Nata e parë e Sanremos më 24 shkurt me debutimin e Laura Pausinit si prezantuese, këngëtarin Tiziano Ferro si të ftuar, aktorin turk Can Yaman dhe Kabir Bedi, homazhet për Pippo Baudo e Peppe Vessicchio, u ndoq nga 9,6 milionë shikues, plot 3 milionë më pak sesa një vit më parë.

Media të ndryshme italiane po shkruajnë se verdikti ishte i qartë: festivali nuk i përmbushi pritshmëritë dhe nuk është aty ku duhet. Në shënjestër të kritikave janë materialet muzikore dhe kasti, të cilin disa e quajnë edhe si “më të dobëtin e 10 viteve të fundit”.

Komenteve s’u ka shpëtuar as Carlo Conti, për të cilin shkruajnë se e ka humbur ritmin plot gjallëri. “Ankoheshim për nxitimin? Tani, përkundrazi, cilësia e shkëmbimeve mes prezantuesve dhe të ftuarve është e ngathët. Në momente, e mërzitshme”, shkruan Whoopsee.

Ndërsa media si Corriere della Sera shkruajnë se “festivali nisi me të tatëpjetën” duke renditur si arsye kastin dhe mungesën e spektaklit. “Zero improvizim. Carlo Conti prezantoi një spektakël të saktë, por të njëtrajtshëm”.

Ndërsa vetë drejtori artistik ka një tjetër mendim:

“Nuk e kam tejkaluar veten, por kam të njëjtën buzëqeshje dhe të njëjtën qetësi si vitin e kaluar. Mbetet një rezultat shumë i lartë. Festivali është mirë, këtë e tregojnë këto shifra”, tha ai në një konferencë për shtyp duke thënë se pritshmëritë ishin edhe më pak: “Fakti që jemi ende në këto nivele, që audienca është kaq e lartë, më bën të lumtur: festivali është në gjendje të mirë”.

Sonte është mbrëmja e dytë: janë parashikuar performancat e pesëmbëdhjetë artistëve “Big” në garë, me votimin e publikut nga shtëpia. Në skenë, përkrah Contit dhe Pausinit, do të jenë Lillo, Pilar Fogliati dhe Achille Lauro, por mbetet ende për t’u parë nëse kaq do të mjaftojë për të rikthyer audiencën.