Sannino-Topi: Axhendë integruese gjithëpërfshirëse

Sannino-Topi: Axhendë integruese gjithëpërfshirëse
TIRANË - Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi sot pasdite një takim të veçantë pune me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sanino, në të cilin ishte i pranishëm edhe Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Etore Sekui.

Duke falënderuar zyrtarin e lartë të Komisionit Evropian për interesimin e vazhdueshëm të Bashkimit Evropian ndaj vendit tonë, të reflektuar tashmë edhe në vizitat e shpeshta dhe takimet e zhvilluara me aktorët kryesorë të politikës e shtetit shqiptar, Presidenti Topi “vlerësoi lart angazhimin serioz dhe kontributin e jashtëzakonshëm të strukturave të rëndësishme evropiane e drejtuesve të tyre në procesin e tejzgjatur të Shqipërisë për përmbushjen e kritereve të domosdoshme dhe realizimin e të gjitha reformave integruese për në Bashkimin Evropian”.

Duke diskutuar mbi situatën politike e institucionale në vend, Kreu i Shtetit u shpreh se “marrja e statusit të vendit kandidat në prag të festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë do të ishte një tjetër moment i jashtëzakonshëm e mjaft i rëndësishëm historik për të gjithë shqiptarët. Për ta përmbushur këtë objektiv madhor të popullit shqiptar do të duhet domosdoshmërisht zhvillimi i një dialogu konstruktiv mes forcave e aktorëve politikë dhe realizimi i hapave konkrete në realizimin e përparësive të vendosura nga Bashkimi Evropian, përfshirë këtu realizimin në kohë të reformës zgjedhore, të reformës parlamentare dhe të heqjes së imunitetit për zyrtarët e lartë”.

Duke u ndalur në çështje të tjera të aktualitetit politik e institucional të Shqipërisë: të reformës zgjedhore e të miratimit të Gjykatës Administrative, të ligjeve që kërkojnë një shumicë të cilësuar në Kuvend, të pavarësisë e të mirëfunksionimit të institucioneve kushtetuese e të drejtësisë, zgjidhjes së çështjes së pronave, Presidenti Topi nënvizoi se “deri në fund të mandatit si President i Republikës do të vijojë të zbatojë rigorozisht Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, në respekt të ruajtjes së ekuilibrave politikë e shoqërorë dhe në interes të shtetasve shqiptarë për përmbushjen e ëndrrës së tyre evropiane”.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sanino, duke mbështetur e duke ndarë të njëjtat mendime me Presidentin Topi lidhur me domosdoshmërinë e ndërmarrjes së hapave konkrete dhe arritjes së rezultateve pozitive në plotësimin e dymbëdhjetë kritereve të vendosura nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Planit të Veprimit, theksoi se “të gjitha palët, të gjithë aktorët dhe faktorët politikë në vend duhet të kenë më shumë vullnet për dialog, për bashkëpunim dhe mirëkuptim politik për të ruajtur ritmin e reformave integruese.” Në këtë drejtim, për të marrë sa më shpejt statusin e vendit kandidat nga Bashkimi Evropian, zoti Sanino vuri në dukje “rëndësinë e aspektit gjithëpërfshirës të vazhdimit të kësaj axhende integruese edhe me pjesëmarrjen dhe kontributin serioz e të frytshëm të shoqërisë civile në Shqipëri për luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar si dhe heqjes së imunitetit për të gjithë zyrtarët e shtetit shqiptar”.

(aq/shqiptarja.com)




  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Plani i investimit për Thethin, Rama: Lehtësojmë taksimin! Projekt i ri për furnizimin me energji, mbështetje për panele diellore

Plani i investimit për Thethin, Rama: Lehtësojmë taksimin! Projekt i ri për furnizimin me energji, mbështetje për panele diellore