Përtej marrëveshjeve specifike, samiti mes Xi dhe Trump kishte një funksion më të gjerë: të ripërcaktonte diplomacinë mes dy vendeve si një “marrëdhënie konstruktive e stabilitetit strategjik”. Xi tha se Kina do ta konsiderojë këtë si parimin udhëzues për tre vitet e ardhshme (dhe më tej): kjo nënkupton bashkëpunim dhe “konkurrencë të matur”, me mospajtime të menaxhueshme përmes mekanizmave mbrojtës për të shmangur përshkallëzime të rrezikshme (për shembull, po punohet për “masa sigurie” mbi Inteligjencën Artificiale).

Xi kërkonte (dhe e arriti) konfirmimin se vendi i tij është në të njëjtin nivel me Shtetet e Bashkuara. Kjo me shumë gjasa do të çojë në një zgjatje të mundshme të armëpushimit mbi tarifat doganore të arritur tetorin e kaluar. Për Xi-n, stabiliteti shërben për t’u forcuar për garën afatgjatë, tejkalimin e SHBA-ve si superfuqia botërore, duke rritur pavarësinë teknologjike, tregtare dhe shkencore, me bindjen se ngritja e Kinës është një siguri historike, bashkë me rënien amerikane.

Tajvani

Ajo që Xi dëshiron më shumë nga Trump është zbutja e mbështetjes politike dhe ushtarake amerikane për Tajvanin, duke vonuar ose reduktuar shitjen e armëve apo duke marrë një deklaratë nga Uashingtoni kundër pavarësisë së Tajpeit. Nuk është e qartë se çfarë iu përgjigj Trump, por Rubio ndërhyri për të siguruar se politika amerikane “nuk ndryshon”: sekretari i Shtetit tha për NBC se Xi e ngriti çështjen e Tajvanit siç bën gjithmonë, por ajo nuk ishte qendrore në samit dhe Amerika, si gjithmonë, “sqaroi pozicionin e saj dhe kaloi më tej”. Rubio paralajmëroi se do të ishte “një gabim i tmerrshëm” nëse Kina do ta merrte Tajvanin me forcë: “Çdo imponim ndaj status quo-së do të ishte negativ për të dy vendet” dhe “do të kishte pasoja globale”.

Biznesi dhe tregtia

Trump tha për Fox se Xi kishte pranuar të blinte sojë, “energji” dhe 200 avionë Boeing nga Shtetet e Bashkuara. Kina rinovoi licencat (të pezulluara si përgjigje ndaj tarifave) për qindra thertore amerikane që eksportojnë mish. Xi gjithashtu u premtoi sipërmarrësve që kishin ardhur me Trump se Kina “do të hapet më shumë” dhe se do të kenë më shumë mundësi. Kështu, Nvidia rifilloi bisedimet për porosi të mundshme kineze të çipave të avancuar H200, sipas burimeve mediatike. Diskutime shkaktoi edhe prania në Kinë e Eric Trump, djalit të presidentit, i cili sipas Financial Times mund të ketë në zhvillim një marrëveshje biznesi; ai e mohoi: “Jam këtu në cilësi personale”. Bessent tha se do të krijohen dy borde, një për tregtinë dhe një për investimet, me idenë për të identifikuar produkte kineze “jo sensitive” me vlerë 30 miliardë dollarë (si për shembull fishekzjarrët), mbi të cilat do të aplikohen tarifa më të ulëta. Në këmbim, Kina mund të blejë më shumë naftë dhe gaz nga SHBA-të, duke ulur varësinë nga Irani: të paktën kështu dëshiron Uashingtoni.

Irani

Trump shtoi se Xi “dëshiron që të ketë një marrëveshje” me Teheranin dhe se ka “ofruar ndihmën e tij”. Sipas Shtëpisë së Bardhë, lideri kinez është “dakord që Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e hapur”, kundër “tarifave kalimtare” dhe kundër një Irani bërthamor. Por në komunikatën kineze nuk përmendet Irani (flitet në mënyrë të paqartë për “Lindjen e Mesme”). Nuk është e qartë nëse Xi është gati të angazhohet aktivisht në negociata, sidomos për çështje të vështira si uraniumi. Rubio uli pritshmëritë: “Është mirë që kemi një aleancë ose të paktën një marrëveshje mbi atë pikë” (Hormuzin), por “Trump nuk i ka kërkuar ndihmë Kinës, nuk kemi nevojë për të”. Uashingtoni shpreson që këtë herë Pekini të shmangë vendosjen e vetos ndaj rezolutës për lirinë e lundrimit në OKB. Trump tha gjithashtu se Xi është zotuar “të mos i japë më pajisje ushtarake” Iranit, por inteligjenca amerikane paralajmëron se kompanitë kineze synojnë të përdorin vende të treta për të shmangur kontrollet.

Rreth 30 anije thuhet se kanë kaluar Ngushticën e Hormuzit me autorizimin e Iranit që nga mbrëmja e së mërkurës, sipas asaj që është raportuar nga Marina e Trupës së Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit (IRGC, pasdaranët). Këtë e bëri të ditur transmetuesi shtetëror iranian “Irib”.

Po sot, agjencia iraniane e lajmeve “Fars” njoftoi se Teherani ka “mundur të lejojë tranzitin e disa anijeve kineze përmes Ngushticës së Hormuzit, në përputhje me protokollin iranian të menaxhimit” të kalimit, duke filluar nga nata e kaluar.

Sipas një burimi të “Fars”, vendimi erdhi pas kërkesave nga Pekini dhe qeveria iraniane kishte pranuar të lehtësonte kalimin e disa anijeve kineze në kuadër të partneritetit strategjik mes dy vendeve.

Lajmi erdhi pasi faqet e gjurmimit të trafikut detar treguan kalimin në Ngushticë, dje, të disa anijeve të mallrave dhe cisternave të naftës të lidhura me Kinën, mes tyre edhe supercisterna kineze Yuan Hua Hu (me 2 milionë fuçi naftë bruto irakiane në bord), e cila kishte mbetur e bllokuar në Gjirin Persik për më shumë se dy muaj për shkak të luftës./Corriere della Sera

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 08:50
Përfundon vizita e Trump në Pekin, presidenti amerikan përshëndet nga shkallët e avionit

Autokolona e Trump është larguar nga Zhongnanhai dhe i është drejtuar aeroportit, duke shënuar fundin e vizitës së presidentit amerikan në Pekin.

Tashmë Trump ndodhet në avionin Air Force One duke u kthyer në SHBA. Para se të nisej, ai përshëndeti, ndërsa të pranishmit, të veshur me blu valëvitnin flamuj amerikanë dhe kinezë dhe brohorisnin.

Xi e quajti vizitën “historike dhe me rëndësi të madhe” dhe tha se dy liderët krijuan “një pozicionim të ri për marrëdhënien konstruktive, strategjike dhe të qëndrueshme” mes dy vendeve të tyre.

“Presidenti Trump shpreson ta bëjë Amerikën sërish të madhe, ndërsa unë jam i përkushtuar të udhëheq popullin kinez drejt realizimit të rilindjes së madhe të kombit kinez”, tha ai në deklaratat e tij, duke shtuar se të dy vendet duhet të zbatojnë “konsensusin e rëndësishëm” të arritur.

Trump tha se vizita ishte “shumë e suksesshme, e ndjekur në mbarë botën dhe e paharrueshme”, sipas komunikatës kineze, dhe e quajti Xi-n “një mik të vjetër timin”, duke shtuar: “Kam respekt të madh për të”.

“Jam i gatshëm të ruaj një komunikim të sinqertë dhe të thelluar me Presidentin Xi Jinping dhe pres me padurim ta mirëpres atë në Uashington”, u shpreh presidenti amerikan.