SARAJEVË, 16 janar /ATSH-AFP/ - Shefat e diplomacisë britanike dhe gjermane, origjina e një iniciative të re në afrimin e Bosnjes me Bashkimin Evropian, një proces i bllokuar që prej disa vitesh, u kërkuan sot drejtuesve të këtij vendi të mos e humbin mundësinë që nuk do të jetë e përjetshme.
"Ne iu kemi kërkuar sot të përfitojnë nga ky rast dhe të mos e humbasin këtë që mund të jetë rasti më i mirë (...)", deklaroi për shtypin britanik, ministri i Punëve të Jashtme, Philip Hammond.
Hammond dhe homologu gjerman, Frank-Walter Steinmeier, i cili ishte përkrah tij sot në Sarajevë, propozuan në mes të vitit 2014 një iniciativë të re që parashikonte përshpejtimin e reformave në Bosnje-Hercegovinë, të nevojshme për afrimin me bllokun evropian.
Bëhet fjalë veçanërisht për të hequr dorë për momentin nga rishikimet e vështira kushtetuese, mbi të cilat tre komunitetet, serbe, myslimane dhe kroate, nuk bien dakord dhe të përqendrohen në reformat ekonomike dhe sociale për të rimëkëmbur ekonominë dhe për të krijuar vende të reja pune.
"Ne iu kemi kërkuar të reagojnë në interes të kombit, të lënë pas të shkuarën, ndarjet etnike dhe fetare dhe të mendojnë për të ardhmen e vendit dhe progreset e tij në drejtim të Evropës", theksoi Hammond, pasi u takua me drejtuesit kryesor të partive politike boshnjake.
Ai shtoi se kjo kërkesë nuk do të jetë e vlefshme përgjithmonë.
"Sepse ne kemi në listë probleme të tjerë për të cilat Bashkimi Evropian duhet të punojë", paralajmëroi ai.
Bosnje-Hercegovina është vendi i vetëm në rajon që nuk ka kërkuar zyrtarisht statusin e vendit kandidat për hyrjen në BE./
/ec/










