Një ndër temat e rëndësishme në samitin e Diasporës ishte krijimi i mekanizmave për mbrojtjen e Gjuhës dhe kulturës Shqipe. Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro foli për nevojën e krijimit të Agjencisë Kombëtare për gjuhën shqipe, që ajo të mos jetë thjesht një gjuhë e familjes.
“Brezi i parë e ruan gjuhën spontanisht; brezi i dytë ka nevojë për mbështetje; ndërsa brezi i tretë rrezikon ta humbasë atë nëse nuk ndërtojmë politika të qarta dhe të qëndrueshme. Kemi nevoje për një Agjenci Kombëtare për gjuhën shqipe. Kjo nuk është një çështje terminologjie, por një ndryshim thelbësor në qasje pedagogjike”, tha ministrja e arsimit, Mirela Kumbaro.
Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, thotë se diaspora është një aset i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, kulturor dhe diplomatik të vendit. Projekte si “CulturAlb” sipas tij kanë rritur ndjeshëm peshën shqiptare në botë.
“Diaspora shqiptare është kthyer në një nga asetet më të rëndësishme kombëtare. Ne kemi nevojë për mekanizma konkretë që e bëjnë atë pjesë aktive të zhvillimit dhe vendimmarrjes. “Kultura është mënyra si ne tregojmë historinë tonë dhe ndërtojmë ura me botën. Për këtë arsye, diplomacia kulturore është prioritet i strategjisë sonë.”
Shembuj konkretë suksesi vijnë edhe nga vetë diaspora. Në Britaninë e Madhe, janë hapur dhjetëra shkolla shqipe falë iniciativave të komunitetit.
“Ne kemi arritur të hapim mbi 20 shkolla shqipe. Qëllimi ynë është i qartë: ruajtja e gjuhës dhe identitetit tek brezat e rinj.”, tha Lutfi Vata nga Lidhja e Mësuesve në Britani.
Përfaqësues të diasporës thanë se bashkëpunimi mes institucioneve dhe komuniteteve shqiptare jashtë vendit është çelësi për ta kthyer identitetin kulturor në një vlerë të qëndrueshme për të ardhmen.
Komente











