna në të zezë, jo nga puna e zezë. Këta janë baza e amnistisë", tha Rama.

Ora 14:19
Rama zbulon bisedën me presidentin Biden: Nga vlerësimi për Shqipërinë tek organizimi për 100 vjetorin e marrëdhënieve me SHBA

 

Kryeministri Edi Rama ka zbuluar detaje nga biseda me presidentin e SHBA, Joe Biden në samitin e NATO-s.

"Vlerësimi për Shqipërinë, për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit dhe nga ana tjetër biseda për nevojën që të organizojmë diçka meqë jemi në 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me SHBA. Ky ka qenë thelbi i bisedës. E dini njohjen që ka për Ballkanin, kështu që e njeh me detaje dhe Shqipërinë e çfarë bëhet në Shqipëri. Të shohim nëse do të organizojmë diçka së bashku. Mbase dhe nuk bëhet se situata është e tillë që nuk parashikon dot asgjë", tha Rama.

Ora 14:17
Rama ‘përplaset’ me gazetarin: Do shkosh për riedukim tre muaj, moj eja më në konferenca deri në tetor

 

Kryeministri Edi Rama është përplasur me një prej gazetarëve në konferencën për shtyp. Gazetari e pyeti ministren Olta Xhaçka se a e ka takuar bashkëshortin e saj, investitor strategjik, në prani të dy anëtarëve të administratës, siç e parashikon kodi i ri etik apo e ka thyer kodin e ri i cili parashikon sanksione deri në largim nga puna.

Debati:

Rama: Tani këtu përgjigjen ta jap unë. Do kalosh në riedukim për 3 muajt e ardhshëm. Nuk je i mirëseardhur në asnjë konferencë shtypi.

Gazetari: Kodi etik a do zbatohet, ju vetë keni thënë që do ketë sanksione deri në largim nga puna.

Rama: Kjo është një tjetër shkelje e kodit etik të gazetarit ndërkohë vazhdon mban fjalime. Për pyetje të përsëritura pa asnjë etikë, ka një proces që quhet riedukim, përgjigjet e radhës do e marrësh pas tre muajsh, në tetor hajde.

Kujtojmë që kjo nuk është hera e parë që kryeministri Edi Rama penalizon nga konferencat gazetarët. Pak kohë më parë ai pezulloi edhe një tjetër gazetare. 

Ora 14:09
Rama: Do ishte mirë që opozita të kishte energjinë, vullnetin dhe durimin e Erion Braçes

 

Kryeministri Edi Rama nuk ka kursyer ironinë për opozitën duke thënë se duhet të kenë energjinë, vullnetin dhe durimin e Erion Braçes, i cili jo rrallë herë ngre zërin për shqetësime të ndryshme.

"Ka opozitë akoma këtu? Sa mirë do ishte të kishte opozitë por për fat të keq nuk ka. Opozita e vetme e kualifikueshme si e tillë e jona jemi ne vetë. Sikur e tërë opozita që quhet opozitë të kishte gjysmën e enegjisë dhe cerekun e vullnetit dhe 1/10 e durimit të Erion Braçes mund të merrte një licencë kualifikimi si opozitë", tha Rama.

Ora 14:02
Rama nuk jep përgjigje rreth paketës së dytë për rezistencën: Synimi është të ruajmë çmimin e energjisë

 

Kryeministri Edi Rama nuk dha një përgjigje konkrete nëse do të ketë një paketë të dytë për rezistencën sociale, por theksoi se qëllimi kryesor është të ruajnë çmimin e energjisë.

"Është shumë e bukur të thuash Shqipëria në NATO. Të qenit në NATO ka dhe këto detyrime, sjell edhe nevojën për disa sakrifica. Shumë njerëz thonë ç'na duhet ne se çfarë bëhet në Ukrainë, ç'punë kemi ne. Po e duam ne lirinë dhe pavarësinë tonë apo e kemi opsionale dhe e masim me sa kafe pimë në ditë. E duam marrëdhënien me SHBA si strategjike apo e duan vetëm kur dita është me diell.

Ne kemi vijuar me fermerët, po bëjmë një tjetër plan për transportin publik. Aty janë ata që preken më shumë dhe do të shohim si do të ecin gjërat me energjinë. Nëse do jetë vit po aq i thatë, do të shpenzojmë shumë për të mbajtur çmimin që nëna jote të mos tmerrohet kur ndez dritën dhe të mos llahtariset kur vjen fatura e energjisë. Synimi ynë bazë është të ruajmë energjinë", tha Rama.

Ora 13:55
Rama: Shpresojmë t'i marrim NATO-s fonde për portin ushtarak dhe mbrojtjen kibernetike

 

Kryeministri Edi Rama ka theksuar se shpreson që të marrin fonde në NATO për të ndërtuar portin ushtarak dhe për të rritur mbrojtjen kibernetike.

"Jemi brenda parametrave që jemi angazhuar. Nuk do ta rrisim asnjë qindarkë më shumë, buxhetin për mbrojtjen. Të tjerët që janë më të pasur se ne mund ta bëjnë. Ne e mbështesim rritjen e buxhetit të mbrojtjes, por ne do e rrisim sipas asaj që është përcaktuar në samitin e Uellsit.

Ne do vazhdojmë ta rrisim buxhetin e mbrojtjes për të arritur në 2% e mirënjohur në afat. Nga ana tjetër, ku ti marrim NATO-s ndonjë buxhet tjetër. Shpresojmë t'i marrim disa fonde për të realizuar ëndrrën e portit ushtarak të NATO-s dhe për mbrojtjen kibernetike", tha Rama.

Ora 13:31
Qëndrimi i ashpër mund të ndikojë në negociata? Rama: Nuk kam bërë luftë as me BE, as me Bullgarinë! Kam thënë të vërteta që janë dëgjuar me respekt

 

Kryeministri Edi Rama ka folur për gjykimin dhe kritikat se ka mbajtur qëndrim të ashpër ndaj BE dhe se mund të ndikojë në hapjen e negociatave.

"Unë e thashë dhe në përgjigjen e mëparshme, jam i sigurt që nuk jemi perfekt. Nuk kam për ta ndryshuar kurrë përsa kohë të jem në këtë detyrë për barabartësinë për çdo tryezë ku ulem. Presidenti i Francës, i SHBA, i Britanisë apo Luksemburgut, jeni të gjithë të barabartë. Shqipëria është një vend i vogël që ka peshën e vet, të pakrahasueshme me peshën e shumë të tjerëve por dinjiteti i shqiptarëve nuk është më pak i rëndësishëm se i amerikanëve apo francezëve.

Kudo që jam i pranishëm apo për çdo çështje që kam radhën e fjalës, askush nuk mund të mbajë qëndrime që i bien ndesh interesave dhe neglizhojnë sensin e barazisë pa marrë përgjigjen e duhur. Nuk kam bërë luftë as me BE, as me Bullgarinë, kam thënë të vërteta që janë dëgjuar me shumë respekt sepse po nuk respektove veten, nuk të respekton tjetri. Ne pyetemi, ne konsiderohemi, dëgjohemi dhe mund t'ju them që natyrisht është kënaqësi që të dëgjosh presidentin e SHBA kur foli për Shqipërinë dhe rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit", tha Rama.

Ora 13:24
Rama: Nuk ka rëndësi nëse Konferenca e Parë Ndërqeveritare hapet nesër apo pas 10 vitesh! I kemi kryer detyrat

Kryeministri Edi Rama është pyetur se kur mendon që do të hapet konferenca e parë ndërqeveritare duke thënë se për të nuk ka shumë rëndësi për sa kohë që i kanë kryer detyrat e shtëpisë, gjë që e ka treguar edhe Komisioni Europian. Një koment e kishte edhe për opozitën, për të cilët thotë se i con shqiptarët në drejtim të paditur.

"Pjesa e përpjekje për marrëveshje që i hap rrugën për çeljes zyrtare të negociatave. Kam qenë në kontakt me presidentin e Francës i cili për hir të vërtetës meriton një mirënjohje të posaçme dhe falënderim se ka ndjekur 48 orë pa pushim, pas mesnate kemi shkëmbyer mesazhe, këtë proces.  Propozimi i ri që është edhe propozimi përfundimtar, duhet ta kuptojnë vëllezërit e maqedoinisë është plotësisht e i pranueshëm.Nuk e kam ndryshuar qëndrim dhe kam po atë masë buzëqeshje që kisha edhe kur situata ishte më e ngatërruar sesa duket që është sot. Ne do bëjmë tonën, se kur caktohen datat dhe kur merren vendimet nga ana e tyre, kjo është cështje e tyre. Ajo që për mua mbetet barometri objektiv i punës sonë është po ajo që ka qenë, pikëpamja e Komisionit Europian, është një autoritet me një kompetencë shumë më të madhe se të tjerët që bëjnë kompetentin lart e poshtë për të gjykuar cfarë është arritur e cfarë jo. Përsa kohë jemi në rregull me Komisionin Europian, jam shumë i qetë se e di atë që besoj se pak shqiptarë kanë mbetur pa mësuar se dëgjojnë pak të tjerë që duan t'i cojnë në drejtim të paditur se BE është një krijesë me tekat e veta, me hallët e veta. Më vjen shumë mirë që gjithë cfarë kemi bërë, sidomos në Bruksel, së bashku me kolegët nga Ballkani Perëndimor dhe posacërisht me kryeministrin e RMV dhe presidentin e Serbisë. Tani të shohim, mund të jetë nesër, pasnesër, pas një muaji, pas 10 vitesh, kjo për mua ka shumë pak rëndësi", tha Rama.

 

Ora 13:19
Rama: Porti i ri i Durrësit do ketë një bazë ushtarake të NATO-s, vlerë strategjike për Shqipërinë

 

Kryeministri Edi Rama tha se në bashkëpunim me NATO-n pritet të ngrihet një bazë ushtarake në portin e ri të Durrësit. Rama tha sëshpejti do mbahet një takim i posaçëm në Bruksel për këtë çështje.

"Kemi folur për projektin tonë, do rikthehemi në Bruksel për të vazhduat diskutimin lidhur me propozimin tonë që ka ngjallur jo vetëm interes por edhe dëshirë për të thelluar bisedimet për instalimin e një baze navale të NATO-s në portin e durrësit që do jetë në Porto Romano dhe që përveç pjesës komerciale tregtare, parashikohet të ketë edhe një pjesë ushtarake. Sëshpejti do bëjmë një takim të posaçëm për këtë çështje me ekipin e eksperteve tanë dhe aleancës për të parashtruar projektin ën detaje dhe për të vijuar diskutimet. NATO ka hyrë në një fazë të re. Po ndërtohet bazë taktike e NATO- në Kuçovë, është financim i huaj ndërkohë sa i përket portit ne natyrisht që do financojmë vetë gjithë pjesën komerciale dhe e kemi ftuar NATO-n të marrë pjesë në një bashkëfinancim për pjesën ushtarake. Do jetë një vlerë strategjike për Shqipërinë, por edhe për vetë NATO-n. Lufta në Ukrainë ka përmasën e vet ushtarake për të cilën nuk mund të flasim publikisht por ka edhe përmasën e vet ekonomike. Në samit është folur për sfidën e furnizimit me energji, për parashikimi jo optimste, por vërtetë të zymta sa i takon çmimit të energjisë shoqëruar me vështirësitë e burimeve energjetike. Kemi folur për inflacionin që Shqipëri apo e mban më të ulët se vendet e rajonit se insistojmë në politikën që mos ta prekim familjarët, biznesin e vogël te çmimi i energjisë, nevojën e një maksimizimi të të gjithë forcave për të garantuar gjithë zinxhirin e furnizimit që është i cenueshëm nga konflikti", tha Rama. 

Ora 13:10
Lufta në Ukrainë/ Rama: Në Samitin e NATO-s përsëritëm qëndrimin për Serbinë! Presioni të mos shkaktojë krisje që sjellin pasoja për rajonin

1656678831_Sequence03.00243224.Still023.jpg

Kryeministri Edi Rama ka dhënë detaje se çfarë u diskutua gjatë samitit të NATO-s që zgjati për 3 ditë.

"Samiti ishte i veçantë për nga kohëzgjatja dhe pesha e përmbajtjes që lidhej me luftën në Ukrainë dhe me pasojat ashtu sikundër dhe me planet për reagimin e mëtejshëm të aleancës. Por përtej kësaj pjese që ishte dhe pjesa kryesore kishte edhe një element të rëndësishëm për ne që kishte të bënte me mundësinë e negociatave intensive për të arritur në një marrëveshje përfundimtare mes Bullgarisë dhe MV që ti çelet rruga fillimit të negociatave.

Për të gjitha këto dhe për të tjera që mund të keni pyetje jemi këtu, në radhë të parë dëshiroj të kujtoj që me hapjen e rrugës nga ana e Turqisë janë krijuar premisat që NATO të shtohet me 2 anëtarë të tjerë. Edhe ajo ka qenë një negociatë e vështirë, e cila është përmbyllur në orët e fundit. Një fokus të veçantë ka pasur për Ballkanin Perëndimor, për kompleksitetin e rajonit dhe për vulnerabilitetin që rajoni ka për arsye të faktorëve të njohur, qëndrimi ynë ka qenë i njëjti, i njohuri dhe i përsërituri lidhur me domosdoshmërinë që Serbia të mbahet sa më shumë dhe sa më afër me frontin kundër agresionit dhe presioni mbi Serbinë të mos shkojë në një krisje që mund të ketë pasoja të pallogaritshme për vetë rajonin.

Ne kemi kërkuar që Kosova të përfshihet në mekanizmin e partneritetit për paqe, një stad tjetër i marrëdhënieve me NATO-n, kemi dhënë të gjithë argumentat përkatëse dhe është e udhës që e gjithë aleanca të kuptojë se pavarësisht mosnjohjes së Kosovës nga disa prej vendeve, kjo nuk është një kohë e zakonshme. Si një kohë e jashtëzakonshme kërkonte dhe akte të jashtëzakonshme. Kosova, pavarësisht se Ukraina nuk e njeh, ka mbajtur një qëndrim të qartë duke treguar maturi të rëndësishme si shtet në raport me detyrimet ndaj gjithë kësaj familje të madhe që Kosova e ka të lidhur pazgjidhshmërisht fatin e saj", tha Rama.