Kryeministri, Edi Rama ndodhet sot në Bratislavë të Sllovakisë ku po merr pjesë në panelin e diskutimit në kuadër të samitit "GLOBSEC 2023". Gjatë fjalës së tij, ai foli për fondet që rajoni i Ballkanit Perëndimor merr nga Bashkimi Europian të cilat sipas tij janë 11 herë më të vogla sesa ato që jepen nga BE për vendet e Evropës Juglindore.

“Më lini ta nis me atë çfarë ndodhi në Europë dhe BE në përgjigjie të krizës së madhe që goditi Europën por që na goditi edhe ne. Kjo shpjegon atë hendek të jashtëzakonshëm midis shteteve anëtare të BE dhe mes nesh, vendeve të Ballkanit Perëndimor Mes 2020 dhe 2021 mes disa paketave shumë të mëdha, BE dha 47.5 miliardë euro për shtetet anëtare. Ndërkohë që për ne u dha 1 miliardë për të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, mes të cilave 500 milionë në grante.  Këto ishin rishpërndarje e fondeve të IPA-s. Pra ajo që duhet të merrnim nga IPA për projekte të caktuara u rikonjektuan.  Nuk po them se nuk ishte diçka e mirë por them që ishte një rishpërndarje. Pika e dytë që dua të përmend se dhënia e granteve nga BE për vendet e Europës juglindore do jetë 11 herë më e madhe se ajo që u dha për Ballkanin Perëndimor.  Nga fondet e IPA-s marrim 90% ndihmë teknike dhe 10% investime”- tha Rama.

Ai tha se procesi i negociatave për anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, konkretisht i Shqipërisë, do të zgjasë dhe për këtë arsye duhet të jetë sistematik. Por shtoi se në mënyrë që Ballkani Perëndimor të mos kthehet prapa, BE duhet të bëjë më shumë për rajonin dhe të ndryshojë qasjen në mënyrë thelbësore.

“Procesi i negociatave të anëtarësimit do kërkojë kohë dhe jam i bindur se nuk duhet nxituar. Duhet të jetë një proces i rregullt dhe i konsoliduar por na duhet të marrim diçka më shumë dhe diçka duhet të ndryshojë në mënyrë thelbësore mes BE dhe Ballkanit Perëndimor nëse nuk duan të shohin që ky rajon të kthehet mbrapsht sërish”-shtoi kryeministri.

Kreu i ekzekutivit kritikoi vonesat e BE-së në procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në union dhe shtoi se duhet të hapur një shteg i ri për bashkëpunim sa i takon fondeve të dhëna për rajonin. Sipas Ramës nëse diçka e tillë nuk ndodh, atëherë edhe stabiliteti i rajonit të Ballkanit është në dyshim.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:46
Samiti në Sllovaki, Rama takon Macron: Biseduam për marrëdhëniet bilaterale Francë-Shqipëri

Kryeministri Edi Rama ka ndarë disa foto nga samiti në Sllovaki. Në foto, Rama është me presidentin francez Emmanuel Macron, ndërsa shkruan se kanë diskutuar për marrëdhëniet bilaterale Francë-Shqipëri, po u fol edhe për sfidat e rajonit në sfondin e luftës në Ukrainë.

“Me Presidentin e Republikës së Francës, Emmanuel Macron, në një takim shumë miqësor, ku u prekën me thellësi temat e rajonit tonë në sfondin e konfliktit në Ukrainë, marrëdhënia e Ballkanit Perëndimor me BE-në dhe nevoja për një qasje të re politiko-ekonomike, si edhe marrëdhëniet bilaterale Francë-Shqipëri”, shkruan Rama.

 

Ora 12:18
Rama batuta me Kovaçevskin: Integrimi në BE na la pa flokë! Besuam tek procesi, tani jemi dy burra qerosë

 

Kryeministri Edi Rama “kritikoi” vonesat e anëtarësimit në Bashkimin Europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor ndërsa mbante fjalën e tij në panelin e diskutimit mbi Ballkanin, “Open Roads: Balkans Back in Business”.

Krah homologut të tij nga Maqedonia e Veriut, Rama bëri një batutë duke thënë se në fillim të procesit, në një takim në Selanik të dy ishin me flokë, ndërsa tani janë qerosë.

“Në Selanik Dimitari i kishte të gjithë flokët, aty u tha që do të ishim në Bashkimin Evropian përpara se mua të më binin flokët dhe ja ku jemi. Dy burra qerosë sepse ne besuam në këto gjëra. Çfarë kemi nevojë është të jemi realistë, të vërtetë, të drejtpërdrejtë dhe kur e them këtë mendoj sa të drejtpërdrejtë mund të jenë holandezët kur kanë zgjedhje e kur duan të presësh sa të përfundojnë zgjedhjet e tyre. Ja që kështu është, na duhet të përballemi me realitetin ndërkohë që komuniteti politik evropian është i jashtëzakonshëm,” – u shpreh Rama.

Ora 11:13
Rama: Nëse Ballkani Perëndimor kollitet, kjo për BE është pneumoni! Të hapet një shteg i ri bashkëpunimi për fonde ndaj 6 vendeve

 

Kryeministri, Edi Rama i pyetur nëse vendet e Ballkanit kanë bërë mjaftueshëm për të qenë anëtarë të BE, tha se këto vende nuk po vrapojnë për të qenë pjesë e bashkimit, por duhet ta kenë të qartë sesi do të funksionojë në vazhdim.

Ai shtoi se Bashkimi Europian duhet të hapë një shteg të ri bashkëpunimi sa i takon fondeve për Ballkanin Perëndimor në mënyrë që të garantojë stabilitet.

“Më mirë të na thonë, po jeni shumë mirë por në këtë moment nuk mund të nisim bisedimet me ju. Ne nuk po vrapojmë të jemi vend anëtar i BE. Unë jam pjesë e shkollës së mendimit, që mendon se kur nuk funksionon me 27 si do mendojë edhe me këto 6 vende të Ballkanit Perëndimor. Jam dakord me këtë, le të hapim një bashkëbisedim të qartë për të thënë se kjo nuk mund të funksionojë dhe se duhet të gjejmë diçka të re. Ju duhet të merrni më shumë nga ne dhe ne duhet të hyjmë në një marrëdhënie të re.  BE duhet të hapë një shteg të ri bashkëpunimi sa i përket fondeve. Në të kundërt s’do ketë të ardhme sa i takon stabilitetit të Ballkanit Perëndimor. Nëse Ballkani Perëndimor kollitet, kjo për BE është pneumoni”-tha Rama.