Stina e verës është e mbushur me ikje e ardhje këtej e andej kufirit. Shqiptare dhe të huaj shfrytëzojnë kohën e bukur të pushimeve për të udhëtuar drejt vendit që kanë zgjedhur si destinacionin e tyre të preferuar për ditët e nxehta. Një nga këto ditë pushimesh thuajse e mbipopullon edhe portin modest të Sarandës. Në sallën e vogël të sigurisë duhet të presim në radhë për të marrë vulën e hyrjen në atdhe. Në rradhën përbri, gjenden katër turistë të huaj, të rinj që kishin hipur nga porti i Korfuzit së bashku me ne në një traget që më shumë i ngjante një anije peshkimi. Ishin duke folur rreth vendeve që duheshin parë. Guidat në duart e tyre tregonin se pak dinin, por njëri syresh filloi të fliste rreth përvojës së tij duke kaluar madje edhe kufirin. “duhet të shohësh patjetër Malin e zi, kroacinë edhe kosovën.. pastaj serbinë.. por kujdes nëse hyn në Serbi nga Kosova …” teksa dëgjoja, isha duke menduar se cilën pjesë të bisedës me zë të lartë kisha humbur rreth Shqipërisë….. Në një moment të bisedës së tyre dëgjoj atë djalë të ri që me sa duket nuk ishte për herë të parë në vendin tim. “Shqiptarët nganjëherë duken si terroristë” tha ai duke qeshur. Impulsivisht nuk e prita fare mirë atë “shaka” dhe u bëra gati të kaloja në radhën tjetër… por fytyra e qetë e djaloshit kanadez nuk tregoi kurrfarë shqetësimi ….më frenoi. Pas disa castesh mendova se gjithcka që ky djalë i ri do të kujtojë dhe mendojë rreth Shqpërisë do të jetë vetëm përvoja e tij personale dhe asgjë tjetër. Dhe këtë nuk do të mund ta mësoja. Nisur nga kjo ngjarje e vogël, vendosëm të hulumtojmë paksa në internet rreth përshtypjeve që turistët e huaj shkruajnë mbi udhëtimet e tyre në Shqipëri. Nuk është e para herë që suplementi “Fundjava” i gazetës Shqiptarja. com, sjell përshtypje të tilla, por deri më sot në kuadrin e reportazheve që turistët kanë publikuar në sajtet e specializuara të udhëtimeve. Këtë herë..ne po I referohemi sajtit të njohur Tripadvisor, për të kuptuar impresionet e kësaj vere që turistët e huaj kanë nga udhëtimet e tyre në vendin tonë. Dhe kjo për një qëllim të thjeshtë ndricues. Të shohim me sytë e tyre dhe të kuptojmë atë që mund të ndreqim, apo atë që duhet ta mbajmë sic e kemi për të ardhmen. Këtë numër do të fillojmë me Sarandën, në portin e të cilës hyjnë jo pak turistë të huaj.
Katër janë vendet që janë parë në Sarandë, të paktën nga turistët që kanë udhëtuar dhe kanë lënë përshtypjet e tyre; Butrinti, Syri i Kaltër, Ksamili dhe Muzeu i Sarandës. Turistët që kanë udhëtuar gjatë kësaj vere në këto pika, kanë lënë 18 përshtypje për Syrin e Kaltër, 26 për Ksamilin, 19 për Butrintin dhe vetëm 1 për muzeun e qytetit ne sitin e njohur Tripadvisor.

SYRI I KALTER MAGJIA E NATYRES SHQIPTARE
Më shumë se gjysma e recencioneve për Syrin e Kaltër e konsiderojnë vendin “të shkëlqyer”, ndërsa pjesa tjetër e vlerësojnë me cilësimin “shumë të mirë”. Janë turistë nga Anglia, Zvicra, Amerika, Italia, Greqia apo Rusia që kanë vizituar këtë Syrin e Kaltër gjatë kësaj vere duke lënë edhe përshtypjet e tyre. “mbresëlënës, thjeshtësisht I bukur, I këndshëm, pamje e mrekullueshme, spektakolar, I magjishëm, “ janë disa nga epitetet që shërbejmë si tituj të komenteve. Kathryn nga Greqia shkruan:” Është një vend që duhet ta shohë cdokush që udhëton në Shqipëri. Uji I pastër dhe I kristaltë është vërtet mbresëlënës” Nate nga Lozana e Zvicrës ka shkruar përshtypjen e tij më 8 gusht: “Mos rri të lexosh këtë, por shko dhe lagi këmbët! Kaltërsia e këtij burimi natyral nuk është nga ky planet dhe ju duhet të ecni pak në ujë që të ndjeni temperaturën e tij të ftohtë. Por kur të jeni atje mos ngurroni të ndaloni në një nga restorantet për të shijuar një pije”. Moskovitja Ludmilla këshillon të udhëtohet drejt Syrit të Kaltër pasi të keni vizituar Butrintin në mënyrë që pas lodhjes dhe vapës të merrni një freskim të magjishëm në natyrë. Dhe natyrisht fotot, për të cilat të gjithë turistët shkruajnë se dalin të magjishme. Ashtu sic ia ka dalë një turist nga cikago që ka shkruar këtë përshtypje më 20 gusht 2012. “Vend i bukur, i qetë, i paqtë.. Arritëm të merrni edhe foto spektakolare me flutura blu” . përmbyll këtë seri lëvdatsh një turist nga Britania I cili ka vizituar Syrin e Kaltër gjatë muajit qershor. Ai e vlerëson atë si “parajsën, në të vetmen formë që njeh, si një bekim nga natyra…” Një tjetër britanik shkruan se është një vend qetësues dhe I bukur, por është rreth 2 kilometra larg vendit ku autobusi e ka ndaluar dhe “duhet të kthehesh pas me autostop (normale ne Shqipëri).” Por sigurisht që turisti e rekomandon vajtjen në Syrin e Kaltër për të gjithë ata që udhëtojnë në Shqipëri. Por nuk mungojnë konstatimet dhe vërejtjet.
Turisti Italian që ka vizituar Syrin e Kaltër më 20 korrik nuk duket të ketë qenë shumë I kënaqur:” Vendi I këndshëm por nuk mund të kalosh më shumë se një orë.Rrugë e keqe për të shkuar deri aty. Përse të shkosh në Shqipëri ?vend shumë I vështirë me disa gjëra për tu parë. Mos shkoni!” Përtej këtij ekstremi qëndron një konstatim I një tjetër turisteje italiane: “Syri i kaltër është një nga vendet më të bukura që kam parë në Shqipëri. Rrugë e vështirë deri atje, disa rrugë të prishura, por kur mbërrin harron cfarë ke kaluar. Uji është akull I ftohtë sa nuk mund ta mbash këmbën për një kohë të gjatë brenda tij. Megjithatë pashë njerëz që notonin. P.S Mos hyni në tualetet e restorantit se do të sëmureni”
Dhe këshilla e Thurios nga Britani tingëllon si një paralajmërim: “Përpiquni ta vizitoni këtë vend para se të bëhet një destinacion masiv për turistë. Shëtitjet në pyll janë mjaft idilike, por vendi është shumë I vogël për grupe të mëdha njerëzish”

KSAMILI JO VETEM I PLAZHEVE TE BARDHA
Nga 26 recensat për Ksamilin 16 janë të shkëlqyera, 10 shumë të mira, ndërsa katër të tjera ndahen në mesatare dhe të varfëra.
Justina nga Amsterdami ka qenë gjatë muajit qershor në Ksamil. Ja përvoja e saj:”Erdha këtu për një ditë nga Saranda dhe nuk më pëlqeu. Autobusi u vonua 90 minuta për të shkuar sërish në qytet. Plazhi ishte pastër me ujëra të kaltra cfrë e bënte shumë të këndshëm por për fat të keq gurët janë aq të mëdhenj sa vështirësohet ecja.për tu ulur në një nga karriket që kanë vënë në breg duhet të paguash 400 lekë.”
Ndërsa Michelle Btrighton shkruan fillimisht për Sarandën e më pas Ksamilin : “Mora një taksi nga porti i Sarandes për 12 euro, (mos harroni të bëni Pazar për cmimin para se të hipni), në fillim më pëlqeu bregdeti, pijet e lira dhe akomodimi, por qyteti më dukej i shkatërruar nga ndërtimet. Në Ksamil rekomandoj kampin për akomodim pasi është më i lirë dhe më mikpritës. Nuk ka nevojë për një tendë, por mund të rregulloheni në oborrin e ndonjë shtëpie ku ju ndihmojnë edhe banorët. Nuk dinë shumë anglisht ndaj është mirë të mësoni disa fraza në shqip, ose në të kundërt drejtojuni fëmijëve pasi ata do t’ju ndihmojnë.”
Përshtypja e parë që Ksamili i ka dhënë tusitëve nga Amerika përshkruhet kështu:”Ne kemi kaluar një pasdite këtu në disa plazhe me rërë të bardhë të cilat ishin shumë të bukura. Fshati ishte i çuditshëm, në gjendje të keqe, disi ishkatërruar.” Për turistin finlandez që ka pushuar në Ksamil gjatë korrikut plazhi është me të vërtetë shumë i mirë dhe jo shumë i populluar. :Njerëzit në Shqipëri janë miqësorë dhe ka shumë restorante të mira”
Butrinti, “duhet parë” unanimisht!
Por ka një vend që i detyron turistët të dorëzohen pa kushte para tij. Është Butrinti! Nga 19 recensat e tij 12 janë të shkëlqyera dhe 7 shumë të mira. Mbetet vendi më i rekomanduar për një turist që ndodhet në Sarandë, aq sa nuk konsiderohet të kesh qenë në këtë qytet nëse nuk ke vizituar sitin e njohur arkeologjik. “Duhet parë patjetër” është thuajse një këshillë unanime nga turistët e huaj të cilët e vlerësojnë të mrekullueshëm, të jashtëzakonshëm, shumë më të mirë nga sa e kishin imagjinuar, një udhëtim në histori që duhet marrë me ngadalë dhe duhet shijuar plotësisht sepse në fund të fundit ia vlen. Turistë nga Illinois shkruajnë më 20 gusht:” Ky vend duhet par. Kaluam një kohë të gjatë duke eksploruar gërmadhat dhe duke folur me arkeologët që po punonin atë ditë. Ata janë duke zbuluar akoma më shumë nga këto ndërtime të lashta. Siti është vërtet I mirëmbajtur. Panorama në disa pika ishte e shkëlqyer”. Një turist nga Kolorado vlerëson:” Muret janë në gjendje shumë të mirë,. Kishte disa tabela që të ndihmonin të kuptoje dhe vlerësoje objektet. Na u desh një orë për të lexuar dhe shëtitur. Fëmijët ( 6 dhe 13vjec ) u kënaqën shumë. Vendi është i mrekullueshëm, por bën edhe shumë nxehtë. Mbani një shishe me ujë të freskët!
Në njëjtat kuota vlerësimi qëndrojnë edhe recensa të tjera. Me sa duket puna e bërë në këtë sit arkeologjik vazhdon të japë frytet e veta edhe në turizëm!

Shkrimi u botua ne suplementin FUNDJAVA, 24 gusht 2012
(sg/shqiptarja.com)