Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta,përshëndeti sot Samitin e Kombeve të Bashkuara të Katovicës “COP24”, që po zhvillohet në Poloni, nën moton “Të ndryshojmë së bashku”.
Në fjalën e tij presidenti i Shqipërisë shprehu angazhimin që edhe vendi ynë të kontriubojë në mbrojtjen e klimës:
Shqipëria, si një vend mesdhetar, është mjaft e ndjeshme ndaj ndryshimeve në trendet klimaterike, ndaj ngjarjeve të shpeshta dhe ekstreme që ndikojnë në shumë rajone, sektorë të turizmit dhe të energjisë, por mbi të gjitha mbi jetën e popullit tonë. Këto dukuri kanë rritur vetëdijen tonë dhe janë ndeshur me përgjigjen tonë të thjeshtë, por të vendosur, për të vazhduar me zbatimin e shpejtë të Marrëveshjes së Parisit. Ne kemi miratuar Kontributin e Përcaktuar Kombëtar me angazhimin për të reduktuar emetimet e dioksidit të karbonit në nivelin 11.5%
Presidenti Ilir Meta
Kreu i shtetit theksoi se Shqipëria do të zbatojë politikat e BE-së si vend kandidat për t’u anëtarësuar:
Së shpejti do të kemi funksional një sistem kombëtar që ruan një inventar të emetimeve të gazrave serrë dhe masave të nevojshme për zbutjen dhe përshtatjen, në vazhdën e ligjit të ri mbi Ndryshimet Klimaterike, në përputhje me rregullat e Bashkimit Europian.
Si një vend kandidat për në Bashkimin Europian, Shqipëria i ka shkrirë politikat për klimën dhe energjitë në një Plan të Integruar Kombëtar, në përputhje gjithashtu edhe me Udhërrëfyesin e Gjashtë për Ballkanin Perëndimor për Tregjet e Qëndrueshme Energjetike Kombëtare dhe Rajonale.
Ne kemi zgjeruar bashkëpunimin ndërkufitar me vendet e rajonit për çështjet mjedisore, ku asistenca e BE-së për financimin dhe rritjen e kapaciteteve ka qenë e rëndësishme si dhe ka shërbyer për përfitimin e drejtpërdrejtë të komuniteteve vendore
Presidenti Ilir Meta