Peshëngritja shqiptare vijon të prodhojë rezultate shumë të mira në arenën ndërkombëtare, teksa talenti 18-vjeçar Samoel Rrasa është shpallur nënkampion bote në Kampionatin Botëror për të Rinj që po zhvillohet në Egjipt.

Në kategorinë e peshës deri në 65 kilogramë, 18-vjeçari zhvilloi një garë shumë të fortë, duke siguruar vendin e dytë në stilin e shkëputjes me 134 kilogramë të ngritura. Ndërkohë, në dygarësh ai arriti një total prej 290 kilogramësh, rezultat që e renditi në vendin e katërt, duke dëshmuar potencialin dhe cilësinë e tij në këtë sport.

Ndërkohë, vëmendja zhvendoset te Enkileda Carja, e cila do të garojë sot në baterinë B, në kategorinë 69 kilogramë, me synimin për të sjellë një tjetër rezultat pozitiv për Shqipërinë.

Më 22 prill, Briken Calja u shpall kampion Evrope në shtytje, në turneun që u zhvillua në Batumi të Gjeorgjisë.