SARANDE - Komuna e Ksamilit ka heshtur dhe ka bërë veshin të shurdhët para kaspahanës urbanistike që po ndodh në këtë qytet, por tregon forcën dhe zbaton “ligjin” për rastin e dy fëmijëve që kanë një sëmundje shumë të vecantë. Dy fëmijët, kushërinj që duken në këtë foto, kërkojnë kushte sterile pasi vuajnë nga një sëmundje shumë e rrallë. Me dhjetëra herë ata kanë kërkuar leje ndërtimi për një dhomë më tepër në banesëne tyre, por kjo nuk iu është realizuar edhe pse kjo është një kërkesë jetësore për ta.

HISTORIA E DY FEMIJEVE
Këta janë dy fëmijët më fatkeq mes qindra apo mijëra fëmijëve të tjerë në Shqipëri. Aleksi dhe Petro dy djem, 6 dhe 7 vjeçarë, kushërinj të parë me njëri-tjetrin, jetojnë me një sëmundje të rrallë e të pashërueshme që e ka origjinën në gjak dhe më e keqja, e trashëguar nga genet e të parëve të tyre.

Mamatë e tyre janë motra dhe momentalisht jetojnë në Greqi për të siguruar bukën e gojës. Aleksin dhe Petron i kanë lënë tek prindërit në Ksamil larg qendrës së zhurmshme urbane siç është Athina, duke evituar në këtë mënyrë, prekjen nga sëmundjet virale apo sëmundje të tjera të rrezikshme për ta.

Imuniteti i brishtë i dy fëmijëve, i detyron ata të qëndrojnë tërë ditën e ditës me maskë në gojë e hundë, duke evituar virozat e ndryshme. Të dy djemtë fatkeqë, kanë një sëmundje të rrallë gjaku të trashëguar e cila quhet Agrunulocitoze Chronice, çka nuk u lejon atyre të konsumojnë ushqim të freskët por vetëm frigoriferik, apo të luajnë me shok dhe së fundi fare u privohet madje të mësojnë në një klasë me gjithë bashkëmoshatarët e tyre.

Gjyshi i tyre Jorgo Papa, qëndron përditë duke i shoqëruar ata në çdo vend përfshirë edhe ndonjë shëtitje në ajër të pastër aty ku është e mundshme pasi një mjedis i ngarkuar me ndotje, do t’u krijojnë atyre probleme mjaft serioze deri në vdekje.

Banesa e Jorgos 1+1, nuk plotëson kushtet elementare për rritjen e dy fëmijëve pasi secili kërkon një dhomë më vete po ashtu dhe një tualet. Për këtë gjyshi i fëmijëve, jo pak herë, ka kërkuar ndihmën e autoriteteve vendore dhe qëndrore, për dhënien e një leje të vetëm urbanistike për ngritjen e dy dhomave të vecanta dhe po kaq tualeteve në shërbim të fatkeqëve.

Komuna e Ksamilit, ka dijeni për këtë problem, por nuk ka fuqi ligjore për t’a zgjidhur.

Kjo është jeta e përditshme e këtyre fëmijëve fatkeqësisht larg jetës dhe pranë vdekjes. Njëri prej tyre Aleksi, 7 vjeçar që nuk di asnjë fjalë shqip, i kërkoi ndihmë kryeministrit Berisha/ Përkthim “Unë kërkoj nga xhaxhi Saliu, një shtëpi si të gjithë fëmijët”.

(pn/ns/shqiptarja.com)