Sarajeva, kryeqendra e intimitetit

Sarajeva, kryeqendra e intimitetit
Këto radhë janë shkëputur nga shënimet që mbajta në qershor të vitit 2011, kur me bursën e Europian Writers and Translators in Residence, ofruar nga “Traduki” dhe SOC, qëndrova për një muaj në Sarajevë apo Sarajevo, siç e dëgjon në të gjitha këngët aq vendasit i këndojnë me aq sevda qytetit: “Sarajevo grade moj”; “Sarajevo ljubavi moja…”.
Por nuk isha krejt vetëm kur mbërrita. Katër pika orientime ishin të mjaftueshme për t’u ndjerë si në shtëpi. Në viset e këtij qyteti kishin lindur, jetuar apo lënë gjurmë krijimtarie At Gjergj Fishta, Robert Shvartz, aktorja Tinka Kurti dhe Bekim Fehmiu, fakt ky, që pata kënaqësinë ta mësoj nga Flamur Gashi, ambasadori pasionant i Shqipërisë në BiH, i cili pati mirësinë të përkthente edhe disa fragmente të ditarit në gjuhën e vendit. Nga nata e parë mbaj mend edhe lumin: Miljacka, që e përshkon dhe e ndan Sarajevon në dy pjesë.
Nuk mund të them se folja e duhur për një lumë që shkon përmes një qytet, është folja “ndan”. Kjo pasi sapo dolëm nga Bašèaršija - ku së bashku me miqtë e mi të dashur, Hana Stojiæ dhe Saša Gavriæ, kryem ritin pagëzues të mbërritjes në qytet - na u shfaq përpara një urë prej gurësh të bardhë. Latinski Most - e njohur për shkak të arkidukës së Austro-Hungarisë, Franz Ferdinand-it, vrasja e të cilit mbi atë urë më 1914, e ndau botën në aleatë dhe armiq. Vështirë të jesh korrekt me simbolet në këtë qytet ku ç’është krijuar për të të ndarë, në të vërtetë të bashkon. Miljacka rrjedh qetë dhe pa zhurmë nën katër harqet e kësaj ure. Të vjen të besosh se nuk është një lum, por është një kafshëzë e zbutur shtëpiake, së cilës një zonjë me duar të padukshme, i ka hedhur në qafë jo një, por dhjetëra ura në formë qaforesh të gurta e të hekurta dhe e nxjerr çdo mbrëmje të shëtisë nëpër qytet, pikërisht kur në rrugët e tij kishte pak njerëz…
Humori në Sarajevo nuk është thjesht provokim i së qeshurës, është shenjë dinjiteti, profilaksi, një lloj i mjekësisë popullore parandaluese, të cilin banorët e ofrojnë që nga përshëndetjet nëpër rrugë, në mejhanet e vogla ku gatuhen haje të traditës orientale e gjer tek grafitet mbi fasada, tek emrat e bareve dhe të restoranteve dhe fjalimet hapëse nëpër ceremonitë përuruese, siç pata rast ta vërej në përurimin e kinemasë
së re “Kriterion”.
Qesëndia si duket nuk është mall për vendasit. Përdoret për eksport dhe ua japin kryesisht turistëve, koka e të cilëve matet me spango teksa i sheh të shëtisnin pvrmes kalldrëmeve të Sarajevos të veshur me T-shirt ku shkruhet: “Rakija correcting people!” apo “Fuck Coca-Cola, Fuck Pizza, All we need is šlivovica”. E rastësishmja nuk duket se ngulmon të bëhet e qëllimshme nëpër rrugët e Sarajevos. Ajo thjesht është aty. Rruga për në shtëpinë ku do të banoj për një muaj, përshembull, duket rrugë krejt eklektike në pamje të parë. Ajo merr përpjetë mes pemëve aromatikë të blirit dhe hijeve të disa pemëve të tjera që nuk i njoh, teksa bashkon në një, tri gjëra që nuk lidhen natyrshëm mes njëra-tjetrës. Dy prej tyre janë të shenjta. E treta, jo. E para është “Careva džamija”- Xhamia Mbret, një nga xhamitë më të hershme të ndërtuara në Bosnjë, mjaft e bukur, me paqe, treme të brendshme, me lule të varura, mbishrkrime e zbukurime, me shatërvanë, me një minare tetëkëndëshe e me varre të hershëm ku prehen më të devotshmit në besim.
E dyta është Katedralja françeskane, me kupola, kryqe e kam banore , brenda së cilës janë disa vepra arti të bukura në mozaikë dhe gru të gdhendur, tema fetare, por në stilistikë moderne.
E treat është fabrika e birrës, në muret e së cilës, me një kaligrafi gati gotike shkruhet “Sarajevska pivara.” Në fakt edhe ajo, me arkitekturën, kupolat e stilizuara, me ballkonet, simbolet e gotës, me kangjellat, dritaret e larta, me reklamën rrotulluese dhe me një kullë sahati të ndriçuar netëve, i ngjan gjithashtu një tempulli rreth së cilës mblidhen besimtarët që me sa duket i fallen ende Dionizit. Në Sarajevo nuk duhet të blesh hartë apo guidë turistike. Qyteti është aq intim sa duhet zbuluar vetë. Por nëse ta falin një të tillë, shfletoje dhe fale apo bëj sikur e harron diku atë libërth ku s h ë n o h e n vendet që duhen vizituar, restorantet, kafenetë ku mund të gjesh dëfrim. Duhet falur pikërisht se është turistike, domethënë se është jo intime, por publike, jo enkas për ty, siç ofrohen shumë gjëra në këtë qytet. Në Sarajevo besohet se vjen as për të marrë as për të dhënë, por për të hyrë në marrëdhënie me shpirtin që ky qytet e dhuron falas, haptas dhe fshehurazi, nëpër sheshe të vogla, të mbyllura dhe nëpër rrugë. Kjo botë shumëkulturëshe, që zgjohet herët dhe fle vonë, ruan diçka më të mirë se liturgjia e guidave turistike që fillon me pyetjen: “Where to stay?”,
“What to visit?” Në Sarajevo të vjen thuajse përherë rasti t’ia kujtosh vetes foljen “Kthehu!”
Duke pirë “ujin e mos-harrimit”, që rrjedh nga dy lëfytet prej tunxhi të zbutur nga prekjet, të cilat dalin prej murit të jashtëm të xhamisë së Gazi Husrev Begut, është si të rezervosh një biletë kthimi. Është e kundërta e ujit mitologjik të lumit të Lethes, i cili nxit jo kujtesën dhe kthimet, por harrimin.
Ndoshta këtë kuptim duhet të ketë edhe pirja e këshilluar e ujit në xhaminë e Gazi Husrev Beut. Të kthehesh në këtë vend të shenjtë, ndërtuar sipas kompozimit të Arkitekt (Mimar) Sinanit, do të thotë të kthehesh edhe në kujtesë. Të pish ujë aty do të thotë mos harro të kthehesh në Sarajevë!

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, sa cilësor është shërbimi në spitale shtetërore?



×

Lajmi i fundit

Berat Gjimshiti: Të udhëhiqja Kombëtaren ishte unike, na mungoi fati

Berat Gjimshiti: Të udhëhiqja Kombëtaren ishte unike, na mungoi fati