Peripecitë e shumta u lanë pas. Peshëngritësi Briken Calja u rikthye sërish të komandojë në Evropë, duke fituar medalje të artë në shtytje dhe të argjendtë në dy garësh. Në një intervistë për Report TV, kampioni 36-vjeçar e konsideroi këtë sukses si një ndër më të rëndësishmit në karrierë.
“Pas shpalljes kampion bote ishte një dëmtim serioz që më kushtoi jo pak, por disa tituj kampion evrope dhe medalje në botë. Rikthimi në majë të evropës është një lajm i mirë. Po flasim për medalje të artë dhe kjo ishte një sfidë e jashtëzakonshme,”-u shpreh Calja.
Mbështetja gjatë viteve të vështira ka qenë e pakët për Brikenin, ndërsa tani sportisti tregon se si ia doli të rikthehej sërish në majë të Evropës.
“Përkushtimi, vullneti. Doja me patjetër të isha këtu ku jam. Ishte një premtim i mbajtur dhe për këtë jam shumë i lumtur. Vlen një mirënjohje për familjen, për durimin dhe për stafin tim të ngushtë që ishin mbështetja më e madhe për t’u rikthyer këtu ku jam sot,”-tha Brikeni
Me shpërblimet e reja të miratuara në muajin prill Briken Calja, falë dy medaljeve të fituara në Batumi të Gjeorgjisë, do të marrë 10 milionë lekë të reja.
“Më vjen mirë që ministri Gonxhe e mbajti premtimin se ky është një vlerësim shumë i madh. Një mirënjohje për kryeministrin për të gjithë vlerësimin që i ka bërë sportit në vitet e fundit,”-u shpreh Calja.
Edhe pse vitet nuk punojnë më në afvorin e Caljas ai sërish pretendon për të tjera suksese në të ardhmen.
“Akoma s’e kam thënë fjalën e fundit. Do t’ia lëmë kohës dhe rezultateve sepse janë rezultatet ata që flasin më mirë se fjalët,”-tha peshëngritësi.
Briken Calja thotë se pengu më i madh gjatë këtyre viteve kanë qenë Lojërat Mesdhetare, por do të ketë mundësi të demostrojë aftësitë e tij këtë vit pasi zhvillohen në Itali.
Komente









