Sarandë - Tensionet kanë shoqëruar mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Sarandës, ku do të miratoheshin vendndodhjet e reja të stacioneve të mjeteve ujore.
Pronarët e mjeteve ujore të Ksamilit ndërprenë mbledhjen e Këshillit Bashkiak duke hyrë me forcë dhe duke kundërshtuar kufizimin nga 12 në 4 të vendbazimeve të mjeteve ujore në territorin e bashkisë Sarandë.
Ata thanë se vendbazimet e propozuara nga bashkia nuk janë funksionale për ta, pasi ndodhen shumë larg zonave turistike.
“2 korridoret janë jashtë funksionit, në cep të Ksamilit, që nuk hyjnë në punë për asgjë. Të gjitha mjetet do të mblidhen në dy pika, por nuk janë praktike”, tha një nga pronarët e mjeteve ujore në Ksamil.
Por, policia thotë se më pak korridore për skafet, janë më të lehta për t’u monitoruar dhe për të garantuar sigurinë e pushuesve.
“Ne kemi për qëllim sigurinë e qyetarëve, bizneseve dhe turistëve që vijnë. Në një komunikim me bashkinë, kemi rënë dakord që të jenë katër korridore, pas ii monitorojmë më mirë”, tha një officer policie.
Protesta e tyre solli ndërprerjen e Këshillit Bashkiak dhe shtyrjen për një datë tjetër.
Komente










