BAKU - Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali u takua sot, në margjinat e Takimit Parlamentar për Ndryshimet Klimatike, në kuadrin e COP29, në Baku, me kryetaren e parlamentit të Azerbajxhanit, Sahiba Gafarova.
Kryeparlamentaret Spiropali dhe Gafarova diskutuan për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona, vlerësuan zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, përshëndetën marrëveshjen e saponënshkruar për zhvillimin e infrastrukturës së gazifikimit të qytetit të Korçës dhe nënvizuan mundësinë e rritjes së investimeve nga Azerbajxhani në Shqipëri në fushat e burimeve të energjisë, infrastrukturës etj.
Gjithashtu, Spiropali dhe Gafarova diskutuan edhe për intensifikimin e marrëdhënieve shumë të mira mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Milli Majlis të Azerbajxhanit, si nxitëse të bashkëpunimit të gjithanshëm dypalësh.
Po sot Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali mori pjesë si paneliste në takimin parlamentar për Ndryshimet Klimatike, i cili zhvillohet në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, ku mbajti fjalën e saj në panelin “Roli i parlamenteve në realizimin e angazhimeve për klimën”.