TIRANE - Një vit pas vizitës së Papa Franceskut bashkëjetesa fetare që shqiptarët kanë dëshmuar ndër shekuj do të rikthejë edhe një herë vëmendjen botërore në Tiranë, aty ku në shtator të këtij viti pritet të mbahet takimi i 28 Ndërkombëtar i Paqes. Marco Impagliazzo, President i Komunitetit Sant’Egidio që organizon këtë takim, prezantoi para publikut shqiptar arsyet se përse është zgjedhur pikërisht Tirana për mbajtjen e këtij “mitingu” botëror për paqen.

Në një konferencë të posaçme të prezantimit të takimit, profesor Impagliazzo tha se harmonia mes feve në Shqipëri është një mesazh i rëndësishëm i cili duhet t’i përcillet botës.

“T’i tregojmë botës se Shqipëria është një vend i bashkëjetesës mes feve të ndryshme. E dimë sesa ky mesazh është i rëndësishëm për të gjithë Evropën. Sepse Evropa po shndërrohet dhe është shndërruar tashmë një vend bashkëjetese mes feve, por Shqipëria e përjeton këtë prej shekujsh dhe është e rëndësishme të njihet. Vizita e Papa Françeksut, siç e tha kryeministri lindi nga dëshira për të theksuar këtë realitet. Dhe kur Papa u largua i tha kryeministrit: Unë besoja se Shqipëria ishte një vend i harmonisë fetare, por tashmë kuptova që është i “vëllazërisë fetare”. Për këtë ne duam që ky realitet të njihet edhe më shumë”, u shpreh President i Komunitetit Sant’Egidio Marco Impagliazzo.

Ne konferencën për shtyp morën pjesë edhe Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, Peshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, z. Andon Merdani, dhe z. Luçjan Avgustini, Ipeshkëv i Kishës Katolike të Shqipërisë, si edhe përfaqësues të katër besimeve fetare në Shqipëri, të cilët në fjalët e tyre përshëndetëse vlerësuan se ky aktivitet do jetë një rast i mirë për të përçuar edhe në botë shembullin shqiptar të harmonisë fetare.

sant egidio

Impagliazzo: Miqësia jonë me Shqipërinë para rënies së komunizmit
Gjatë fjalës së tij rreth arsyeve pse Komunitetit Sant’Egidio ka zgjedhur Shqipërinë për takimin Ndërkombëtarë të Paqes që do to zhvillohet më datat 6-7-8 shtator ka treguar një fakt mjaft interesant fillimin e miqësisë që para viteve 1990 në kohën e komunizmit.

“Dua t’ju kujtoj dhe e them para miqve shqiptarë që kam përpara, miqësia mbi 30 vjeçare e Komunitetit Sant’Egidio me Shqipërinë, që ka nisur kur ishte ende regjimi komunist në Shqipëri. Dhe kur një prift i joni, tashmë arqipeshk dhe bashkëpunëtor i Papës erdhi këtë për të rihapur disa kisha katolike dhe për t’i kthyer disa prona kishës. Si mision shumë i veçantë  që u kërkua nga Papa Gjon Pali.”- tha Impagliazzo.

Impagliazzo: Mbështesim integrimin tuaj në BE. I njohim vuajtjet e besimtarëve në komunizëm
Gjatë fjalës së tij, Impagliazzo ka theksuar se një nga motivet e përcaktimit të Tiranës për takimin e Paqes është edhe ndjenja e detyrës së Komunitetit Sant’Egidio në mbështetjen e integrimit të Shqipërisë në BE. 

“Mbështesim procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. E ndjejmë si detyrë si Komunitet të mbështesim Shqipërinë  në anëtarësimin e saj në BE.”- tha Impagliazzo i cili theksoi se “Kemi njohur vuajtjen e shumë të krishterëve dhe myslimanëve në këtë vend gjatë viteve komuniste, edhe martirizimin e shumë njerëzve. Në Romë, në bazilikën e Shën Bartolomeut që drejtohet nga Komunitetit jonë, nderohen edhe martirët e shek 21 dhe mes tyre ka edhe martirë shqiptarë. 


Veliaj: Ne shtator Tirana kryeqytet i botes se besimit
Në fjalën e tij, ministri Veliaj u shpreh se gjatë këtyre tre ditëve Tirana do shndërrohet në kryeqytetin e botës së besimit.
 
“Më vjen mirë që jemi pjekur si komb për t’ia transmetuar këtë realitet edhe atyre që, sot në botë, janë duke vuajtur ndasitë nga më të vështirat që njerëzimi ka patur. Ajo që po ndodh me ISIS apo në vende të tjera të botës, dëshmon në fakt se nuk janë dallimet fetare apo dallimet e besimit ato që shkaktojnë një konflikt, por janë diferencat midis një grupi njerëzish që vijnë nga fe më të ndryshme, por që besojnë tek paqa, tek virtyti te respekti, te harmonia, dhe një grupi njerëzisht që pavarsisht besimit besojnë në një infrastrukturë dhe filozofi e dhunës ër të imponuar një mendim a sistem të caktuar. Ndaj besoj se, edhe ajo që po ndodh sot në botë, konfirmon pikërisht këtë që misioni i Sant’ Egidios kërkon të dëshmojë: nuk janë dallimet mes besimeve, por janë dallimet midis një sistemi vlerash që pavarësisht besimit respekton diferencën dhe promovon paqen dhe një sistemi antivlerash që mban peng një besim të caktuar dhe në emër të atij besimi promovohet një kulturë dhune, e cila nuk ka asnjë lidhje me zotin dhe besimin”, tha Veliaj.
 
Ai shtoi se ky takim do jetë një mundësi e mire për t’i dhënë Europës një arsye më shumë pse Shqipëria duhet të jetë një vend anëtar i Bashkimit Europian. “Besoj se ky do jetë një argument shumë i fortë dhe që flet më shumë se çdo fjalë tjetër pse Shqipëria duhet të jetë pjesë e Europës”, theksoi z. Veliaj. Më tej ai shtoi se ky është një rast i mirë që Shqipëria të kthehet edhe në një model të ndryshëm turizmi, ku rreth 5 mijë të ftuarit në këtë aktivitet do kenë mundësi që të njihen me vlerat dhe kulturën shpirtërore të shqiptarëve, duke vizituar vende të ndryshme.
 
Duke prezantuar programin e këtij aktiviteti, ministri Veliaj theksoi se takimi do fillojë me një aktivitet të madh në Pallatin e Kongreseve në datën 6 shtator, ndërkohë që në datën 7 janë parashikuar të mbahen afro 12 aktivitete të ndryshme dhe në datën 8 do të mbahet ceremonia e mbylljes. Ai informoi gjithashtu, se në këtë takim pritet të marrin pjesë udhëheqës fetarë dhe personalitete të tjera botërore, ndërsa garantoi se qeveria shqiptare do ta mbështesë këtë aktivitet me infrastrukturën e nevojshme të sigurisë.

Cfare simbolizon takimi i Paqes per Shqiperine
Takimi i 28 ndërkombëtar për Paqen do të mbahet më datat 6-7-8 shtator të këtij vitit në Tiranë në në përkujtim të 20-vjetorit të përfundimit të Luftës së Fundit në Ballkan.

Pas vizitës së Papa Françeskut 21 shtatorin e vitit të kaluar, e cila e ktheu Shqipërinë e vogël në kryeqendrën e vëmendjes botërore për harmoninë fetare, ky është aktiviteti i dytë i rëndësishëm që do të promovojë edhe njëherë dialogun dhe bashkëjetesën fetare në vendin tonë.

Ky takim u organizua nga Komuniteti i Sant'Egidio i Romes, një strukturë shumë afër me Vatikanin. Takimi për paqen ka një rëndësi të veçantë për vendin tonë, jo vetëm fetare por edhe politike, teksa e promovon Shqipërinë si faktor stabiliteti në Rajon. Duhet theksuar se është dekada e parë që vendet e Ballkanit nuk kanë provuar shijen e luftës përballë njëra-tjetrës. Takimi për Paqen vjen gjithashtu në një kohë kur rreziku i ekstremizmit dhe radikalizmit fetar, është kthyer në një çështje shqetësuese në botë.

Takimi për Paqen zanafillën e tij e ka që më 1986 me iniciativë të Papa Gjon Palit II me qëllim promovimin e mirëkuptimit dhe dialogut të ndërsjelltë mes feve, duke pasur në horizont lutjen për paqe. Eshtë hera e parë që takimi organizohet në Shqipëri

sant egidio

Peshkop Merdani: Harmonia fetare  virtyt. Takimi i paqes, rasti që ta shfaqim këtë vlerë
Peshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Andon Merdani, duke e vlerësuar harmoninë fetare një virtyt të popullit tonë, tha se takimi i paqes do të jetë një tjetër sukses për vendin tonë, pas vizitës së Papa Françeskut shtatorin e vitit të kaluar.
 
takimi per paqen

“Është kënaqësi për komunitetin ortodoks për këtë ngjarje të veçantë që zhvillohet në Tiranë. Ngjarje të tilla janë të domosdoshme. Harmonia fetare është e mundur, Shqipëria e ka treguar këtë. Është rasti që vendi ynë të vlerësohet, apo të bjerë në sy për këtë virtyt. Vitin e kaluar Tirana ishte në sy të botës, sidomos me ardhjen e Atit të Shenjtë, Papa Françeskut. Është e rëndësishme të investojmë në këtë drejtim, pjesëmarrja e klerikëve nga fe të ndryshme jo vetëm nga 4 komunitetet fetare. Edhe kryepeshkopi Anastas, u vlerësua dhe vitin që kaloi dhe nga konferenca për paqen në Neë York. Vizioni jonë i Kishës Ortodokse, ka qenë harmonia fetare. Ky takim do jetë një sukses për popullin tonë
”, u shpreh Peshkop Merdani. 

Ipeshkv Avgustini: Takimi i paqes e ngre edhe njëherë Shqipërinë në piedestalin më të lartë
Ipeshkvi i Kishës Katolike të Shqipërisë, Luçjan Avgustini tha gjatë konferencës se cdo njeri i fesë duhet të bëhet promotor i paqes, duke ngritur zërin e kritikës ndaj përhapjes së urrejtjes dhe luftës në emër të Zotit.
takimi per paqen

“Dëshiroj të përcjell gëzimin për këtë ngjarje që do zhvillohet në shtator. Njerëzit e besimit e kulturës do të jenë promotorë të paqes. Paqja nuk ndërtohet njëherë e përgjithmonë, por duhet të jemi ndërtues të paqes. Ky takim dëshiron që dhe njëherë popullin tonë ta vënë në piedestalin më të lartë, si dëshmi e bashkëjetesës vëllazërore ndërmjet besimeve. Ndërtuesit e paqes duhet të jemi të gjithë, në mënyrë të veçantë njerëzit e fesë. Nuk mundet që asnjë besim të përdor zotin të përhapet urrejtja apo të vritet njeriu. Në emër të Zotit nuk mund të luftohet”, u shpreh Avgustini.
 
Ismaili: Islami nxit mendimin e lirë, por në botë ka luftë që përdorin fenë!
Përfaqësuesi i komunitetit mysliman në këtë takim, Bujar Ismaili në fjalën e tij tha se takimi i paqes nuk është i rastësishëm në vendin tonë, pasi është zgjedhur për modelin unik të harmonisë fetare. Duke iu referuar grupe terroriste që kërcënojnë botën me luftë në emër të fesë, Ismaili tha se feja islame nxit respektimin e njeriut dhe të mendimit të lirë.
 
“Nuk është rastësi që konferenca të tilla zhvillohen në Shqipëri. Në botë ka luftë, që përdorin dhe fenë. Vendi ynë, Shqipëria përfaqëson një nga rastet më të rralla, ku gjithë faktorët janë përkrahës të integrimit të vendit. Feja islame është një fe e bazuar mbi respektin për njeriun dhe mendimin e lirë. Feja kërkon t’i pranosh të gjithë ashtu si janë. Vlera e harmonisë, na udhëheq si një model unik”, tha Islami.
 
Kryegjyshi i Bektashinjve Baba Mondi: E kemi treguar harmoninë fetare
“Shqipëria ka pasur evenimente të rëndësishme dhe ne e kemi treguar harmoninë fetare. Kryegjyshata do jetë mbështetëse. Drita e zotit i bekoftë të gjithë, amin”, u shpreh Baba Mondi.

Nevila Xhindi: Bashkia Tiranë do të jetë gati për takimin, kryeqyteti do transmetojë paqe
Mbajtja e këtij takimi do të mbështetet edhe nga Bashkia e Tiranës. Nevila Xhindi tha se kryeqyteti do të jetë gati për të mirëpritur këtë marshim të paqes.
 
“Ndihemi të nderuar që një aktivitet i tillë zhvillohet në Tiranë. Është kënaqësi që Bashkia ta mbështesë atë. Ju falënderoj për besimin, Tirana do jetë më e mira e do transmetoj paqe”, u shpreh Xhindi.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)