Samiti në Beograd, Kina financon
projekte në bujqësi e infrastrukturë

Samiti në Beograd, Kina financon<br />projekte në bujqësi e infrastrukturë
TIRANE- Shqipëria do të financohet në disa projekte në bujqësi, energji dhe infrastrukturë nga qeveria. Një pjesë e shumës prej 10 miliardësh dollaqë që qeveria kineze ka planifikuar të investojë në vendet e Europës Jug-lindore do të kalojnë për Shqipërinë. Marrëveshja për këto bashkëpunime është dhënë dje gjatë takimit që kryeministri shqiptar Edi Rama dhe homologu i tij kinez Li Keqiang kanë zhvilluar dje në ditën e dytë të Samitit që po zhvillohen në Serbi.

Gjatë takimit është diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe përtej pakos prej 10 miliard dollarë që Pekini ka premtuar për investime në rajon në projekte kryesisht infrastrukturore. Kreu i qeverisë shqiptare Rama kërkoi nxitjen e bashkëpunimit në bujqësi dhe rritjen e investimeve kineze në energji dhe infrastrukturë. Ndërkohë homologu i tij kinez, Li Keqiang vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve si të shkëlqyera dhe shprehu kënaqësinë për takimin e tretë brenda një viti me Kryeministrin shqiptar.

Në emër të qeverisë kineze, ai shprehu dëshirën për të rritur importet bujqësore nga Shqipëria, si dhe për të rritur investimet e kompanive kineze në prodhimin e energjisë dhe zhvillimin e infrastrukturës, që do të ndihmonte jo vetëm Shqipërinë, por edhe ndërlidhjen e vendit tonë me akset kryesore në Ballkan dhe Europën Jug-lindore. Nga takimi i djeshëm, kreu i qeverisë shqiptare ka përfituar për t’i bërë një ftesë kryeministrit kinez Li Keqiang për të vizituar Shqipërinë, që pritet të zhvillohet në vitin e ardhëm dhe do të shoqërohet me nënshkrimin e marrëveshjeve të tjera ekonomike mes dy vendeve.

Në takim Li-Keqiang njoftoi se shumë shpejt do të zhvilloj një tjetër takim me kreun e qeverisë shqiptare Rama, në një takim që do të mbahet në kinë dhe do të mbledhë bashkë krerët e qeverive të 16 vendeve europiane. Rama pas takimeve që ka zhvilluar së bashku me homologët e tij dje gjatë Samitit, është shprehur optimist se së shpejti mund të finalizohet një projekt për lidhjen hekurudhore të rajonit, por edhe një sërë marrëveshjesh të tjera me palën kineze. Kryeministri shqiptar ka kërkuar nga homologët e tij, që të përshpejtohet procesi i zhvillimit të rajonit.

“Samiti është me një rëndësi për të gjithë vendet e rajonit sepse bëhet fjalë për një nismë konkrete dhe për projekte konkrete. Besoj dhe shpresoj që të finalizojmë një përpjekje 1-vjeçare, që na ka çuar në një formulë të re inovative për financimin e Rrugës së Arbërit, e cila do t’i propozohet më tej nga kryeministri kinez edhe vendeve të tjera që nuk mund të thellojnë borxhin dhe të marrin garancitë sovrane”, është shprehur Rama. Gjatë këtij viti Rama, kreu i qeverisë shqiptare është takuar disa herë me kryeministrin kinez, ndërkohë që në fund të dhjetorit do të pres në Shqipëri homologun italian Renzi.


Takohen sërish Rama e Vuçiç dy vendet do njohin patentat
Kryeministri Rama kërkon më shumë kujdes për shqiptarët e Preshevës

Takimi i dytë brenda afro një muaji mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe atij serb Aleksandër Vuçiç është shoqëruar edhe me nënshkrimin e marrëveshjes për njohjen e patentave mes dy vendeve. Gjatë takimit mes dy kryeministrave është folur edhe për një forcim të mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike dhe diplomatike mes dy vendeve për të hapur një faqe të re bashkëpunimi.

Palët vendosën për hapin e radhës të këtij bashkëpunimi i cili konsiston në njohjen reciproke të lejeve të drejtimit të lëshuara nga të dyja vendet. Nëshkrimi i marrëveshjes u zhvillua në selinë e qeverisë Serbe dhe u firmos nga ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto dhe atij të Brendshëm serb Nebojsha Stefanovic.

Njësoj si në takimin e parë, kryeministri Rama i kërkoi dje homologut të tij serb dhe qeverisë së tij të kenë më shumë kujdes për shqiptarët e Preshevës. Megjithëse takimi është zhvilluar pa praninë e kamerave, zyrat e të dy kryeministrave njoftojnë se nuk ka pasur asnjë incident dhe është zhvilluar në një klimë tejet të qetë. Takimi i nëntorit duket se ka hapur një faqe të re bashkëpunimi mes dy vendeve e cila pritet të sjellë vitin e ardhëm, kryeministrin serb Vuçiç në Tiranë.

Haxhinasto “Takimi me serbët nuk pati asnjë tension”
Takimi i dytë në Serbi mes kryeministri Rama dhe Vuçiç nuk kishte asnjë tension. Kështu deklaroi në një lidhje telefonike për “A1 REPORT” ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, i cili është pjesë e delegacionit shqiptar në Samitin ekonomik Kinë-Ballkan që mbahet në Beograd. Haxhinasto tha se takimi bilateral mes krerëve të qeverive të dy vendeve, vendosi një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit Serbi-Shqipëri. “Nuk kam vënë re asnjë shenjë tensioni, përkundrazi kam parë qartë një vullnet të përbashkët për të çuar përpara”, deklaroi Haxhinasto.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 18 Dhjetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Rama: Ditën kur Albin Kurti shpalli fushatën kundër qeverisë time hëngrëm spageti bashkë

Rama: Ditën kur Albin Kurti shpalli fushatën kundër qeverisë time hëngrëm spageti bashkë