SARANDE - Shkonte te shkolla 9-vjeçare e lagjes nr 1 të Sarandës dhe zhvishej para fëmijëve të mitur. Akti i cili është regjistruar në Policinë e Sarandës, mësohet të ketë ndodhur mesditën e 19 janarit, ndërsa mësues dhe nxënës të mitur janë shokuar kur kanë parë në afërsi të oborrit të shkollës, teksa dilnin nxënësit nga shkolla, një burrë të zhveshur.

Kanë qenë një grup vajzash që kanë alarmuar shkollën, ndërsa burri, për të cilin kanë menduar se ka probleme mendore është larguar nga oborri i shkollës.

Policia e Sarandës, e ka sjellë në pranga ditën e djeshme, personin, ndërsa është arrestuar orëve të mbrëmjes nën akuzën e kryerjes së veprave të turpshme me të mitur. Policia e Sarandës ka bërë me dije se personi i arrestuar për aktin e denoncuar nga mësuesit e shkollës dhe të miturit është 48-vjeçari Aristidh L. Gjatë hetimeve dhe verifikimeve, bëhet me dije se i prangosuri i  policisë, ka kryer të njëjtin veprim edhe një herë tjetër me dy të mitura të tjera në afërsi të asaj shkolle.

Materialet për të tashmë i kanë kaluar prokurorisë, ndërsa ditën e nesërme, 48-vjeçari pritet të dalë para gjykatës për tu njohur edhe me masën e arrestit që do të caktojë për të gjykata. I prangosuri mësohet se është nga fshati Metoq dhe se nuk është person i skeduar nga policia.

Redaksia Online
(shqiptarja.com)