SARANDE, 12 Dhjetor/ATSH/- Bashkia e Sarandës shpreh angazhimin institucional, që në krah të Qeverisë Rama, për t'i dhënë fund situatës të rëndë  të administrimi të pasurisë ujore.
Në një dalje sot për mediat në mbyllje të vitit, Kryetari i Bashkise së Sarandës, Stefan Çipa u bëri apel qytetarëve për problemin e ujit në Sarandë dhe për shlyerjen e tarifës vendore, që është një detyrim për të gjithë.
"Kryeministri Rama dha së fundmi sinjalin e një reforme po aq të thellë sa për energjinë edhe për keqpërdorimin e ujit dhe keqadministrimin e kësaj pasurie, që Saranda e ka të veçantë. Është jo e papranueshme, por skandaloze, të notosh në ujë e të mos kesh ujë. Është skandaloze që 73% e ujit të mos shkojë në çesmat e qytetarëve, por të përfundojë në det.Është skandaloze që uji i qytetarëve të shkojë për mbushjen e pishinave dhe të vazhdojë të stimulohet tregtia e ujit me bote", deklaroi Çipa.
Ai shtoi se "do të na kenë përballë të gjithë ata që vazhdojnë të pengojnë zgjidhjet e mëdha e përfundimtare që e bëjnë Sarandën qytet të furnizuar me ujë 24 orë në 24, dhe me vetërrjedhje e jo me kosto marramendëse për ngritje me energji elektrike".
Apeli im, tha Çipa, shkon edhe për të gjithë ata drejtues të institucioneve, që vazhdojnë të jenë borxhllinj të mëdhenj e të vegjël, që, me tolerancën e tyre të pashembullt, kanë krijuar gropën e madhe me mospagesat e tyre shumëvjeçare për ujin e harxhuar e të papaguar.Kësaj mënyre "harxho e mos paguaj", "mos paguaj e protesto", duhet t'i japim fund një orë e më pare.
Ai bëri të ditur se në Sarandë gropën e zezë më të madhe, nuk e ka krijuar me borxhllinj në energjinë elektrike, se sa në mosshlyerjen e detyrimeve për ujin dhe me spekullimet që janë ngritur në sistem për vite me radhë ndërsa kështu po ndodh edhe me shlyerjen e tarifës vendore në Bashkinë e Sarandës.
"Por i siguroj të gjithë ata, se detyrimi I tyre I pashlyer nuk do të quhet problem i mbyllur me mbylljen e vitit. Ai do të mbartet dhe do të kërkohet të paguhet edhe gjatë vitit pasardhës, ndërkohë që refuzimi i shërbimeve tona për ta do të vazhdojë deri në shlyerjen e llogarisë së plotë të vitit 2014 për taksën vendore", përfundoi kreu i Bashkisë së Sarandës./a.g/