Sara Goxhaj dhe Sadi Vorpsi janë rikthyer në postet drejtuese në Bashkinë e Tiranës, duke marrë sërish detyrat e nënkryetarëve.

Rikthimi i tyre vjen në një moment kur struktura drejtuese e Bashkisë së Tiranës ka pësuar ndryshime të shpeshta dhe lëvizje të njëpasnjëshme në nivelet drejtuese të institucionit. Sara Goxhaj ka mbajtur më herët postin e nënkryetares dhe rikthehet tashmë në të njëjtin funksion.

Në mars të vitit 2025, kryebashkiaku Erion Veliaj, nga paraburgimi, firmosi vendimin për shkarkimin e asaj kohe nënkryetares Anuela Ristani dhe delegimin e kompetencave te Sara Goxhaj. Vendimi nuk u zbatua dhe Ristani vijoi të ushtronte funksionin e saj.

Po ashtu, edhe Sadi Vorpsi rikthehet në një detyrë që e ka mbajtur më herët në Bashkinë e Tiranës.

Gjykata Kushtetuese i ka njohur të drejtën Veliajt për drejtimin e Bashkisë së Tiranës nga qelia e burgut, duke i hapur rrugë vijimit të ushtrimit të funksioneve të tij si kryetar bashkie. Në këtë situatë, Veliaj ka zgjedhur tashmë dyshen Sara Goxhaj dhe Sadi Vorpsi për drejtimin e punëve në kryeqytet.

Rikthimi i tyre në postet e nënkryetarëve vjen në një periudhë kur Bashkia e Tiranës ka kaluar një sërë ndryshimesh në strukturën e saj drejtuese, me lëvizje të njëpasnjëshme në nivelet e larta të institucionit.