Policia ka identifikuar 2 autorët që tentuan të vrisnin me eksploziv Mirash Gjikolën në shkurt të këtij viti në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Urës së Vrinës”, në Konispol

Të dyshuarit janë identifikuar si Griseld Taullaj dhe Xhafer Bajo. Ndaj tyre rëndojnë veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Autorët kishin vendosur eksplozivin (i cili nuk shpërtheu) në sediljen e pasme bashkë me celularin që dyshohet se do të përdorej për të krijuar shpërthimin.

Njoftimi i plotë:

Si rezultat i një pune intensive hetimore nga strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë dhe Komisariatin e Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 05.02.2026, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Urës së Vrinës”, në Konispol, pas provave të grumbulluara dhe informacioneve të siguruara, u bë identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, konkretisht shtetasve:

G. T., 39 vjeç dhe Xh. B., 39 vjeç, të dy banues në Sarandë.

Për këta shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë vendosur një sasi lënde plasëse në automjetin që drejtohej nga shtetasi M. Gj., 57 vjeç, me qëllim vrasjen e tij.

Strukturat e Policisë vijojnë punën intensive për lokalizimin, kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Ndërkohë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Lajm në përditësim...

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë