Nesër do të mbahet Kuvendi Kombëtar i PD. Delegatët janë ftuar të votojnë për ndryshimet në statut si dhe Këshillin e ri, por për këtë të fundit lista e kandidatëve mbetet ende mister, pasi selia blu nuk i ka bërë publike zyrtarisht emrat.

***

Nesër në orën 10:00 Partia Demokratike do të mbajë mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.

2, janë momentet kryesore të Kuvendit: Ndryshime statutore, që kufizojnë rolin e primareve në hartimin e listave të kandidatëve duke shtuar një komision nga partia që bën filtrimin e propozimeve dhe që rrisin kuotat për gratë e diasporën.

Po ashtu, delegatët do të votojnë për të zgjedhur anëtarët e Këshillit të ri Kombëtar.

Por, ndryshe nga tradita e mëhershme kur lista, atribut i kryetarit, publikohej të paktën 48 orë para mbajtjes së Kuvendit, delegatët ende nuk i kanë në dorë emrat e kandidatëve për Këshillin Kombëtar. Ata, me gjasë do t’i mësojnë vetëm në prag të nisjes së punimeve të Kuvendit emrat për të cilët do të duhet të votojnë.

Në axhendën e punimeve është edhe një tjetër pikë: ratifikimi i vendimeve të Këshillit aktual mbi bashkimin në diversitet në 2024, që përmes një dispozite tranzitore futi në strukturat drejtuese deputetët që nuk i ishin bashkuar deri në atë kohë Berishës.

Report Tv mëson se në Kuvend do të ketë edhe të ftuar ndërkombëtarë të cilët do të mbajnë edhe fjalë, si dhe do të ketë disa video-mesazhe.

Përpara se të miratohen ndryshimet, fjalën e tij do ta mbajë kryetari i sapo-rikonfirmuar Sali Berisha, ndërsa mes folësve do të jenë Grigels Muçollari që do të prezantojë platformën për modernizimin dhe digjitalizimin si dhe Nikola Kedhi, platformën e Diasporës.

Mbledhja e Kuvendit Kombëtar vjen një javë pas zgjedhjeve pa garë, ku Sali Berisha, i cili ishte emri i vetëm në fletën e votimit, u rikonfirmua kryetar për një tjetër mandat me 37 mijë e 341 vota.