Kryegjyqtari i Krimeve të Rënda, Sandër Simoni në një intervistë për “Shqiptarja.com” njofton se ka nisur një fushatë sensibilizuese brenda ambientevë të gjykatës, ku punonjës të saj, çdo dëshmitari i bëjnë me dije të gjitha të drejtat për të marrë kompesimin financiar. Këtu përfshihet udhëtimi, fjetja, dita e punës deri tek ushqimi, mund të kompesohet vetëm në rast se dëshmitari paraqet dokumentacionin e duhur. Simoni sqaron se për këtë vit ka pasur vetëm dy raste të pagimit të dëshmitarëve, kjo për shkak se ata janë të painformuar për udhëzimin e kompesimit. Më tej Simoni shton se njoftimet dhe manualet për këtë çështje do të publikohen në ambientet e gjykatës.
Zoti Simoni, disa kohë më parë ka dalë një udhëzim që lejon pagimin e shpenzimeve financiare të dëshmitarëve nga ana e gjykatës. Në gjykatën që ju drejtoni cila është skema e zbatimit të këtij udhëzimi, ku duhet të paraqiten dëshmitarët dhe çfarë duhet të kenë me vete për të marrë pagesën?
Gjykata e Krimeve të Rënda me qëllim efikasitetin e veprimtarisë gjyqësore i kushton shumë rëndësi çështjeve të raporteve me subjektet procedurale, detyrimeve nga ana jonë në raport me to, si shenjë e seriozitetit dhe integritetit të institucionit.
Që me daljen e udhëzimit të KM Nr 4 datë 12.12.2012 “Përcaktimin e masës së shpenzimeve dhe pagesave të ekspertëve dhe dëshmitarëve gjatë procesit gjyqësor“, ne kemi marrë masat administrative dhe financiare për vënien në zbatim të tij. Kjo veçanërisht për arsyen se në të vërtetë që me krijimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda ne kemi paraqitur nevojën për mbulimin e shpenzimeve dhe për dëshmitarët në proceset penale, për shkak se kjo Gjykatë ka juridiksion kombëtar dhe në proceset tona gjyqësore vijnë dëshmitarë nga rrethe të largëta me kryeqytetin ku ka selinë gjykata.
Për çdo vit ne kemi bërë planifikimet tona se sa duhej të ishte kjo masë shpenzimesh duke përllogaritur numrin e dëshmitarëve në proceset gjyqësore. Me udhëzimin e mësipërm parashikimet tona buxhetore për këtë zë janë të justifikueshme dhe ne jemi të gatshëm për t’i përmbushur. Skema e zbatimit të udhëzimit është e thjeshtë. Ne kemi përcaktuar një zë në buxhet për këto shpenzime. Nga nëpunësit gjyqësor u bëhet e ditur dëshmitarëve se në rast të shpenzimeve të transportit apo të fjetjes ato duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës në përputhje me udhëzimin, biletën transportit të miratuar nga MT dhe deri në largësinë 100 km u shpërblehet tarifa e transportit në përputhje me vendimin e KM nr. 307 datë 20.7.1992.
Në rastet kur dëshmitari ka ardhur nga një rreth me largësi me tej se 100 km i paguhen dhe dieta ditore dhe shpenzimet e fjetjes, apo dhe shpenzimet e ditës së punës, gjithmonë kundrejt dokumentacioneve me karakter vërtetues. Dokumentet shkojnë në Zyrën e Buxhetit, të shoqëruara nga vërtetimet e sekretarisë gjyqësore dhe të Kancelarit e më pas del urdhëri i shpërblimit në masën e caktuar. Pagesat bëhen nëpërmjet llogarive bankare të depozituara nga dëshmitarët.
Që nga fillimi i vitit 2014 si është grafiku i pagesës së personave që thirren për të dëshmuar në proceset penale pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda. Sa është pagesa që është bërë gjatë këtyre 6 muajve.
Jo të gjithë dëshmitarët që paraqiten në Gjykatën e Krimeve të Rënda kanë paraqitur dokumentacionin e nevojshëm për shpërblimin e tyre e për rrjedhojë dhe grafiku ka qënë modest. Ne po përgatisim një fushatë sensibilizmi dhe njohje për palët dhe subjekete në lidhje me përfitimet e tyre në rast kontakti me gjykatën, kjo nëpërmjet disa manualeve, si dhe njoftimeve në mjediset e gjykatës, si dhe në faqen e web të gjykatës. Gjatë vitit 2014 kemi patur dy raste pagesës së shpenzimeve për dëshmitarë në dy procese gjyqësore.
A ka gjykata një fond të caktuar posaçërisht nga ministria për pagesat e dëshmitarëve?
Fondi i planifikuar nga ana jonë është pjesë e buxhetit të shtetit akorduar Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor në emër të pushtetit gjyqësor ku bën pjesë dhe gjykata jonë. Ne kemi planifikuar një fond të konsiderueshëm për pagesat e shpërblimeve për ekspertët e dëshmitarët. Planifikimi është bërë nga ana jonë dhe besojmë se është i mjaftueshëm me këtë ritëm të paraqitjes se dëshmitarëve në Gjykatën tonë. E them këtë sepse vitin e kaluar 83 % e çështjeve janë zgjidhur në kushtet e gjykimit të shkurtuar, çka do të thotë se është reduktuar shumë numri i dëshmitarëve që paraqiten në gjykatë.
Ka pasur raste kur për shkak të mungesës së shumave financiare dëshmitarët edhe pse kanë paraqitur dokumentacionin e duhur nuk kanë marrë pagesën, si udhëtimin, ditën e punës, fjetjen.
Jo nuk ka raste të tilla, pasi me paraqitjen e dokumentacionet nga ana jonë veprohet menjëherë dhe shpenzimet e transportit, të fjetjes, apo dieta ditore kalojnë menjëherë në llogarinë e dëshmitarit.
Mendoni se pamundësia ekonomike për të paguar biletën e udhëtimin bëhet shkak që shumë dëshmitarë të mos paraqiten gjyq dhe për pasojë kjo gjë sjellë dhe shtyrjen e seancave gjyqësore?
Patjetër që pamundësia ekonomike për të paguar biletën e transportit bëhet shkak që dëshmitarët të mos paraqiten në seancat gjyqësore dhe gjykata të detyrohet të përdorin forcat e policisë për shoqërimin e detyrueshëm të tyre me nenin 164 të KPrp që është një masë drastike për dëshmitarët. Ky ka qenë një problem për gjykatën tonë në vitet e para të funksionimit të saj. Në këto vitet e fudit mosparaqitja e dëshmitarëve në proceset gjyqsore nuk ka qënë aq shqetësuese për ne.
Po përsa i përket njoftimit me postë të dëshmitarëve apo me polici. Mendoni se ka ardhur koha që ky sistem të ndryshohet, pra policia të shmanget nga ky proces dhe të futen posta ekspres që janë më të shpejta?
Njoftimi dëshmitarëve nëpërmjet strukturave të policisë gjyqësore sipas nenit 132/1 të KPrP duhet të jetë një përjashtim, pasi janë ezauruar mundësitë e njoftimit të tyre nëpërmjet nëpunësve gjyqësor apo shërbimit postar. Edhe unë jam i mendimit që mënyrat e njoftimit të dëshmitarëve në proceset penale të ndryshohen duke u parashikuar mënyra me efikase njoftimi, të ngjashme me ato të përfshira tashmë në Kodin e Procedurës Civile.
Konkretisht ne kemi mendimin që të adaptohen forma të reja njoftimi duke ndryshuar nenet 132-133 të KPrP, konkretisht për mënyrën e njoftimit urgjent me telefon, apo mjete të tjera teknike, duke mos e lidhur vlefshmërinë e njoftimit me kritere formale, si marrjen me shkrim të konfirmimit, por vetëm me marrjen efektive të njoftimit me qëllim pjesmarrjen në seancë.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 6 qershor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)