Sara Reçi: Nga marrëdhëniet
ndërkombëtare te punët artizanale

Sara Reçi: Nga marrëdhëniet<br />ndërkombëtare te punët artizanale
TIRANE- Tri vajza për një qëllim! Jo më kot në fokus në këtë suplement rikthejmë vëmendjen te hapësirat dhe orientimi i të rinjve drejt ‘zanateve’. Sara Reçi është një prej vajzave, e cila së bashku me dy mikeshat e saj të fëmijërisë pas diplomimit në Universitet e gjetën veten në udhëkryq. Përballë këtij fakti ata nuk u dorëzuan kurrë, por ngritën një nismë të veçantë për të siguruar vetëpunësim. Në këtë rrëfim për “Shqiptarja.Com”, Sara vajza e cila sot mban një diplomë për Marrëdhënie Ndërkombëtare tregon se si hodhën hapat për të arritur në produktin final, vetëpunësimin.

Vetëm një vit më parë ata krijuan një organizatë jofitimprurëse me qëllim që t’i ofronin mundësi të rinjve të tjerë të ishin pjesë e punëve të tyre artistike. Sipas saj, qëllimi kryesor i ‘TAK’ ishte ‘Të bësh bamirësi nëpërmjet artit’. Edhe pse Sara dhe mikeshat e saj janë optimiste për të ardhmen, ata mendojnë dhe synojnë të zgjerohen dhe më shumë duke përfshirë dhe njerëz të tjerë që kanë të njëjtën dëshirë. “Duam të marrim pjesë në panaire të ndryshme nëpër botë duke përfaqësuar Shqipërinë me prodhime vendase ‘Made in Albania’. Gjithashtu, krijimin e galerive dhe ekspozitave që ndodhin brenda për brenda vendit, të gjitha këto me  punimet tona dhe të rinjve të tjerë të cilët nuk kanë mundësi financimi apo një vend ku të mund t’i paraqesin ato”, pohon Sara. 
 
 “Traditë, Art dhe Kulturë”, një nismë që ka marrë jetë rreth 1 viti më parë. Tri vajza për një qëllim??
‘TAK’ lindi krejt rastësisht! Ishte një ide që u krijua në moment dhe u pëlqye nga të treja ne. Menduam ta krijonim këtë organizatë jofitimprurëse me qëllim që t’i ofronim mundësi dhe të rinjve të tjerë të ishin pjesë e jona dhe të paraqisnin punimet e tyre tek ne. Duke i mundësuar kështu shitjen e tyre dhe me një pjesë të fitimit të mbledhur të ndihmonim fëmijët në nevojë dhe familjet e varfra. Ky është qëllimi kryesor i ‘TAK’; Të bësh bamirësi nëpërmjet artit. Punimet tona të para kanë qenë zbukurime për vitin e ri, me gjethe dhe pisha natyrale, me shkopinj e me penj shumëngjyrësh.

Fal dëshirës së mirë për të na ndihmuar,  Florenca Reçit dhe themeluesja e kësaj shoqate i demonstruam këto punime në nëntor të 2014-s në panairin “Klik Ekspo Group” ku ishte dhe pjesëmarrja jonë e parë në një panair dhe njohja me tregun. Aty vumë re se të huajt ishin ato që afroheshin më shumë dhe ishin më të interesuar, por normalisht kishte dhe vendas që pëlqenin artin dhe punimet e veçanta të dorës.
 
Të studiosh për marrëdhënie Ndërkombëtare, por ditën ta mbushësh me qëndisje dhe ide kreative tek suveniret. Si ka lindur ky pasion?
Është e vërtetë që kam mbaruar për marrëdhënie ndërkombëtare, por që e vogël jam rritur mes qëndismave te mamit. Duke u rritur më rritej dhe interesi për të mësuar të qëndis. E provova në fillim dhe mu duk e vështire por në fund kur pashë atë gjë të bukur që doli mendova që ja vlen vështirësia dhe mundimi. Doja të bëja sa më shumë dhe gjithë figurat e mundshme të qëndisshme. Pastaj mendova pse jo, qëndisjen ta bashkëngjis dhe në gjëra të tjera kreative, siç janë bonbonieret, varëse çelsash, jastëkët, etj.
 
Duke parë që tregu i punës tashmë është një nga problemet që të rinjtë hasin sapo dalin nga auditorët. Si erdhi ideja të krijonit hapësira vetëpunësimi?
Papunësia e studentëve ishte ajo që më bëri mua bashkë me shoqet e mia që ta merrnim vendimin e vetëpunësimit. Me disa kursime të vogla në fillim blemë materialet baze dhe filluam të krijonim. E nisëm me disa varëse çelësash të qëndisura dhe të personalizuara për çdo njeri. Fatmirësisht u pëlqyen shumë dhe janë akoma ndër më të shiturat, kështu u motivuam më shumë dhe vazhduam të punonim më fort e të krijonim dhe gjëra të tjera.
 
Sfida më e madhe e të rinjve është përballja me tregun e punës. Mendoni se keni bërë zgjidhjen e duhur?
Punimet që ne bëjmë akoma nuk kanë marrë vlerën e duhur në Shqipëri, ndërkohë që jashtë vlerësohen shumë. Mendoj se ka filluar të pëlqehen si punime dhe shoh që dhe shumë të rinj i preferojnë, ndoshta dhe nga mundësia e personalizimit në thënie, emra apo data. Si fillim është pak i vështirë, por do ketë sukses në vitet në vazhdim, duke shpresuar që edhe ekonomia e shqiptarëve të rritet.
 
Nëse do të ktheheshit prapa në kohë, do të mendonit të zgjidhnit një tjetër profesion për të qëndruar në treg?
Do vazhdoja të qëndroja te punët artizanale, po ndoshta të hapura dhe më gjerë. Më pëlqejnë punimet e bëra me dorë, pasi mund të përdorësh detaje që i bëjë të veçanta ato çka t’i prodhon. Do vazhdoja të merresha me qëndisje po duke i futur ato dhe në veshje, gjë të cilën e kam në planet e mia po duhet dhe pak kohë për ta arritur.
 
Ku qëndron bukuria e këtij zanati, pasi jo të gjithë mund ta përvetësojnë dhe në të njëjtën kohë të kënaqin shijen e publikut?
Bukuria e këtij zanati është rezultati final, kur del ajo që ti doje të dilte. Jo të gjithë mund ta bëjnë, jo se nuk kanë aftësi apo duhet ndonjë dhunti e veçantë, por sepse që të bësh këtë lloj pune duhet të kesh shumë durim, nerva dhe kohë. Zakonisht njerëzit që vijnë tek ne vijnë me ide të qarta në atë që duan, por ka dhe nga ata që konsultohen ose që e lënë në dorën tonë pjesën e dekorimit apo bërjes së një dhurate për një person të caktuar. Duke bërë disa pyetje në fillim për të njohur personin të cilit do t’i bëhet dhurata arrijmë të bëjmë atë që duhet, të paktën deri tani nuk kemi pasur zhgënjime apo pakënaqësi.
 
Cilat janë projektet tuaja në vazhdimësi, çfarë synoni?
Ne synojmë të zgjerohemi dhe më shumë duke përfshirë dhe njerëz të tjerë që kanë të njëjtën dëshirë si ne. Duam të marrim pjesë në panaire të ndryshme nëpër botë duke përfaqësuar Shqipërinë me prodhime vendase ‘Made in Albania’. Gjithashtu, krijimin e galerive dhe ekspozitave që ndodhin brenda për brenda vendit, të gjitha këto me  punimet tona dhe të rinjve të tjerë të cilët nuk kanë mundësi financimi apo një vend ku të mund t’i paraqesin ato. 


 
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 Tetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

Horoskopi i muajit shtator 2024/ Çfarë surprizash ju presin në dashuri, punë dhe financa?

Horoskopi i muajit shtator 2024/ Çfarë surprizash ju presin në dashuri, punë dhe financa?