Sot ka qenë një ditë e veçantë për turizmin e Sarandës. Në gjirin e saj, ka mbërritur një kroçere me mbi 2 mijë turistë.
 
Kjo ka qenë prekja e parë për flotën e saj, por e dyta që prek brigjet e Sarandës për këtë vit, pas asaj të 18 shkurtit.
 
Sipas burimeve zyrtare nga porti i Sarandës, në bordin e anijes ishin mbi 2 mijë turistë, nga të cilët 450 ndoqën guida ditore me autobusë, guida që patën në fokus Butrintin, Ksamilin, Syrin e Kaltër, dhe përfshinë edhe asetet turistike të Gjirokastrës.
 
Në vlerësim të saj si ngjarje e rëndësishme turistike, u organizua një ceremoni pritëse në sheshin e portit, ku morën pjesë kryetarja e Bashkisë, Florjana Koka, përfaqësuesi i kompanisë MSC në Shqipëri, Gazmend Haxhia, autoritete Portuale e të kapitenerisë së Sarandës.
 
Kryebashkiakja Koka dhe turoperatori Haxhia, përshëndetën ardhjen e turistëve të kësaj dite.
 
Turistët e ardhur këtë të enjte mësohet se janë nga vendet latine, amerikanë, gjermanë, italianë dhe spanjollë.  
 
Ndërkohë, priten që brigjet e shqiptare të vizitohen gjatë këtij viti nga rreth 30 kroçere gjigante me turistë.
 
Nga 34 kroçere në 2016-ën, numri i tyre do të shkojë në 75 të tilla këtë vit.

[gallery]21811[/gallery]

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com