‘Përmes rrënjëve lartësohemi’ e prej miliona shqiptarëve nëpër botë dyert e Evropës mund të hapen edhe më shpejt.
“Ne duam që të tërheqim kapital dhe njohuri nga diaspora, por duam dhe që sipërmarrjet shqiptare nëpërmjet lidhjeve që neve kemi në biznes, në diasporë të mund t'i ndihmojmë për t'i ndërkombëtarizuar”, tha Delina Ibrahimaj.
Në samitin që bëri bashkë shqiptarët e suksesshëm nëpër botë, nuk u treguan vetëm historitë e arrira por edhe sfidat me të cilat përballen investitorët vendas apo të huaj kur trokasin në Shqipëri.
“Askush nuk e ka dyshim që 10 vitet e fundit kemi përparuar ekonomikisht. Ata që nuk e shikojnë janë miop. Ata që nuk duan ta shikojnë atëherë le të përpiqemi t'u hapim sytë se bëjnë gabim. Limitimi është fuqia punëtore. Ne kemi një fuqi punëtore prej 1.1 milion njerëzish të cilët në rast se ne do të përqendroheshim vetëm në turizëm dhe bujqësi atëherë do të ndodhnin ca fenomene të vështira ekonomike. Por unë do sugjeroja që duke qenë vlerë e shtuar shikoni vende të vogla si Singapori, si Holanda, si Belgjika se çfarë cilësie dhe se çfarë kualiteti dhe çfarë biznesi ju sjell logjistika”, tha Ardian Lekaj Kryetar i Dhomës se Biznesit të Diasporës.
Koha është për ekonominë inovative dhe digjitale, e për këtë investimet në sigurinë kibernetike janë kyçe për të joshur sipërmarrësit e huaj.
“Siguria kibernetike është një element kyç në ndërtimin e besimit tek investitorët, por dhe zhvillimin e një ekonomie dixhitale të qëndrueshme, pasi ajo redukton rreziqet, mbron asetet gjithashtu dhe rrit dhe besueshmërinë në këtë ekonomi dixhitale që do të do të krijohet. Një shembull, kostoja globale e sulmeve kibernetike po përshkallëzohet, mendohet që këtë vit të arrijë një kosto diku rreth 12 trilion dollarë. Po ta përkthejmë këtë numër do të thotë rreth 10% të GDP-së globale ose 1/3 e GDP-së së Shteteve të Bashkuara”, Adrian Qytetza - Ekspert i Sigurisë Kibernetike.
Pavarësisht përparimit ekonomik që u theksua nga të pranishmit, ende ka shumë punë për tu bërë për tu përshtatur me rregullat e tregut evropian.
“Bashkimi Evropian aq saç paraqet oportunitet dhe mundësi, por është një treg i vështirë, i koklavitur, është një treg i super rregulluar dhe ne futemi në këtë treg me përgatitjen që ne kemi sot. Dhe në fakt për biznesin shqiptar do të jetë e vështirë. Ministrja bëri një autokritikë që në Samitin e katërt ne vijmë pa një inventar të qartë të diasporës ekonomike që kemi. Në fakt ne duhet të kemi një regjistër të diasporës ekonomike”, tha Arben Shkodra, Sekretar i Këshillit Ekonomik Kombëtar.
Afro 49% e popullsisë së Shqipërisë jeton jashtë kufijve të saj. Numri i diasporës llogaritet rreth 2.2 milionë shtetas. Mes shumë pasojave negative për ekonominë e vendit, emigrimi nga ana tjetër ka ndikuar në uljen e varfërisë. Janë 11.7 miliardë euro remitanca prej vitit 2010, të sjella nga emigrantët për të afërmit e tyre.
Komente











