Sanksionet ndaj kompanisë së naftës, DASH i përgjigjet Vuçiçit: S’ka biznes të zakonshëm me Rusinë

Sanksionet ndaj kompanisë së naftës, DASH i përgjigjet Vuçiçit: S’ka biznes të zakonshëm me Rusinë

DASH

Me Rusinë nuk ka “biznes të zakonshëm”, tha Departamenti amerikan i Shtetit i pyetur nga Radio Evropa e Lirë rreth deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili tha se sanksionet e SHBA-së ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë, NIS, janë “të rënda dhe serioze”.

Thesari amerikan tha se ka sanksionuar kompaninë shtetërore ruse, Gazprom Neft dhe Surgutneftegas, me seli në Rusi.

Kompania NIS u sanksionua për shkak të ashtuquajturit “rrezik sekondar”, do të thotë për shkak të lidhjes me Gazpromin rus.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi në një konferencë për shtyp më 10 janar, pas këtij publikimi nga Departamenti amerikan i Thesarit, se bëhet fjalë për “sanksione të rënda dhe serioze” dhe se kërkohet “largimi i plotë i Rusisë nga pronësia e NIS-it”.

“Ata nuk lejojnë mundësinë e 49 për qind ose më pak kapital rus”, tha presidenti Vuçiç.

DASH-i tha për REL-in se Shtetet e Bashkuara “mbeten të përkushtuara për ta penguar gjenerimin e të ardhurave të Rusisë dhe rrjetet e prokurimit dhe ato financiare që Moska i përdor për ta mbështetur luftën e saj kundër Ukrainës”.

“Ne do të vazhdojmë t’i ndërmarrim të gjitha veprimet e duhura për ta çuar përpara përgjegjësinë për ata që mundësojnë ose përfitojnë nga lufta e paligjshme e Rusisë dhe ta parandalojmë Putinin të përdorë energjinë si mjet shtypjeje”, tha Departamenti i Shtetit në një përgjigje.

Departamenti amerikan shtoi se “SHBA-ja do të vazhdojë të punojë me partnerë dhe aleatë në mbarë botën për të garantuar sigurinë dhe diversitetin e furnizimeve me energji”.

NIS është kompania e vetme në Serbi e angazhuar në kërkimin, prodhimin dhe përpunimin e prodhimit të naftës dhe gazit natyror.

Gazprom Neft ka aksione në NIS, që nga viti 2022. Aksione ka edhe kompania e saj mëmë Gazprom.

Sipas të dhënave të NIS-it, kompania Gazprom Neft zotëron sot 50 për qind të kapitalit aksionar të NIS-it, Republika e Serbisë zotëron 29.87 për qind të aksioneve, ndërsa kompania Gazprom zotëron 6.15 për qind të aksioneve.

Pjesa tjetër u takon qytetarëve, punonjësve, ish-punonjësve dhe aksionarëve të tjerë më të vegjël.

Gazprom Neft është nën sanksionet evropiane dhe amerikane që nga viti 2014, për shkak të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, dhe kompanisë i është ndaluar qasja në tregjet e BE-së dhe SHBA-së.

NIS-i, përndryshe, zotëron më shumë se 400 pika karburanti në Serbi dhe në vendet e rajonit: Bosnje dhe Hercegovinë, Rumani dhe Bullgari./REL

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Frrok Çupi: Pse Sali Berisha u vjen rrotull burgjeve?

Frrok Çupi: Pse Sali Berisha u vjen rrotull burgjeve?