Pas më shumë se dy muajsh pritje Marash Kumbulla më në fund ka debutuar me fanellën e Rayo Vallecanos në Spanjë. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare zbriti në fushë në ndeshjen e Kupës së Mbretit ndaj Recreativo Huelva, duke qenë protagonist në kualifikimin e skuadrës madrilene.
Rayo Vallecano triumfoi me rezultatin 3-2 pas kohës shtesë, në një takim të luftuar, ku shqiptari arriti të linte shenjën e tij që në paraqitjen e parë zyrtare.
Kumbulla nuk humbi kohë për të treguar vlerat e tij. Mbrojtësi kuqezi fitoi një penallti për skuadrën e tij në pjesën e parë, në një aksion që solli edhe përjashtimin e mbrojtësit kundërshtar Roan Riera. Një moment i rëndësishëm që ndihmoi Rayo Vallecanon të rikthehej në lojë, duke barazuar përkohësisht 1-1.
Përveç këtij episodi, Kumbulla ishte pranë golit me një goditje të rrezikshme në pjesën e parë, ndërsa në prapavijë tregoi siguri dhe forcë në duele. Ai qëndroi në fushë deri në minutën e 80-të, duke dhënë sinjale pozitive në ndeshjen e tij të parë.
Debutimi vjen pas një pritjeje të gjatë për mbrojtësin shqiptar, i cili iu bashkua Rayo Vallecanos në huazim nga Roma gjatë verës, por problemet fizike e kishin penguar të merrte minuta në fillimin e sezonit.
Tashmë, pas më shumë se dy muajsh, pritja ka marrë fund. Kumbulla ka hedhur hapin e parë me skuadrën e re dhe synon të fitojë gradualisht më shumë hapësira, për t'u kthyer në një element të rëndësishëm të mbrojtjes së ekipit spanjoll.









Komente
Komento